2013-05-01 15:23:45

Papa në audiencën e përgjithshme: puna është pjesë e planit të dashurisë së Hyjit, jo e përfitimit egoist dhe veprimtarisë, që skllavëron.


Dinjiteti e rëndësia e punës, në qendër të fjalëve të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të 1 Majit, ditë në të cilën Kisha kremton Shën Jozefin punëtor. Papa kërkoi t’i jepet një hov të ri punësimit dhe denoncoi konceptimin ekonomistik të shoqërisë, që kërkon fitimin egoist, jashtë çdo parametri të drejtësisë shoqërore. Në mënyrë të posaçme, Papa bëri thirrje të fuqishme kundër punës, që e skllavëron njeriun. Pastaj, ndërmjet përshëndetjeve, kujtoi edhe dyvjetorin e Lumnimit të Gjon Palit II. RealAudioMP3 Jezusi mori nga Shën Jozefi mjeshtrinë e zdrukthëtarit, që na mëson: “Impenjim, djersë, kënaqësi, por edhe vështirësi, për ditë”. Kjo, tha Papa Françseku, na kujton dinjitetin dhe rëndësinë e punës. Puna, nënvizoi, është pjesë përbërëse e planit të dashurisë së Zotit:
“Puna, për të përdorur një figurë, na ‘vojon” me dinjitet, na mbush përplot me dinjitet: na bën të ngjashëm me Zotin, që punoi e punon, që vepron vazhdimisht; puna na jep mundësinë të mbajmë vetveten e familjen e edhe të kontribuojmë për zhvillimin e Kombit tonë”.
Pastaj, mendimi i Papës shkoi tek vështirësitë që has sot bota e punës dhe e ndërrmarrjes në vende të ndryshme të botës. E Ati i Shenjtë denoncoi egozimin dhe padrejtësitë, që i bëhen njeriut të punës, njeriut që dërsin, pa marrë hakun e djersës, pa marrë pagën, e cila rrëmbehet padrejtësisht nga njerëz të verbuar prej dëshirës për fitim:
“Mendoj për të gjithë, e jo vetëm për të rinjtë e pa punë, shpesh për shkak të konceptimit ekonomistik të shoqërisë, që kërkon vetëm të fitojë për vete, pa pyetur fare për parametrat e drejtësisë shoqërore”.
Prej këndej, thirrja:
“Dëshiroj t’u drejtoj të gjithëve thirrjen për solidaritet; e drejtuesit e pasurisë publike, t’i inkurajoj të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për t’i dhënë hov të ri punësimit; kjo do të thotë të shqetësohesh për dinjitetin e njeriut”.
Papa u dha zemër të gjithëve të mos e humbasin shpresën, me sigurinë se Zoti nuk na braktis kurrë. Posaçërisht të forta, fjalët drejtuar të rinjve:
Impenjohuni në detyrën tuaj të përditshme, në studim, në punë, në marrëdhëniet miqësore, në ndihmën ndaj të tjerëve; ardhmëria juaj varet edhe nga ju, nga aftësia juaj për t’i jetuar sa më mirë këto vite kaq të çmuara të jetës. Mos kini frikë nga puna, nga flijimi e mos e shikoni me druajtje ardhmërinë, mbajeni të gjallë shpresën, me besimin se nuk mungon kurrë një rreze drite në horizont!”.
E më pas, thirrja kundër punës, që skllavëron:
“Kërkoj nga vëllezërit e motrat në fe dhe nga të gjithë burrat e gratë vullnetmira t’i kundërvihen me të gjitha forcat tregtisë së njerëzve, që krijon figurën e punës prej skllavi e të njeriut skllav”.
Në fjalët e mëpasme të Papës Françesku, edhe ftesa për ta dëgjuar zërin e Zotit. Duhet të mësohemi ta kundrojmë, tha Papa, për ta perceptuar praninë e Tij të përhershme në jetën tonë; duhet të bisedojmë me Të, t’i krijojmë hapësirën e duhur në lutje. E edhe një herë, u kërkoi të rinjve ta pyesin veten: “Sa hapësirë i krijoj Zotit? A ndalem për të dialoguar me Të?”.
Më pas, ftesa drejtuar të gjithë besimtarëve për ta thënë Rruzaren Shenjte, duke kujtuar se sot filloi muaji kushtuar Zojës së Bekuar. E Papa i inkurajoi të gjithë ta shikojnë lutjen, Rruzaren Shenjte, si çast të çmuar për ta bërë sa më të qëndrueshme jetën familjare, miqësinë, punën, realizimin e të gjitha ëndrrave të mira e të bukura, që ka njeriu në mendje e në zemër:
“Të mësojmë për t’u lutur më shumë në familje e si familje!”.
Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme:
në frëngjisht Papa i ftoi besimtarët të mësojnë nga Jozefi e Maria për të qenë besnikë ndaj impenjimeve e për ta jetuar fenë përmes punëve të përditshme, duke i krijuar gjithnjë Zotit hapësirën e duhur.
Në anglisht, festa për t’i kultivuar me përgjegjësi pasuritë e gjithësisë e për të mbrojtur dinjitetin, si burra e gra, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit.
Në gjermanisht, inkurajimi për ta thënë Rruzaren në familje.
Në spanjisht, shembulli i Jozefit e i Marisë, që i ruajtën e i medituan të gjitha gjërat në zemrat e tyre.
Në arabisht: inkurajimi “Mos kini frikë nga impenjimi, nga flijimi, nga e ardhmja, mbajeni të gjallë shpresën, sepse ku ka shpresë, ka dritë në horizont”.
Në polonisht, një mendim për përvjetorin e Lumnimit të Gjon Palit II dhe urimi për të qenë gjithnjë plot me fenë, dashurinë e krishterë e guximin apostolik të të Lumit Vojtila.
Në italisht, përshëndetja e veçantë drejtuar meshtarëve të Kolegjit Papnor Misionar të Shën Palit, priftërinjve dhe seminaristëve të Viçencës dhe të disa seminareve të tjera italiane si dhe rregulltarëve të ndryshëm, që kremtojnë kapitujt e tyre të përgjithshëm.

E si zakonisht, Papa e mbylli audiencën duke iu drejtuar të rinjve, të sëmurëve, të posamartuarve.
Të rinjtë i ftoi ta dashurojnë Krishtin, për ta ndjekur me zell e besnikëri.
Të sëmurët, t’i jetojnë vuajtjet në misterin e dashurisë së Gjakut të Shëlbuesit.
Të sapomartuarit i porositi të jenë shenjë e gjallë e dashurisë së Krishtit për Kishën.









All the contents on this site are copyrighted ©.