2013-04-25 15:51:49

Papa Françesku: i krishteri të jetë i përvuajtur, por të mos druhet të bëjë punë të mëdha.


Papa kryesoi sot paradite, në Domus Sanctae Marthae, Meshën në festën e Shën Markut Ungjilltar: stili i kumtimit të krishterë, tha në homeli, është i përvuajtur, por njëkohësisht, pa frikë për të kryer vepra të mëdha. Të pranishëm, disa anëtarë të Sekretarisë së Sinodit të Ipeshkvijve, shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, imzot Nikola Eteroviç dhe një grup përfaqësuesish të Xhandarmërisë së Vatikanit.

Në qendër të homelisë së Papës, fragmenti i Ungjillit të Shën Markut, në të cilin tregohet Ngjitja e Krishtit në Qiell. Zoti, para se të ngjitet në qiell, i nis apostujt ta kumtojnë Ungjillin “deri në skajet më të largëta të tokës, e jo vetëm në Jeruzalem e në Galile”:
“Jo; në mbarë botën. Horizonti… horizont i madh. E si e shikoni, kjo është fryma misionare e Kishës. Kisha shkon përpara, duke u predikuar të gjithëve, gjithë botës. Por nuk shkon përpara e vetme, shkon me Jezusin. ‘Atëhere ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta’. Zoti punon me të gjithë ata, që e predikojnë Ungjillin. Kjo është bujaria, që duhet të kenë të krishterët. Nuk mund të kuptohet i krishteri i ligshtë: është karakteristikë e vetë thirrjes së krishterë bujaria: gjithnjë më shumë, gjithnjë më shumë, gjithnjë më shumë e gjithnjë më përpara!”.
Letra e parë e Shën Pjetrit, nënvizoi Papa, përkufizon stilin e krishterë të predikimit. Stil i përvuajtur, e quajti:
“Stili i predikimit ungjillor ka këto karakteristika: përvujtëri, shërbim, dashuri vëllazërore. Por, o Zot, ne duhet të fitojmë botën!’. Kjo fjalë, të fitojmë, nuk shkon. Duhet të predikojmë në botë. I krishteri nuk duhet të jetë si ushtarët, që kur e fitojnë betejën, i vënë fshesën trojeve ku shkelin”.
I krishteri, vijoi Papa, e kumton Ungjillin me dëshminë e vet, më shumë sesa me fjalë. E me një dëshirë të dyfishtë, siç thotë Shën Toma i Akuinit: me shpirt të madh, që nuk trembet nga gjërat e mëdha, nga ecja përpara drejt horizonteve të pafundme, e me përvujtërinë, që e shtyn t’i llogarisë edhe gjërat e vogla. Kjo është hyjnore, vërejti Papa, është tension ndërmjet së madhes e së voglës; e fryma misionare e Kishës ecën në këtë rrugë.
Ungjilli i Shën Markut, tha Papa, përfundon me një frazë shumë të bukur, me atë, që na kujton se Jezusi vepronte me dishepujt, duke e përforcuar Fjalën, me shenjat, që e shoqëronin:“Kur ne ecim me këtë bujari e edhe me këtë përvujtëri, kur nuk trembemi nga gjërat e mëdha, nga ky horizont, por merremi edhe me gjëra të vogla, si përvujtëria e dashuria e krishterë e përditshme, Zoti na e përforcon Fjalën. E shkojmë përpara. Fitorja e Kishës është Ngjallja e Jezusit. Por është Kryqi, më parë. T’i lutemi sot Zotit të bëhemi misionarë të Kishës, apostuj në Kishë, por me këtë shpirt: me bujari e përvujtëri të madhe. E ashtu qoftë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.