2013-04-25 15:51:11

Kisha katolike në Shqipëri, 20 vjet pas vizitës së Gjon Pali II


Sot Kisha katolike shqiptare lidhet drejtpërdrejt me Selinë e Shenjtë, përmes Nunciaturës Apostolike me Seli në Tiranë e nunc aktual, Imzot Ramiro Moliner Inglés.
Ka Konferencën Ipeshkvnore, me seli në Tiranë e president aktual, imzot Anxhelo Masafrën, kryipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, zëvendës- sekretar, imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit; Sekretar imzot Lucian Avgustini; anëtarë: Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës; imzot Cristoforo Palmieri, ipeshkëv i Rrëshenit, Imzot Hil Kabashi, administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut; imzot George Frendo, ipeshkëv–ndihmës i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.
Ka edhe Gjyqin ndërdioqezan, me kryetar imzot Anxhelo Masafrën, vikar, atë Aurel Gjerkajn e shtatë anëtarë: gjyqtarë e noterë.
Kujtojmë edhe Komisionet kombëtare për Klerin dhe Jetën e kushtuar; Edukimin katolik e Doktrinën e fesë, baritorinë e Rinisë dhe Thirrjet, Drejtësi dhe paqe e emigracion; Seminarin ndërdioqezan, Komisionin liturgjik, Komisionin për kulturën dhe komunikimin shoqëror, për ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar, Komisionin katekistik, të baritorisë sociale, të laikatit e familjes.
Karitasi Shqiptar, pastaj, dhe Konferenca shqiptare e eprorëve të lartë.
Çdo dioqezë ka organizmat e veta, këshilla, komisione, institute.
Kryedioqeza e Shkodër-Pultit ka 22 priftërinj, 11 rregulltarë françeskanë, 7 jezuitë, 5 salezianë, 2 dehonianë, 2 orioninë, 1 misionar të Nënë Terezës, 3 vinçencianë, 2 salvadorianë dhe një ushtri të vërtetë murgeshash, përfaqësuese të 20 kongregatave të ndryshme, që shërbejnë në 39 famulli dhe qendra baritore.

Dioqeza e Sapës ka Këshillin e vet të Konsultorëve, Këshillin Presbiterial, 10 komisione, që përfshijnë veprimtari nga më të ndryshmet, 14 priftërinj, 5 rregulltarë, murgesha nga 12 kongregata, katër seminaristë, 27 famulli, 6 shoqata të krishtera.

Dioqeza e Lezhës ka Kolegjin e vet të këshilltarëve, Këshillin presbiterial, 7 komisione dioqezane, 6 priftërinj, 15 rregulltarë. Kongregatat e rregulltareve janë 13, famullitë, 12, shoqatat e krishtera laike, 3.

Dioqeza e Rrëshenit ka Kolegjin e Këshilltarëve, Këshillin Presbiterial, Karitasin dioqezan, Këshillin zonal të Rregulltarëve dhe pesë organizma të tjera ndihmëse, këshilla e zyra. Shërbimin baritor të besimtarëve e kryejnë 7 priftërinj e dy rregulltarë. Vijojnë seminarin dy kandidatë për meshtari. Shërbejnë rregulltare të 8 kongregatave, të shpërndara në 12 famulli. Veprojnë pesë shoqata të krishtera laike.

Kryedioqeza e Tiranë-Durrësit kryesohet nga Kuria ipeshkvnore, me dy organe kolegjiale: Kolegjin e Këshilltarëve dhe Këshillin Presbiterial. Ka 9 organe dioqezane, 10 priftërinj, 31 rregulltarë, murgesha të 24 kongregatave rregulltare, 60 kisha, famulli, qendra baritore, 7 shoqata të krishtera laike.

Administratura Apostolike e Shqipërisë së Jugut, drejtohet nga 6 organe kolegjiale dhe Komisione dioqezane. Shumë e përhapur, në Berat ka Kishën katolike, në Elbasan ‘Kishën e Shën Piut X’; Fier ‘Kishën katolike të Zojës së Papërlyer’; Korçë, Kishën katolike; Kuçovë, kishën katolike ‘Zoja e Këshillit të Mirë’, Lushnjë, ‘Kishën katolike të Shën Pjetrit dhe Shën Palit’, Orikum ‘Kishën katolike të Shën Marisë, Yll i detit’, Pogradec ‘Qendrën e Shën Jozefit Punëtor’, Vlorë, ‘Kishën katolike’, ku ka selinë edhe Ipeshkvi, imzot Hil Kabashi. Shërbejnë në administraturë një mori rregulltaresh të kongregatave të ndryshme, shpërndarë në të katër anët e Shqipërisë së Jugut.

Së fundi kujtojmë edhe Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Nëna e Këshillit të Mirë” me Institutin filozofiko-teologjik, ku përgatiten meshtarët e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.