Homelia e kardinalit Stanislau Xhivish në katedralen e Shën Palit në Tiranë, për 20-vjetorin
e vizitës së të Lumit Gjon Pali II
Shkëlqesi, Vëllezër në episkopat e në meshtari, Të dashur vëllezër e motra!
1.
Në fillim dëshiroj të shpreh gëzimin tim të madh dhe emocionin tim, për faktin se,
pas njëzet vjetësh, mund të kremtoj përsëri me ju Eukaristinë, në tokën shqiptare,
tokë e vënë në provë të madhe gjatë shekullit të kaluar nga sistemi totalitar çnjerëzor
e pa Zot. Sot të gjithë kujtohemi per 25 prillin 1993. Atëherë u bë e qartë se Zoti
i historisë së botës e të njeriut është pikërisht Hyji. Pas dekadave të tiranisë komuniste
dhe të përndjekjes fetare, kombi shqiptar kishte fituar lirinë dhe një shenjë e dukshme
e daljes së kishës shqiptare nga katakombet ishte mbërritja mes jush e shtegtarit
të veshur me te bardha, e pasardhësit të Shën Pjetrit, të bariut të kishës universale.
Si bashkëpunëtor i tij i ngushtë per gati dyzet vjet, mund të dëshmoj vetëm se për
të lumin Gjon Pali II vizita në Shqipëri ka përbërë njërin prej ngjarjeve më të rëndësishme
te papnisë së tij. Sot, si pasardhës i Kard. vojtilës në selinë e Shën Stanislaut,
ipeshkëv e martir, ju sjell juve përshëndetjet e përzemërta dhe kujtimin në lutje
të Kishës së Krakovës dhe të mbarë Kishës polake. Gëzohemi dhe falënderojmë Zotin,
sepse para syve tanë, në Shqipëri e në Poloni, janë realizuar fjalët e psalmistit:
"Zoti do t'i japë forcë popullit të vet, do ta bekojë popullin e vet me paqe" (Ps
28 [29], 11). Punëtorët polakë, në vitin 1980, i gdhenden këto fjale në monumentin
e Gdanskit, që kujton viktimat e komunizmit.
2. Para njëzet vjetësh, më 25
prill ishte një ditë gëzimi për të gjithë kombin shqiptar. Qe një ditë gëzimi edhe
për Gjon Palin II. Ai e shprehu këtë në predikimin që bëri gjatë meshës në Shkodër.
Duke iu referuar fjalëve të psalmistit: "Kjo është dita që ka bërë Zoti" (Ps 117 [118],
24), tha: "Me të vërtetë Zoti e ka bërë këtë ditë për tokën tuaj, për popullin tuaj,
që ka kaluar përmes një përvoje të veçantë të vdekjes, që ka zgjatur shumë vite e
ka shkaktuar shumë viktima. Historia e Shqipërisë shkëlqen edhe përmes emrave të martirëve
që kanë marrë pjesë në mënyrë të veçantë në kryqin dhe në ringjalljen e Krishtit.
[...] Kjo është dita që bëri Zoti. Ditë gëzimi, që ipeshkvi i Romës ka ardhur për
të kremtuar me ju." (n. 1). Pastaj Ati i Shenjtë dëshmoi se si e kishte jetuar
me besim udhën e kryqit të Shqipërisë e si e kishte ndjekur me lutje me mendime e
me zemër: "Ipeshkvi i Romës [...] për shumë vite e ka rrethuar me lutjen e vet, bashkë
me lutjen e të gjithë kishës, varrin në të cilin këtu, në këtë tokë, ishte vendosur
Jezusi dhe trupi i tij mistik, që është Kisha. Krishti vetë ka vuajtur tek ata që
e kanë shpallur: tek ipeshkvinjtë, priftërinjtë, rregulltarët dhe tek personat e shuguruar,
por edhe me të gjithë ata që në tokën tuaj kanë kaluar përmes përvojës tronditëse
të vdekjes, që e ka shenjuar në mënyrë të dhimbshme historinë e vonë" (n. 1).
3.
Para njëzet vjetësh Ati i Shenjtë i dorëzoi Kishës së Shqipërisë dhuratën e katër
barinjve të rinj. Atëherë të gjithë kemi menduar për barinjtë, ipeshkvinj e priftërinj,
që kishin dhënë jetën për besimin në Krishtin dhe për besnikërinë ndaj Kishës së tij
në tokën e Shqipërisë. Ati i Shenjtë u dha zë të gjitha ndjenjave tona. Duke iu drejtuar
katër priftërinjve, që do të shuguroheshin ipeshkvinj, tha: "Dhënia e këtij sakramenti,
që do t'ju bashkojë në menyrë të veçantë me Krishtin, bariun e mirë, na mbush me mallëngjim.
