2013-04-28 16:16:32

Papa të rinjve në Sheshin e Shën Pjetrit: “Zoti na jep guxim për të shkuar kundër rrymës”.


“Mos u lëkundni në udhën e fesë, me besim të patundur në Zotin. Ai na jep guxim të shkojmë kundër rrymës!”. Është ftesa, që Papa Françesku u drejtoi 70 mijë të pranishmëve në Sheshin e Shën Pjetrit, mbledhur për Meshën me Ritin e Krezmimit. E posaçërisht 44 besimtarëve, ardhur nga të katër anët e botës, që morën Sakramentin e Përforcimit në fe, duke u bërë kështu ushtarë në mbrojtje të paqes së Krishtit.

Prandaj sot, që në orët e para të mëngjesit, në Sheshin e Shën Pjetrit nisën të dynden mijëra besimtarë, posaçërisht të rinj, të vendosur për të besuar e për të bërë kthesën e madhe të zemrave, siç u shpreh imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. 44 besimtarët, që morën Sakramentin e Krezmimit, kishin ardhur nga të katër anët e botës: nga Kongo, Kolumbia, Filipinet, Irlanda e shumë vende të tjera. Ishin përfaqësues të realiteteve, ku është e pranishme Kisha. Të vendeve, ku njerëzit vuajnë nga lufta e nga uria, ku të krishterët diskriminohen e persekutohen për fenë e tyre, por edhe të vendeve të pasura perëndimore, të dëmtuara nga tërmete e fatkeqësi të tjera të natyrës, që përpiqen të ngrihen përsëri në këmbë, pas rrëzimit. Papa i inkurajoi të gjithë, duke i ftuar ta vënë tërë jetën në shërbim të idealeve të mëdha:
“Ta ndjekësh Zotin, ta lësh Shpirtin e Tij t’i shndërrojë zonat tona të errëta, sjelljet tona, që nuk janë sipas Zotit, e t’i lajë mëkatet tona, është udhë në të cilën nuk mungojnë pengesat, jashtë nesh, në botën ku jetojmë, e edhe brenda nesh, në zemrën tonë. Por vështirësitë e vuajtjet bëjnë pjesë në udhën, që duhet përshkuar për të arritur në lumninë e Zotit, si Jezusi i lumnuar mbi Kryq; do t’i ndeshim gjithnjë në jetë! Guxim! Kemi forcën e Shpirtit Shenjt për t’i mposhtur mundimet”.
Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot. Nuk kishte mbetur asnjë skutë e zbrazur, në katedralen nën qiell të hapur, sot qiell i kaltër, plot me dritën e aromat e stinës së bukur, që mbërrijti vonë, pas një dimri të lagësht e të ftohtë. Dukeshin si lule të bardha, në këtë kornizë, 44 kandidatët për Krezmim. Atyre iu drejtua në radhë të parë Papa, duke i ftuar të mos luhaten kurrë në udhën e fesë, të ecin drejt, me besim të plotë në Zotin:
“Dëgjoni mirë, të rinj: të shkosh kundër rrymës i bën mirë zemrës, por duhet guxim për të shkuar kundër rrymës e Zoti na e jep këtë guxim. Nuk ka vështirësi as vuajtje, keqkuptime as sulme, që të na trembin, nëse jemi të bashkuar me Zotin, si shermendët me hardhinë; nëse nuk e humbasim miqësinë me Të, nëse i bëjmë gjithnjë vend në jetën tonë. E kjo, edhe e sidomos, nëse e ndjejmë veten të varfër, të ligshtë, mëkatarë. Zoti i jep forcë ligështisë sonë; pasuri, varfërisë, ndjesë, mëkatit tonë”.
Më pas ftesa për të shpresuar, për të mos e humbur kurrë besimin në TënZonë, sepse me Të, theksoi Ati i Shenjtë, mund të bëjmë gjëra të mëdha. Ai na dhuron hirin ta ndjejmë gëzimin e dishepujve të tij, të dëshmitarëve të tij.
Në fytyrat e të rinjve lexoheshin shenja të qarta emocioni në çastin kur Papa u jepte Sakramentin e i ftonte për mision.Pasdite, pastaj, të sapokrezmuarit u mblodhën në Sallën e Palit VI për të festuar e për të dëgjuar tri dëshmi: dëshminë e Palit, që foli për përvojën e tij në Kinë; të Malisë, që rrëfei si u kthye në fenë e Krishtit i ati, përmes lutjeve të saj të vazhdueshme dhe dëshminë e katekistes Adriana Truhiljo, nga Bogotà.







All the contents on this site are copyrighted ©.