2013-04-30 13:25:47

Kardinali Stalislaw Dziwisz: në gjurmët e Gjon Palit II në Shqipëri


20 vjetori i vizitës së Papës të Lumit Gjon Palit II në Shqipëri, u përkujtua më 25 prill 20013, në Tiranë, me kremtimin e Meshës solemne në Katedralen e Shën Palit, kryesuar nga sekretari personal i Papës Wojtila, sot kryeipeshkëv i Krakovës në Poloni, kardinali Stalislaw Dziwisz, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin e Tiranë-Durrësit imzot Rrok Miridtën, që më 25 prill kremtoi 20-vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvnor, pikërisht nga Papa Gjon Pali II, me presidentin e konferencës ipeshkëvnore katolike të Shqipërisë, imzot Angelo Massafrën, ipeshkvij tjerë të dioqezave shqiptare. Para besimtarëve që kishin mbushur përlot Katedralen e kryeqytetit të Shqipërisë, në homelinë e rastit kardinali Dziwisz tha:

Shkëlqesi,
Vëllezër në episkopat e në meshtari,
Të dashur vëllezër e motra!

1. Në fillim dëshiroj të shpreh gëzimin tim të madh dhe emocionin tim, për faktin se, pas njëzet vjetësh, mund të kremtoj përsëri me ju Eukaristinë, në tokën shqiptare, tokë e vënë në provë të madhe gjatë shekullit të kaluar nga sistemi totalitar çnjerëzor e pa Zot. Sot të gjithë kujtohemi për 25 prillin 1993. Atëherë u bë e qartë se Zoti i historisë së botës e të njeriut është pikërisht Hyji. Pas dekadave të tiranisë komuniste dhe të përndjekjes fetare, kombi shqiptar kishte fituar lirinë dhe një shenjë e dukshme e daljes së kishës shqiptare nga katakombet ishte mbërritja mes jush e shtegtarit të veshur me te bardha, e pasardhësit të Shën Pjetrit, të bariut të kishës universale. Si bashkëpunëtor i tij i ngushtë për gati dyzet vjet, mund të dëshmoj vetëm se për të lumin Gjon Pali II vizita në Shqipëri ka përbërë njërin prej ngjarjeve më të rëndësishme te papnisë së tij.
Sot, si pasardhës i Kard. vojtilës në selinë e Shën Stanislaut, ipeshkëv e martir, ju sjell juve përshëndetjet e përzemërta dhe kujtimin në lutje të Kishës së Krakovës dhe të mbarë Kishës polake. Gëzohemi dhe falënderojmë Zotin, sepse para syve tanë, në Shqipëri e në Poloni, janë realizuar fjalët e psalmistit: "Zoti do t'i japë forcë popullit të vet, do ta bekojë popullin e vet me paqe" (Ps 28 [29], 11). Punëtorët polakë, në vitin 1980, i gdhenden këto fjale në monumentin e Gdanskit, që kujton viktimat e komunizmit.

2. Para njëzet vjetësh, më 25 prill ishte një ditë gëzimi për të gjithë kombin shqiptar. Qe një ditë gëzimi edhe për Gjon Palin II. Ai e shprehu këtë në predikimin që bëri gjatë meshës në Shkodër. Duke iu referuar fjalëve të psalmistit: "Kjo është dita që ka bërë Zoti" (Ps 117 [118], 24), tha: "Me të vërtetë Zoti e ka bërë këtë ditë për tokën tuaj, për popullin tuaj, që ka kaluar përmes një përvoje të veçantë të vdekjes, që ka zgjatur shumë vite e ka shkaktuar shumë viktima. Historia e Shqipërisë shkëlqen edhe përmes emrave të martirëve që kanë marrë pjesë në mënyrë të veçantë në kryqin dhe në ringjalljen e Krishtit. [...] Kjo është dita që bëri Zoti. Ditë gëzimi, që ipeshkvi i Romës ka ardhur për të kremtuar me ju." (n. 1).
Pastaj Ati i Shenjtë dëshmoi se si e kishte jetuar me besim udhën e kryqit të Shqipërisë e si e kishte ndjekur me lutje me mendime e me zemër: "Ipeshkvi i Romës [...] për shumë vite e ka rrethuar me lutjen e vet, bashkë me lutjen e të gjithë kishës, varrin në të cilin këtu, në këtë tokë, ishte vendosur Jezusi dhe trupi i tij mistik, që është Kisha. Krishti vetë ka vuajtur tek ata që e kanë shpallur: tek ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe tek personat e shuguruar, por edhe me të gjithë ata që në tokën tuaj kanë kaluar përmes përvojës tronditëse të vdekjes, që e ka shënjuar në mënyrë të dhimbshme historinë e vonë" (n. 1).

