25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton Shkodrën dhe Tiranën: gjatë vizitës
i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës. “Përshëndetjen
e parë ia drejton mbarë popullit Shqiptar (në aeroport, 25 prill 1993). Historik,
Predku në Katedralen e Shkodrës (25 prill 1993), në të cilin nënvizoi me forcë: “Kjo
është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së
bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë
Kishën….. E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit… përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu,
para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj
e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet
të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua
dymijë vjet më parë. Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë
disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar
një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar,
për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme…
të paparë në rrjedhën e historisë… Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk
duhet harruar!”. Në përfundim të vizitës: përshëndetja drejtuar
mbarë popullit shqiptar nga Sheshi i Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, para largimit
nga Shqipëria. Ja disa nga fjalët-testament të Gjon Palit II: “Ajo që ndodhi
në Shqipëri, të dashur Vëllezër e Motra, nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit….
Ju sot e fituat lirinë në një mënyrë krejt të veçantë, pa derdhur gjak. U ngjitët
lart mrekullisht, nga një greminë tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se po shuhej çdo
shkëndijë besimi, zbardhi agimi i lirisë. Rilindi jeta. U ringjall guximi, u ndez
përsëri drita e shpresës. Kjo liri besimi fetar, të cilën ju më në fund
po e shijoni, është dhuratë e çmuar e Zotit, e jo vetëm për ata që kanë hirin e fesë.
U përket të gjithëve, sepse liria fetare është themeli i garancisë për çdo shprehje
të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të shenjtë dhe të paprekshëm,
që është ndërgjegjia, ku njeriu takohet me Krijuesin dhe fiton vetëdijen e plotë të
dinjitetin të vet. Nga një liri e tillë… nuk ka përse të trembet askush. Besimi
i çiltër në të vërtetë, nuk i përçan njerëzit; përkundrazi, i bashkon, me gjithë larmitë
e tyre. Feja na mëson se kemi një Krijues të përbashkët. E atëherë që të gjithë jemi
vëllezër. Kështu feja mbetet Kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe jep kontribut
vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare e shpëton njeriun nga
ngacmimet e intolerancës dhe të sektarizmit, duke i krijuar kushtet për dialog konstruktiv,
mbi bazën e respektit reciprok. Popull Shqiptar, më pëlqen të kujtoj në
këtë çast shembullin tënd të bashkëjtesës fetare ndërmjet tri bashkësive, që e respektojnë
reciprokisht njëra tjetrën. Vijojeni ecjen në këtë rrugë, Vëllezër e Motra të dashura!
Do të bëheni, kështu, shembull solidariteti e bashkëjetese paqësore jo vetëm për Atdheun
tuaj, por dhe për gjithë zonën e shumëvuajtur të Ballkanit. Kështu, ju mund të siguroni
bashkimin kombëtar, të urtë dhe të qëndrueshëm”.Të mërkurën e parë, pas shtegtimit
në Shqipëri, Gjon Pali II i kushtoi mbresave të vizitës baritore audiencën e përgjithshme
në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan (28 prill 1993).