Egjipt: imzot Fahim Hanna komenton takimin e ardhshëm të Papës Françesku me Patrikun
Tawadros
“Vizita e ardhshme e Patrikut kopt-ortodoks Tawadros tek Papa, parashikuar për të
shtunën, 11 maj, mund të ketë rezultate të rëndësishme për rifillimin e ecjes drejt
bashkimit të plotë të të krishterëve”. Këtë uron ipeshkvi kopto-katolik Botros Fahim
Awad Hanna, duke folur për agjencinë Fides. Prelati u emërua kohët e fundit në krye
të Heparkisë kopto-katolike të Minias, 250 kilometra në jug të Kairos. Ky është
shtegtimi i parë i Patrikut Tawadros jashtë Egjiptit, që nga dita e zgjedhjes së tij,
më 4 nëntor. Patriku vjen për vizitë në Vatikan 40-vjet pas takimit të Palit VI me
Shenudën II, paraardhës i Tawadros. Në atë rast, ndërmjet dy Kishave nisi dialogu
teologjik i cili, në vitin 1988, përfundoi me një marrëveshje dhe me një deklaratë
të përbashkët mbi kristologjinë, që duhet t’u jepte fund shekujve të keqkuptimeve
e të mosbesimit. Në Deklaratën e përbashkët kristologjike, Kisha Katolike dhe Kisha
Kopto-Ortodokse dëshmojnë se kanë të njëjtën fe në “Zotin tonë, Hyj e Shëlbues, Jezu
Krishtin, Fjalën e Mishëruar, që është i përkryer në natyrën e tij hyjnore e i përkryer
në natyrën e tij njerëzore”. Por që asokohe, vëren ipeshkvi Fahim Hanna, kjo deklaratë
e përbashkët kristologjike nuk pati efekte praktike. Uroj, prandaj, thekson, që me
vizitën e Patrikut të ri kopto-ortodoks tek Ipeshkvi i Romës, të dyja Kishat të afrohen
më shumë, si në planin shpirtëror, ashtu edhe në atë baritor, derisa të arrihet po
ky afrim edhe në nivel teologjik e doktrinor. Papa Tawadros, vijon ipeshkvi Fahim
Hanna, na përsërit shpesh se barinjtë edhe besimtarët e Kishave në Egjipt, duhet të
bëjnë hapa të rinj afrimi, duke e dashur njëri-tjetrin e duke ua lënë teologëve detyrën
për t’i përballuar problemet doktrinore. Shpresoj se vizita e Patrikut të ri kopto-ortodoks
tek Papa i ri, do të krijojë mundësi për të rifilluar dialogun teologjik të thellë
e plot respekt për njëri-tjetrin, përfundon prelati egjiptian, për të rinisur, kështu,
edhe udhën e cila një ditë do të mund të na çojë deri në bashkimin e plotë sakramentor.