2013-05-02 14:29:16

Çelësi i fjalëve të Kishës: Fjala e Zotit duhet jetuar


Të dashur dëgjues, javës që kaloi e ndërpremë për një çast emisionin tonë, për t’u lënë vend festimeve për 20-vjetorin e vizitës së Papës së lum Gjon Pali II në Shqipëri. Sot, rimarrim në dorë komentin, që i bëri Papa Pali VI, “Besojmës” së shqiptuar nga Sheshi i Shën Pjetrit, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, më 3 korrik 1968, Papa Pali VI shpjegoi ç’donte të thoshte me Besojmën e krishterë, e cila bazohej në “Besojmën” e njohur të Nikesë, me disa shtesa e komente të Atit të Shenjtë. Kësaj radhe, do t’ju njohim me pjesën ku Papa, pasi ka shtjelluar Besojmën, vëren: “Pasi njihet Fjala e Zotit, duhet jetuar”:
“Ekziston një pasojë tjetër e Besojmës së Fesë. Është koherenca e jetës me vetë fenë. Nuk është kurrë mjaft, rëndësia që i japim koherencës ndërmjet fesë e jetës. Nuk mjafton ta njohim Fjalën e Zotit, duhet ta jetojmë. Ta njohësh, por të mos e zbatosh fenë në jetë, do të ishte krejtësisht jashtë logjikës, do të ishte përgjegjësi e rëndë. Feja është fillimi i jetës së mbinatyrshme, e bashkë me të, edhe fillimi i jetës së moralshme. Jeta e krishterë lind nga feja, gëzon bashkimin embrional që ajo vendos ndërmjet nesh e Zotit, bën të qarkullojë në ne mendimi i Tij i amshuar e i mistershëm, na përgatit për atë bashkim jetësor, që lidh ekzistencën tonë të sapokrijuar me Vetjen e pakrijuar e të amshuar, që është Zoti; por njëkohësisht, fut në mendjen e në veprimet tona një impenjim, një kriter shpirtëror e moral, një element, që e cilëson sjelljen tonë: na bën të krishterë. Duhet kujtuar gjithmonë formula e Apostullit: “iustus ex fide vivit”, i krishteri – mund ta përkthejmë – jeton nga feja (Rom. 1,17; Gal. 3,11; Hebr. 10,38).
Pikërisht, ky aspekt i jetës fetare na intereson tani. Si t’ia përshtasim jetën tonë të përditshme fesë? Si mund ta përvijojmë tipin modern të besimtarit? Cila është thirrja e fesë, sot, kur ai dëshiron t’i marrë seriozisht rrjedhojat e Besojmës së vet? Të gjithë e kujtojmë Koncilin e fundit, që kumtoi se “të gjithë besimtarët, të çfarëdo gjendjeje e niveli, janë të thirrur në plotësinë e jetës së krishterë e në përsosjen e bamirësisë e të dashurisë”, e shton: “Edhe në shoqërinë tokësore, nga kjo shenjtëri buron një nivel më njerëzor jetese” (Lumen gentium, n.40). Ky pohim konciliar mbi thirrjen e të gjithëve e të secilit për shenjtërim, në përkim me “llojet e detyrat e ndryshme të jetës” së secilit është me rëndësi themelore: “Secili – vazhdon Koncili – sipas dhuratave dhe detyrave të veta, duhet të përparojë pa hezitim në udhët e fesë së gjallë, e cila ndez shpresën e vepron përmes bamirësisë” (ib. N.41). Prandaj, nuk duhet të ekzistojë i krishteri, që nuk plotëson detyrat për lartimin e vet në birin e Zotit e vëllain e Krishtit, në anëtarin e Kishës. Mediokriteti, pabesia, inkoherenca, hipokrizia nuk duhet të bëjnë pjesë në figurën, në tipologjinë e besimtarit modern. Brezi i përshkuar nga shenjtëria duhet të karakterizojë kohën tonë. Jo vetëm të shkojmë në kërkim të shenjtit të veçantë e të jashtëzakonshëm, por të krijojmë e të nxisim shenjtërimin e Popullit, pikërisht siç donte Shën Pjetri, që në agimet e para të krishterimit, kur shkruante fjalët e njohura: “Ju jeni: ‘Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete… Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Populli i Hyjit” (1 Petr. 2,9-10)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.