Duke shfletuar kalendarin, më 30 prill Kisha përkujton Shën Piun e V ( 27.1.1504
- 1.5.1572), papë i madh që la gjurmë të pashlyeshme në Kishën e kohës së vet,
duke i dhënë një shtytje ungjillore providenciale përpara. Në kohën e vet, Antonio
Michele Ghisleri njihej si kardinal aleksandrin, aq e fuqishme ishte lidhja e tij
me tokën e dashur të Aleksandrisë. U ul në fronin e papnisë në moshën 62 vjeçare,
në vitin 1556. Qe një nga papët e mëdhenj të Kishës katolike, që fuqizoi energjitë
fetare në një periudhë që pati kriza të thella shoqërore, që nganjëherë përfunduan
me konflikte të dhimbshme të armatosura. E Kisha në drejtimin e Piut V u imponua për
të kërkuar rrugë të reja, për të gjallëruar fenë e për t’ia propozuar botës vlerat
ungjillore në përkim me ndryshimet kulturore e shoqërore të kohës. Këto rrugë asokohe
u propozuan nga Koncili Kishtar i Trentit. I ngarkuar me veprimtari të jashtëzakonshme,
shëndetlig, i lodhur nga pesha e viteve, papa Piu V megjithatë nuk e la kurrë pas
dore lutjen e meditimin e Fjalës së Zotit. Plot përshpirtërie për Zojën e Bekuar,
Piu V e thoshte për ditë Rruzaren Shenjte. Pasi u zgjodh Papë, vuri të gjitha forcat
për të zbatuar me besnikëri vendimet e Koncilit Kishtar të Trentit në fushën liturgjike,
katekistike e teologjike. Këto virtyte e bëjnë Piun V shembull për të gjithë ata që
duan ta jetojnë vërtetësish thirrjen e tyre të krishterë. Botoi tekstet e reja
të Mesharit më 1570, të Breviarit (1568) e të katekizmit romak.