3. Para njëzet vjetësh Ati i Shenjtë i dorëzoi Kishës së Shqipërisë dhuratën e katër barinjve të rinj. Atëherë të gjithë kemi menduar për barinjtë, ipeshkvij e priftërinj, që kishin dhënë jetën për besimin në Krishtin dhe për besnikërinë ndaj Kishës së tij në tokën e Shqipërisë. Ati i Shenjtë u dha zë të gjitha ndjenjave tona. Duke iu drejtuar katër priftërinjve, që do të shuguroheshin ipeshkvij, tha: "Dhënia e këtij sakramenti, që do t'ju bashkojë në mënyrë të veçantë me Krishtin, bariun e mirë, na mbush me mallëngjim. Është një moment vërtet mallëngjyes, sepse na bën të mendojmë natyrshëm të gjithë ata që ju kanë paraprirë në shërbesën baritore, të gjithë ipeshkvijtë dhe priftërinjtë martirë që këtu në Shqipëri kanë dhënë jetën për Krishtin e për Kishën. Pra, është një moment mallëngjyes, që na prek thellë, sepse, me shugurimin tuaj ipeshkvnor, Kisha shqiptare fillon të jetojë përsëri me plotësi, të shprehë jetën që i përket, në të cilën shfaqet në çdo aspekt trashëgimia apostolike" (n. 4).
Ndër katër barinjtë që mori kisha shqiptare para njëzet vjetësh, gjendej ipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, Rrok Mirdita. Tani ai është i vetmi i gjallë prej këtyre katër dishepujve të Jezu Krishtit, Bariut të mirë, që atëherë u thirrën në plotësinë e meshtarisë e në shërbim të popullit të Hyjit. Kanë marrë tashmë shpërblimin në qiell Frano Illia, arqipeshkvi i Shkodrës, ipeshkvi ndihmës i tij, Zef Simoni dhe Robert Ashta, ipeshkvi i Pultit. Të tre kishin përjetuar mizorinë e përndjekjes për shkak të besimit.
Përgëzojmë arqipeshkvin metropolit të Durrës-Tiranës në përvjetorin e shërbesës baritore. Bashkë me të falënderojmë Hyjin për tërë atë të mirë që është bërë gjatë këtyre viteve falë shërbesës së tij baritore plot përkushtim, sikurse e falë shërbesës së vëllezërve të tij në episkopat në të gjithë vendin. Shprehim falënderimin tonë për rritjen e Kishës në kryeqytetin e vendit dhe në tërë Shqipërinë, për bashkësitë e reja famullitare, për brezin e ri të bijve e bijave të kësaj toke, që tashmë janë rritur në një atdhe të lirë e tani formoj ë fytyrën e tij. Shprehim falënderimin tonë, sepse fjala e Hyjit po përhapet në këtë tokë e sepse nën këtë qiell kremtohet Eukaristia, burimi dhe kulmi i tërë jetës së krishterë.

4. Sot gëzimi ynë bëhet edhe më i madh falë pranisë mes nesh të Nuncit Apostolik në Shqipëri, Arqipeshkvit Ramiro Moliner Ingles, që kremton njëzetvjetorin e ipeshkvisë. Edhe ai është emëruar ipeshkëv nga i lumi Gjon Pali II, më 2 janar 1993, dhe ështé shuguruar më 22 shkurt të të njëjtit vit, nëpërmjet duarve të kardinalit Antonio Maria Javierrre Ortas, në Katedralen - Bazilikë të Zojës së Pilarit ne Saragozë.
Ka disa dekada që Imzot Moliner Ingles i shërben me besnikëri Selisë Apostolike pranë kombeve të ndryshme të botës. Ka vënë në këtë shërbim tërë aftësitë dhe mundësitë e inteligjencës dhe të zemrës së vet. Sot e falënderojmë Hyjin së bashku me të për këtë shërbim dhe i kërkojmë Hyjit ta bekojë, që puna e tij të sjellë fryte të begata.

5. Para shumë shekujsh, përmes fjalëve të profetit Jeremia, Zoti i dha popullit këtë premtim: "Do t'ju jap barinj sipas zemrës sime" (Jer 3, 15). Ky premtim është realizuar sidomos përmes Krishtit, Birit të Hyjit, Kryeprifti i vetëm i Besëlidhjes së Re. Modeli i pakrahasueshëm i çdo bariu në Kishë është Ai, Jezu Krishti. Ai vetë e ka quajtur vetën bari: "Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. Rrogëtari, përkundër, që nuk është bari, e të cilit delet nuk i përkasin, sheh ujkun qe vjen, i braktis delet e ikën, ndërsa ujku i rrëmben e i shpërndan" (Gj 10, 11-12). Kur dëgjojmë këto fjalë, mendja na shkon vetvetiu tek barinjtë e mirë të Shqipërisë, që në kohën e përndjekjes nuk i kanë braktisur vathat e tyre dhe kanë dhënë jetën përnjëmend. Bariu mund ta japë jetën edhe pa derdhur gjakun, kur vihet ditë për ditë në shërbim të popullit që i është besuar, kur e kushton jetën e vet si dhuratë për Jezu Krishtin e për Kishën e tij.
Jezusi pohon në Ungjill se i njeh delet e veta. Kjo është një tjetër karakteristikë e bariut të mirë: "Unë jam bariu i mirë, i njoh delet e mia e delet e mia më njohin mua, sikurse unë njoh Atin e Ati më njeh mua (Gj 10, 15-15). "Të njohësh" në gjuhën biblike do të thotë "të duash". Bariu i mirë, prifti i mirë e ipeshkvi i mirë duhet t'i duan ata të cilëve u shërbejnë. Në fakt dashuria është themeli i çdo shërbimi, i çdo shërbese e funksioni në Kishë.