Është një moment vërtet mallëngjyes, sepse na bën të mendojmë natyrshëm të gjithë
ata që ju kanë paraprirë në shërbesën baritore, të gjithë ipeshkvinjtë dhe priftërinjtë
martirë që ketu në Shqipëri kanë dhënë jetën për Krishtin e për Kishën. Pra, është
një moment mallëngjyes, që na prek thellë, sepse, me shugurimin tuaj ipeshkvnor, Kisha
shqiptare fillon të jetojë përsëri me plotësi, tëshprehë jetën që i përket, në të
cilën shfaqet në çdo aspekt trashëgimia apostolike" (n. 4). Ndër katër barinjtë
që mori kisha shqiptare para njëzet vjetësh, gjendej ipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit,
Rrok Mirdita. Tani ai është i vetmi i gjallë prej këtyre katër dishepujve të Jezu
Krishtit, Bariut të mirë, që atëherë u thirrën në plotësinë e meshtarisë e në shërbim
të popullit të Hyjit. Kanë marrë tashmë shpërblimin në qiell Frano Illia, arqipeshkvi
i Shkodrës, ipeshkvi ndihmës i tij, Zef Simoni dhe Robert Ashta, ipeshkvi i Pultit.
Të tre kishin përjetuar mizorinë e përndjekjes për shkak të besimit. Përgëzojmë
arqipeshkvin metropolit të Durrës-Tiranës në përvjetorin e shërbesës baritore. Bashkë
me të falënderojmë Hyjin për tërë atë të mirë që është bërë gjatë këtyre viteve falë
shërbesës së tij baritore plot përkushtim, sikurse e falë shërbesës së vëllëzërve
të tij në episkopat në të gjithë vendin. Shprehim falënderimin tonë për rritjen e
Kishës në kryeqytetin e vendit dhe në tërë Shqipërinë, për bashkësitë e reja famullitare,
për brezin e ri të bijve e bijave të kësaj toke, që tashmë janë rritur në një atdhe
të lirë e tani formoj ë fytyrën e tij. Shprehim falënderimin tonë, sepse fjala e Hyjit
po përhapet në këtë tokë e sepse nën këtë qiell kremtohet Eukaristia, burimi dhe kulmi
i tërë jetës së krishterë.
4. Sot gëzimi ynë bëhet edhe më i madh falë pranisë
mes nesh të Nuncit Apostolik në Shqipëri, Arqipeshkvit Ramiro Moliner Ingles, që kremton
njëzetvjetorin e ipeshkvisë. Edhe ai éshtë emëruar ipeshkëv nga i lumi Gjon Pali II,
më 2 janar 1993, dhe ështé shuguruar më 22 shkurt të të njëjtit vit, nëpërmjet duarve
të kardinalit Antonio Maria Javierrre Ortas, në Katedralen - Bazilikë të Zojës së
Pilarit ne Saragozë. Ka disa dekada që Imzot Moliner Ingles i shërben me besnikëri
Selisë Apostolike pranë kombeve të ndryshme të botës. Ka vënë në këtë shërbim tërë
aftësitë dhe mundësitë e inteligjencës dhe të zemrës së vet. Sot e falënderojmë Hyjin
së bashku me të për këtë shërbim dhe i kërkojmë Hyjit ta bekojë, që puna e tij të
sjellë fryte të begata.
5. Para shumë shekujsh, përmes fjalëve të profetit
Jeremia, Zoti i dha popullit këtë premtim: "Do t'ju jap barinj sipas zemrës sime"
(Jer 3, 15). Ky premtim është realizuar sidomos përmes Krishtit, Birit të Hyjit, Kryeprifti
i vetëm i Besëlidhjes së Re. Modeli i pakrahasueshëm i çdo bariu në Kishë éshtë Ai,
Jezu Krishti. Ai vetë e ka quajtur vetën bari: "Une jam bariu i mirë. Bariu i mirë
jep jetën për delet. Rrogëtari, përkundër, që nuk është bari, e të cilit delet nuk
i përkasin, sheh ujkun qe vjen, i braktis delet e ikën, ndërsa ujku i rrëmben e i
shpërndan" (Gj 10, 11-12). Kur dëgjojmë këto fjalë, mendja na shkon vetvetiu tek barinjtë
e mirë të Shqipërisë, që në kohën e përndjekjes nuk i kanë braktisur vathat e tyre
dhe kanë dhënë jetën përnjimend. Bariu mund ta japë jetën edhe pa derdhur gjakun,
kur vihet ditë për ditë në shërbim të popullit që i është besuar, kur e kushton jetën
e vet si dhuratë për Jezu Krishtin e për Kishën e tij. Jezusi pohon në Ungjill
se i njeh delet e veta. Kjo është një tjetër karakteristikë e bariut të mirë: "Unë
jam bariu i mirë, i njoh delet e mia e delet e mia më njohin mua, sikurse unë njoh
Atin e Ati më njeh mua (Gj 10, 15-15). "Të njohësh" në gjuhën biblike do të thotë
"të duash". Bariu i mirë, prifti i mirë e ipeshkvi i mirë duhet t'i duan ata të cilëve
u shërbejnë. Në fakt dashuria është themeli i çdo shërbimi, i çdo shërbese e funksioni
në Kishë.
