2013-05-03 13:40:04

Papa Françesku priti në audiencë Presidentin e Libanit. Situata në Siri e gjendja e të krishterëve ndër temat e takimit.


Sot paradite, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Ati i Shenjtë Françesku priti në Audiencë Shkëlqesinë e Tij z. Michel Sleiman, President i Republikës së Libanit. Më pas, Presidenti libanez u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone, shoqëruar nga Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Mamberti.
Gjatë bisedimeve të përzemërta është folur rreth situatës në Vend, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të komuniteteve të ndryshme etnike e fetare, që përbëjnë shoqërinë e janë pasuri e çmuar, në favor të së mirës së përbashkët, të zhvillimit e të stabilitetit të Kombit. Lidhur me këtë janë shpreh urimet më të mira për formimin e Qeverisë së re, që do të duhet të përballet me sfida të rëndësishme në nivelin kombëtar e atë ndërkombëtar.
Në vazhdim të bashkëbisedimeve është folur edhe mbi situatën rajonale, e në mënyrë të veçantë për Sirinë. Shqetësim të veçantë krijon edhe numri tejet i madh i refugjatëve sirianë që kanë kërkuar strehim në Liban e në Vende tjera të afërta, për të cilët si dhe për mbarë popullsinë e shumëvuajtur siriane, është kërkuar një ndihmë më e madhe humanitare, me mbështetjen e Karitasit ndërkombëtar.
Së fundi, është përmendur edhe situata e të Krishterëve në mbarë Lindjen e Mesme e kontributin domethënës që ata mund të ofrojnë në dritën e dokumentit kishtar pas Sinodal “Kisha në Lindje të Mesme”, që përbënë një pik të rëndësishme referimi për bashkësitë katolike e për shoqërinë e Rajonit.







All the contents on this site are copyrighted ©.