2013-04-30 13:52:59

Shkodra shpalli shkrimtarin Robert Shvarz “qytetar nderi”


"Qytetar Nderi" (pas vdekjes) është titulli që Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka akorduar për shkrimtarin e përkthyesin e njohur, Robert Shvarc. Titulli i është dorëzuar familjarëve të tij gjatë një ceremonie të organizuar më 27 prill në mjediset e Bibliotekës "Marin Barleti" të qytetit të Shkodrës.
Duke e cilësuar një njeri të nderuar, një shqipërues të madh, një emër të letrave shqipe, një mik dhe familjar model, drejtori i Bibliotekës "Marin Barleti", Gjovalin Çuni, tha se "sa i takon shqipërimit, sidomos nga gjermanishtja, mund të themi se Shvarci është kthyer në mit dhe si i tillë ka mbetur ai në kujtesën tonë". Sa i takon jetës së Shavarcit, Çuni tha se ai ndonëse lindi në Sarajeve në dhjetor të vitit 1932 nga një baba hebre vjenez dhe një nënë elbasanllije, Saveta Çipi, ai i përket shumë edhe Shkodrës, aty ku familja e tij u vendos në 1938 dhe që babai Julius dhe xhaxhai i tij, Alfredi, ngritën centralin e parë elektrik, duke qene më pas ndër elektronikët më të zotë të vendit. "Vetë fakti se pjesa më e madhe e botimeve të tij në librin me poezi origjinale "Vargje të pluhurosura", janë të shkruar me gegënishten e kulluar të Shkodrës së fëmijërisë së tij, tregon më së miri lidhjet e forta që ai ka pasur me qytetin e Shkodrës", theksoi Çuni.
Duke folur për i vlerat e krijimtarisë së Shvarcit, Çuni tha se në maj të vitit 1995, Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë e nderoi atë me "Kryqin e Merites", si të parin personalitet të kulturës nga vendet e ish-Lindjes komuniste. Në dhjetor të vitit 2002, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i akordoi titullin "Mjeshtër i Madh", ndërsa në janar 2003, pak muaj para vdekjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës e shpalli "Qytetar Nderi", ndërkohë që një titull të tillë nuk mund të rrinte pa ia akorduar edhe Shkodra.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe një video-montazh i projektuar për jetën dhe veprën e Robert Shvarc, përgatitur nga gazetarja Ela Baçi, ndërkohë që ka vijuar me kujtimet nga të pranishmit, ndër të cilët ishte edhe një prej miqve të tij më të ngushtë, Amik Kasoruho. Titulli "Qytetar Nderi" i Shkodrës i është dorëzuar djalit të tij, Edvin Shvarc, nga Kryetari i Këshillit Bashkiak, Bardhyl Lohja. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.