2013-04-30 15:07:46

Papa: të gjithë duhet të luten për Kishën. Kisha “me frymën e botës’, nuk e sjell Ungjillin.


Kur Kisha i përshtatet botës, bëhet Kishë e ligshtë. Kjo është përmbledhja e homelisë që mbajti Papa Françesku sot, gjatë Meshës, kryesuar në Kapelën e Shën Martës, në prani të grupit të dytë të nëpunësve të Administratës së Pasurisë të Selisë së Shenjtë (APSA). Në lutje, Papa ia besoi Zotit të moshuarit, të sëmurët, fëmijët, të rinjtë, e sidomos, iu lut ta ruajë mbarë Kishën. Zoti na forcoftë, theksoi, që të mos e humbasim kurrë fenë, të mos e humbasim kurrë shpresën.
Papa ia besoi Zotit kryesisht Kishën, duke e theksuar këtë me forcë e duke i ftuar të gjithë të luten, në lidhje gjithnjë më të ngushtë me veprimin shëlbues të Krishtit:
“Mund të ruhet Kisha, mund të kujdeset, apo jo? Duhet ta bëjmë këtë me punën tonë, por më e rëndësishme është ajo, që bën Zoti: është i vetmi, që mund ta shikojë në sy djallin e ta mundë. Vjen princi i botës, por me mua s’ia del dot: nëse nuk duam që princi i kësaj bote ta marrë Kishën në dorë, duhet t’ia besojmë të Vetmit, që mund të fitojë mbi princin e kësaj bote. E këtu lind pyetja: ne lutemi për Kishën, por a lutemi për të gjithë Kishën? A lutemi edhe për vëllezërit, që nuk i njohim, që janë të shpërndarë nëpër botë? Është Kisha e Zotit e ne, në lutjen tonë, i themi Zotit: “O Zot, silli sytë kah Kisha jote… Është jotja! Kisha jote janë vëllezërit tanë. Kjo është lutja që duhet ta bëjmë me gjithë zemër, duhet ta përsërisim gjithnjë e më shumë”.
Pastaj Papa Françesku vërejti se është e lehtë të lutesh për t’i kërkuar Zotit ndonjë hir, për ta falënderuar, ose për t’i treguar se kemi ndonjë nevojë e presim ndihmën e Tij. Por themelore është, shpjegoi Papa, t’i lutemi Zotit për të gjithë, për ata që kanë marrë Pagëzimin, duke i thënë: “ Janë tuajt, janë tonët; o Zot, ruaji!”:
“T’ia besosh Kishën Zotit, është lutja, që e bën Kishën të rritet. Është edhe akt feje; ne nuk mund të bëjmë asgjë, jemi shërbëtorë të varfër, të gjithë, të Kishës: por është Ai, që mund ta çojë përpara e mund ta ruajë e ta bëjë të rritet, ta bëjë të shenjtë, ta mbrojë, ta mbrojë nga princi i kësaj bote e nga ai, i cili dëshiron që Kisha t’i nënshtrohet sa më shumë botës. Ky është rreziku më i madh! Kur Kisha i nënshtrohet botës, kur ka brenda vetes frymën e botës, kur ka atë paqe, që nuk është e Zotit - atë paqe, për të cilën Krishti pati thënë: ‘Ju lë paqen, ju jap paqen time, jo si e jep bota’ - kur, pra, ka këtë paqe, që vjen nga bota, Kisha është Kishë e ligshtë, Kishë që do të mundet, e paaaftë për të sjellë pikërisht Ungjillin, mesazhin e Kryqit, shkandullin e Kryqit… Nuk mund ta çojë përpara Ungjillin, në se ka frymën e kësaj bote”.
Papa Françesku e theksoi disa herë rëndësinë e lutjes, për t’ia besuar Kishën Zotit, udhë për paqen, që vetëm ai mund ta japë:
T’ia besosh Kishën Zotit, t’ia besosh të moshuarit, të sëmurët, fëmijët, të rinjtë… ‘O Zot, ruaje Kishën tënde! Është jotja!’. E kështu ai do të na japë, në mes të vuajtjeve, paqen, që vetëm Ai mund ta japë. Atë paqe, që bota nuk mund ta japë; atë paqe, që nuk blihet; atë paqe, që është dhuratë e vërtetë e pranisë së Jezusit në mes të Kishës së vet. T’ia besosh Kishën që vuan: ka shumë vuajtje, shumë persekutim... ka. Por ka edhe vuajtje të vogla: vuajtjet e vogla të sëmundjes, problemet familjare... T’ia besojmë të gjitha këto Zotit: ruaje Kishën tënde në vuajtje, o Zot, që të mos e humbasë fenë, të mos e bjerrë shpresën”.Zoti na bëftë të fortë, për të mos e humbur fenë, për të mos e humbur shpresën, tha Papa, duke porositur që kjo të jetë gjithnjë lutja e zemrës drejtuar Zotit. Të lutesh për t’ia besuar Zotit Kishën, tha në përfundim Ati i Shenjtë, do të na bëjë mirë ne e do t’i bëjë mirë Kishës. Do të na japë paqen e madhe ne, e paqen e madhe Kishës. Nuk do të na shpëtojë nga vuajtjet, por do të na japë forcë në mjerime.







All the contents on this site are copyrighted ©.