Londër. Kardinali Toran: “Me Islamin nuk jemi konkurentë, por shtegtarë drejt së vërtetës”.
“Besimtarët, duke e ditur se njeriu nuk rron vetëm me bukë, janë të vetëdijshëm se
duhet të japin një kontribut të veçantë në jetën e përditshme e se duhet ta bëjnë
këtë së bashku, jo si kundërshtarë a konkurentë, por si shtegtarë drejt së vërtetës”.
Këtë theksoi kardinali Zhan Lui-Toran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar,
duke folur, të mërkurën e kaluar në Londër, në takimin e tretë të ipeshkvijve dhe
delegatëve të Konferencave ipeshkvnore të Evropës për marrëdhëniet me myslimanët,
që përfundoi sot. Në takimin, organizuar nga Këshilli i Konferencave Episkopale të
Evropës (Ccee) ipeshkvijtë e delegatët diskutuan për arritjet në dialogun me Islamin
në Evropë, duke pasur më shumë parasysh breznitë e reja të myslimanëve. Të mërkurën
në mbrëmje, kujton agjencia Sir, baronesha Sajeda Hysen Varsi, ministre për fenë e
bashkësitë, Zyre e jashtme e Komunuelthit, u takua me pjesëmarrësit, në një darkë
pune. Ndërsa kardinali Toran, duke folur në hapje të takimit, kujtoi se për thellimin
e dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, ka rëndësi të dorës së parë vizita
e Benediktit XVI në Liban, me takimin e krerëve fetarë myslimanë dhe krijimin e qendrës
ndërfetare në Vjenë, që mund të jetë një kanal i ri, përmes të cilit mund të denoncohen
shkeljet e lirisë fetare e, njëkohësisht, të inkurajohet e të përhapet përvoja pozitive.
Në sesionin e hapjes së punimeve foli edhe kryeipeshkvi i Bordosë, Zhan-Pierr
Rikard. Peizazhi ndërkombëtar, tha prelati, ka ndryshuar shumë pas ‘Pranverës arabe’
në Egjipt e në Tunizi, pas luftës në Libi e shpërthimit sirian, me pasoja mbi gjithë
Lindjen e Mesme. Për kardinalin e Bordosë, këto ndryshime nuk janë pa ndikime të fuqishme
mbi opinionin publik të vendeve evropiane. Në Evropë ekzistojnë forma të ndryshme
të dialogut ndërfetar: dialogu i jetës së përditshme, ai i veprave, përmes të cilave
bashkëpunohet për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, ai i shkëmbimeve teologjike
e, së fundi, dialogu i përvojës fetare, përmes të cilit njerëzit që besojnë në fenë
e tyre, ndajnë bashkë pasuritë shpirtërore. Në referatin e parë të takimit, don
Andrea Paçini, sekretar i Komisionit për ekumenizmin dhe dialogun në Piemont-Vale
d’Aosta të Italisë, theksoi: “Dialogu e kumtimi janë të dy të nevojshëm e të ligjshëm.
Lidhen ngushtë, por nuk ndërshkëmbehen: nga njëra anë dialogu i vërtetë ndërfetar
hamendëson dëshirën e të krishterit për ta bërë Jezusin sa më të njohur, që të mund
ta duan të gjithë; nga ana tjetër, Krishti duhet kumtuar me frymën ungjillore të dialogut,
pa agresivitet e pa përbuzje”. E, për t’i shprehur me dy fjalë arritjet e takimit,
porosia që dialogu dhe kumtimi të dëshmohen në jetë.