6. Bari i mirë, bari sipas zemrës së Jezusit ka qenë edhe Papa Gjon
Pali II. Ka mësuar ta dojë e t'i shërbejë Kishës në atdheun e tij, Poloninë. E ka
mësuar këtë si prift, ipeshkëv, kapelan i të rinjve, profesor universitar e bari i
Kishës së Krakovës. Para tridhjetë e pësë vjetësh, më 16 tetor 1978, Krishti i ka
kërkuar një dashuri edhe më të madhe. U bë bari i mbarë Kishës. Iu desh të përqafonte
me zemër të gjitha kombet, kulturat, gjuhët. Iu desh të bëhej gjithçka me të gjithë.
Mori këtë detyrë të madhe. E mori përsipër çdo ditë, për gati njëzeteshtatë vitet
e papnisë së tij. Kam qenë dëshmitar i perditshëm i jetës dhe i shërbimit të Gjon
Palit II. Ka shërbyer me fjalën e Hyjit e me dhënien e sakramenteve. Ka shërbyer me
anë të marrjes së vendimeve, duke mësuar e me anë të vuajtjes. Ka shërbyer duke i
takuar njerëzit, duke udhëtuar deri në skajet më të largëta të botës. Themeli i
dinamizmit apostolik të Atit të Shenjtë ka qenë dashuria e tij për Jezu Krishtin.
Kjo ka qenë dashuria e tij e parë dhe e madhe, të cilës i ka ndenjur besnik deri në
fund, deri ditën e lume te vdekjes së tij, më 2 prill 2005. Gjon Pali II e mendonte
shpesh përvojën e apostullit Pjetër, për të kuptuar përvojën e vet në udhëheqësinë
e Kishës së Krishtit. Papa kthehej tek skena ungjillore në bregun e liqenit të Tiberiadit,
kur Zoti i ringjallur i drejtoi Pjetrit pyetjen e trefishtë të dashurisë. Në njëzetepesë
vjetorin e zgjedhjes së tij si ipeshkëv i Romës, më 16 tetor 2003, ka thënë: "Çdo
ditë ndodh në zemrën time po ai dialog i Jezusit me Pjetrin. Brenda në shpirt shoh
shikimin dashamirës të Krishtit të ringjallur. Ai, edhe pse i vetëdijshëm për brishtësinë
time njerëzore, më jep guxim të përgjigjem me besim si Pjetri: Zot, ti di gjithçka,
ti e di se të dua" (Gj 21,7). Pastaj më fton të marr përsipër përgjegjësitë që ai
vetë më ka besuar" (n. 1).
7. Të dashur vëllezër, të dashura motra, faleminderit
që më keni ftuar në krimetimin e sotëm. Dëshiroj t'i këndoj me ju Hyjit të gjithëpushtetshëm
himinn e falënderimit për veprat e tija të mëdha, të përmbushura në tokën tuaj. Dëshiroj
ta falënderoj Zotin me ju për barinjtë qe i jep Kishës universale të kohëve tona.
Faleminderit për Gjon Palin II, për dashurinë dhe shenjtërinë e tij. Faleminderit
për Benediktin XVI, qe e ka udhëhequr Kishën gjatë tetë viteve të fundit, për doktrinën
e tij të madhe e që na ka thirrur në veprën e ungjillëzimit të ri të botës bashkëkohore,
vepër për të cilën tani ai është i angazhuar me anë të lutjes. Faleminderit ër Papa
Françeskun, që na mëson mënyrat ungjillore të thjeshtësisë, të varfërisë e të shërbimit. T'ia
besojmë Hyjit të gjitha çështjet e Kishës universale dhe tonat, me ndërmjetësinë e
Marisë, nënës së Krishtit e të Kishës, Nënës së Këshillit të mirë, pajtores së Shqipërisë.
T'ia besojmë me ndërmjetësinë e të lumit Gjon Pali II, që sot, njëzet vjet pas udhëtimit
apostolik në Shqipëri, pa dyshim e shikon këtë tokë nga lart e na bekon të gjithëve.