6. Bari i mirë, bari sipas zemrës së Jezusit ka qenë edhe Papa Gjon Pali II. Ka mësuar ta dojë e t'i shërbejë Kishës në atdheun e tij, Poloninë. E ka mësuar këtë si prift, ipeshkëv, kapelan i të rinjve, profesor universitar e bari i Kishës së Krakovës. Para tridhjetë e pesë vjetësh, më 16 tetor 1978, Krishti i ka kërkuar një dashuri edhe më të madhe. U bë bari i mbarë Kishës. Iu desh të përqafonte me zemër të gjitha kombet, kulturat, gjuhët. Iu desh të bëhej gjithçka me të gjithë. Mori këtë detyrë të madhe. E mori përsipër çdo ditë, për gati njëzeteshtatë vitet e papnisë së tij. Kam qenë dëshmitar i përditshëm i jetës dhe i shërbimit të Gjon Palit II. Ka shërbyer me fjalën e Hyjit e me dhënien e sakramenteve. Ka shërbyer me anë të marrjes së vendimeve, duke mësuar e me anë të vuajtjes. Ka shërbyer duke i takuar njerëzit, duke udhëtuar deri në skajet më të largëta të botës.
Themeli i dinamizmit apostolik të Atit të Shenjtë ka qenë dashuria e tij për Jezu Krishtin. Kjo ka qenë dashuria e tij e parë dhe e madhe, të cilës i ka ndenjur besnik deri në fund, deri ditën e lume te vdekjes së tij, më 2 prill 2005. Gjon Pali II e mendonte shpesh përvojën e apostullit Pjetër, për të kuptuar përvojën e vet në udhëheqësinë e Kishës së Krishtit. Papa kthehej tek skena ungjillore në bregun e liqenit të Tiberiadit, kur Zoti i ringjallur i drejtoi Pjetrit pyetjen e trefishtë të dashurisë. Në njëzetepesë vjetorin e zgjedhjes së tij si ipeshkëv i Romës, më 16 tetor 2003, ka thënë: "Çdo ditë ndodh në zemrën time po ai dialog i Jezusit me Pjetrin. Brenda në shpirt shoh shikimin dashamirës të Krishtit të ringjallur. Ai, edhe pse i vetëdijshëm për brishtësinë time njerëzore, më jep guxim të përgjigjem me besim si Pjetri: Zot, ti di gjithçka, ti e di se të dua" (Gj 21,7). Pastaj më fton të marr përsipër përgjegjësitë që ai vetë më ka besuar" (n. 1).

7. Të dashur vëllezër, të dashura motra, faleminderit që më keni ftuar në kremtimin e sotëm. Dëshiroj t'i këndoj me ju Hyjit të gjithëpushtetshëm himnin e falënderimit për veprat e tija të mëdha, të përmbushura në tokën tuaj. Dëshiroj ta falënderoj Zotin me ju për barinjtë qe i jep Kishës universale të kohëve tona. Faleminderit për Gjon Palin II, për dashurinë dhe shenjtërinë e tij. Faleminderit për Benediktin XVI, qe e ka udhëhequr Kishën gjatë tetë viteve të fundit, për doktrinën e tij të madhe e që na ka thirrur në veprën e ungjillëzimit të ri të botës bashkëkohore, vepër për të cilën tani ai është i angazhuar me anë të lutjes. Faleminderit për Papa Françeskun, që na mëson mënyrat ungjillore të thjeshtësisë, të varfërisë e të shërbimit.
T'ia besojmë Hyjit të gjitha çështjet e Kishës universale dhe tonat, me ndërmjetësinë e Marisë, nënës së Krishtit e të Kishës, Nënës së Këshillit të mirë, pajtores së Shqipërisë. T'ia besojmë me ndërmjetësinë e të lumit Gjon Pali II, që sot, njëzet vjet pas udhëtimit apostolik në Shqipëri, pa dyshim e shikon këtë tokë nga lart e na bekon të gjithëve. Amen!

Kardinali Stalislaw Dziwisz
Kryeipeshkëv i Krakovës
Tiranë 25 prill 2013







All the contents on this site are copyrighted ©.