2013-04-25 12:08:21

Imzot Rrok Mirdita feston 20 vjetorin e shugurimit Ipeshkvnor, marrë nga duart e Papës Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri


Eminenca juaj e Nderuar Kardinal Stanislaw Dzivisz,
Shkëlqesia Juaj e nderuar, Imzot Molinar Ingles,
Të nderuar vëllezër ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë e rregulltare,
Shumë të dashur vëllezër e motra,

Më 25 prill të vitit 1993 vendi ynë pati fatin e lumtur të priste në një vizitë të dendur njëditore një shtegtar të veçantë, një njeri që vinte në emër të Zotit, pasardhësin e kreut të apostujve, Papën Gjon Palin II. Shqipëria e atyre viteve as nuk kishte dalë ende krejtësisht nga makthi i diktaturës, as nuk i kishte bërë ballë dehjes së lirisë, por, e rrëmbyer nga gëzimi i kohëve të reja, që hapeshin para saj, qëndronte me shikimin e humbur drejt një të ardhmeje, forma e së cilës nuk ishte e lehtë për t'u skajuar.
Shqipëria, e gdhirë si një komb të cilit i ishte mohuar besimi në Zotin e vërtetë, përjetonte zhgënjimin përballë zotit të rremë të projektit totalitar të regjimi komunist, që ishte shkërmoqur para syve te saj. Para njëzet vjetësh shqiptarët patën nevojë për profetë, por profetët ia kishin vrarë. Janë martirët e kishës sonë të përndjekur, dyzet prej të cilëve shpresojmë se së shpejti do të shpallen të lumë.
Si profet u shfaq në dheun tonë Ipeshkvi i Romës, Papa Gjon Pali II. Si një profet që e lexon historinë në mënyrë të kulluar. Gjatë fjalimit të paharrueshëm, edhe pse ende të pavlerësuar sa duhet gjatë këtyre njëzet viteve, në Sheshin Skënderbej, tha, duke iu referuar regjimit ateist: "Ajo që ka ndodhur në Shqipëri, nuk ishte shënuar kurrë në histori". Pastaj: "Drama juaj i intereson, duhet t'i interesojë mbarë kontinentit europian dhe është e domosdoshme që Europa të mos harrojë". E më tej: "Cmimi i lirisë është sekreti i përparimit të vërtetë moral e qytetar. Shqipëri, përgjigjiu kësaj sfide të madhe historike. E ardhmja që të pret është gjithsesi, përveçse e lehtë. Ka plagë që duhen mbyllur. E shkuara le të shërbejë si mësim, por mos të shtyjë drejt mërisë e revanshit. Tani ka ardhur koha për të parë me besim drejt të ardhmes."
Për ndërtimin e të ardhmes së vendit tonë, Ati i Shenjtë besonte se duhej të luante një rol të rëndësishëm edhe Kisha, prandaj në atë udhëtim ripërtëriu kolegjin Ipeshkvor, duke shuguruar për shërbesën e pasardhësve të apostujve tre priftërinj shqiptarë, që kishin vuajtur në burgjet e komunizmit, dhe një tjetër prift shqiptar, që komunizmin e Shqipërisë e kishte njohur nga tregimet e atyre që, me dhimbje, u ishte dashur të linin vendin e tyre për të jetuar në Amerikë. Sot, pas njëzet vjetësh, kujtoj me mallëngjim e mirënjohje të thellë çdo moment të asaj dite të lume. Mbi të gjitha kujtoj praninë e vëmendshme të Papës Gjon Pali II që kishte ardhur këtu për të qenë dëshmitar i dashurisë së Zotit për njerëzit tanë.
Eminenca Juaj, më 25 prill 1993 Ju ishit përkrah Atit të Shenjtë në atë udhëtim, sikurse keni qenë përkrah tij pandarë për dyzet vjet. Sot kam nderin dhe kënaqësinë t'Ju jap mirëseardhjen në këtë tokë, ku fjala e Ungjillit, e shoqëruar me veprat e dashurisë, ka qenë dhe mbetet mënyra se si kisha i është përgjigjur premtimit që i bënte kombit tonë Ati i Shenjtë në Sheshin "Skënderbej": "Kisha, me forcën e Ungjillit, do të përpiqet të ofrojë ndihmën e vet, qoftë me praninë e institucioneve të saj, qoftë, mbi të gjitha, me dëshminë ne favor të një humanizmi të vërtetë, që e vendos personin njerëzor, të parë nën dritën e Hyjit, në qendër të çdo projekti ekonomik, social e politik". Këtë kishë jemi përpjekur të ndërtojmë gjatë këtyre viteve. Për gjithçka që kemi bërë mirë, falënderojmë Hyjin, e unë falënderoj me gjithë zemër bashkëpunëtorët e mi në të gjitha nivelet. Për çfarë kemi lëne pa bërë apo nuk kemi bërë mirë, kërkoj përvujtërisht faljen e Atit qiellor.
Së fundmi, falënderoj Hyjin për praninë Tuaj mes nesh në këtë përvjetor. Kjo vizitë është një dhuratë e madhe që i bëni kishës sonë, prandaj më lejoni të shpreh ndjenjat e thella të bashkimit me Ju personalisht dhe me Kishën e Krakovës, ku ushtroni shërbesën ipeshkvore si pasardhës i kardinalit Karol Wojtila.
Së bashku me mua sot kremton njëzetvjetorin e shugurimit ipeshkvor edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Sh. T. Ramiro Moliner Ingles. Le t'ia kushtojmë këtë Eukaristi Bariut të amshuar, me ndërmjetësinë e të lumit Gjon Palit II, në të mirë popullit të Zotit që i është besuar kujdesit tonë baritor.







All the contents on this site are copyrighted ©.