2013-04-25 15:52:46

Fjala e kardinalit Stanislau Xhivish me rastin e marrjes së doktoraturës Honoris Causa në Universitetin e Tiranës


Shkëlqesi
Zotërinj të nderuar
Anëtarë të Senatit, Profesorë të nderuar, të dashur studentë,
Zonja dhe Zotërinj!

1. Me gëzim të madh dhe mirënjohje marr sot titullin honoris causa nga Universiteti i Tiranës. Falenderoj Rektorin dhe Autoritetet e Universitetit të cilët më atribuan një titull që kaq shumë më nderon. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm që titulli i cili më atribuohet sot i detyrohet para së gjithash Atit të Shenjtë Gjon Pali II. Këtë bindje ma forcon fakti që dita e kësaj mbledhjeje akademike solemne nuk është zgjedhur rastësisht. Pikërisht sot, siç e dimë është 20 vjetori i vizitës së Papës së Lumë në Shqipëri, në vendin tuaj fisnik, një vizitë e shkurtër, por mjaft intensive dhe domethënëse!
Nuk do ta harroj kurrë atë ditë – 25 Prill 1993 – edhe pse ruaj në zemër shumë kujtime nga shërbimi im i gjatë pranë Kardinalit Metropolitan të Krakovës, Karol Wojtyla, dhe më pas pranë Ipeshkëvit të Romës Gjon Pali II, i cili më 16 tetor 1978 u bë pasardhësi i Apostullit Pjetër. Për gati 40 vjet kam qenë dëshmitar i çdo dite të jetës dhe punës, të takimeve të panumërta, të lutjes dhe vuajtjes së këtij njeriu, udhëheqës i madh shpirtëror jo vetëm i Kishës Katolike, por edhe e mbarë botës. E kam shoqëruar në 104 udhëtime në qytete të ndryshme të Italisë dhe në 317 vizita në famullitë e Romës. Kam parë prej afër formimin e dokumentave të mësimeve papnore të Gjon Palit të II: 14 enciklika, 15 thirrje apostolike, 11 kushtetuta apostolike, 45 letra apostolike etj... dy Kodikëve të së Drejtës Kanonike (për Kishën Latine dhe për Kishat e Lindjes) dhe përveç gjithë këtyre, kam qenë i pranishëm në shumë omeli, katekizma, ligjërata.
E gjithë kjo përbën një trashëgimi të madhe shpirtërore dhe intelektuale, jo vetëm të Kishës Katolike. Jam i bindur që edhe gjenerarat e ardhshme do të huazojnë shumë nga kjo trashëgimi. Në të përfshihet një vizion i realitetit – vizioni i Hyjit, i botës dhe njeriut, vizion i cili mund të ndihmojë në kërkimin e përgjigjeve dhe në përballjen e sfidave përpara të cilave gjendemi e do të gjendemi në botën e cila po ndryshon para syve tanë.
2. Meqënëse tradita universitare parashikon që një doktor i rishtë honoris causa të mbajë një konferencë e cila quhet lectio magistralis , do të doja të bashkëndaja disa refleksione të lidhura me pontifikatin e Gjon Palit të II. Dëshiroj të tërheq vemendjen mbi kontributin e padisktutueshëm të tij në rrëzimin e sistemit totalitar komunist në Europë, regjim i cili për dhjetra vite ka shtypur vendet në këtë anën tonë të botës. Po mendoj veçanërisht për Shqipërinë e Poloninë.
Gjon Pali i II duke u bërë Papë solli me vete në mënyrë të natyrshme eksperiencën e tij polake. E kishin formuar kultura dhe historia polake, thellësisht të lidhura me kulturën dhe traditën e krishterë. Polonia e kishte marrë pagëzimin më shumë se 1000 vjet më parë, në vitin 966. Papa i vinte gjithnjë në dukje rrënjët e ti polake pasi ishte i bindur se një person me identitet qartësisht të përcaktuar mundet pa asnjë vështirësi të zgjerojë kufijtë e zemrës së tij, ti hapet pasurisë së kulturave të tjera, traditave dhe vendeve të tjera. Në rastin e një Pape, kulturat, traditat dhe kombet kanë të drejtën të gjejnë vend në zemrën e tij.
Papa Gjon Pali II përveç eksperiencës polake, kishte dhe eksperiencën personale nga dy regjime totalitare të shekullit të 20-të. Gjatë luftës së dytë Botërore kishte eksperimentuar atë çka ishte ideologjia e nacional – socializmit. Simbol i kësaj ideologjie ishte bërë kampi i përqëndrimit Auschwitz-Birkenau, ndërtuar jo larg Wadowicës – vendlindja e Papës së ardhshëm Në këtë kamp kishin vrarë më shumë se 1 milion qënie njerëzore nga shumë vende të Europës, veçanërisht Cifutë dhe Polakë.
Karol Wojtyla kishte eksperimentuar edhe atë ç’ka ishte sistemi komunist i imponuar Polonisë, Shqipërisë dhe vendeve të Europës Qëndrore Lindore. Papa i ardhshëm për më shumë se 30 vjet përgjatë jetës së tij në moshë madhore ishtë përballur me këtë sistem, në cilësinë e bariut – si famullitar dhe ipeshkëv. Mbështeste idenë se ideologjia marksiste ishte e dëmshme pasi përmbante në vetvete një ”gabim antropologjik”. Ajo ndërtonte një vizion të botës dhe të njeriut pa asnjë bazë, burim dhe rrënjë. Pa asnjë shpresë. Ideologjia komuniste ndante në mënyrë antagoniste shoqërinë në klasa të huaja mes tyre. E ashtuquajtura dikaturë e proletariatit në realitet tregonte një diktaturë të drejtpërdrejtë kundër njeriut, edhe kundër njeriut të varfër. Fraza ”proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni” ishte një sllogan i thjeshtë, pasi- siç e kemi vënë re edhe ne vetë në Poloni dhe Shqipëri – regjimi komunist nuk ka ndërtuar komunitet njerëzor. Sistemi i këpuste lidhjet mes njerëzve, krijonte antagonizma, shkatërronte, izolonte. Për këtë Gjon Pali II nuk pranoi kurrë që e ardhmja e botës mund të varej nga marksizmi, pasi e dinte nga eksperienca personale që ”një ilaç” i këtij lloji ishte akoma më i keq se sëmundja e një kapitalizmi të egër.
Vetë zgjedhja Papë e Karol Wojtylës në vitin 1978 qe një sfidë e madhe për sistemin komunist. Në Poloni zgjedhja e tij qe një tronditje e vërtetë. Nga njëra anë krijoi një shpresë të madhe në vend dhe nga ana tjetër minoi sistemin politik. Kjo u bë e qartë gati një vit më pas, gjatë udhëtimit të parë, vizitës së parë të Gjon Palit të II në vendlindjen e tij, në qershor të vitit 1979. Fjalët e shqiptuara në atë kohë përbënin një sfidë që i bëhej gjithë sistemit komunist. Papa fliste në emër të të gjithë atyre të cilëve u kishin hequr të drejtën e fjalës. Një vit më pas lindi në Poloni ”Solidarnosh” sindikata e parë e lirë e vendeve komuniste. Edhe pse u desh të pritej akoma edhe 9 vjet, më në fund sistemi komunist u përmbys në Poloni në vitin 1989 dhe më pas edhe në vendet e tjera përfshirë Shqipërinë. Ja vlen vërtet ta kujtojmë këtë skenar.
3. Në fjalimin që mbajti para trupit diplomatik më 13 maj 1990, Gjon Pali II i përmblodhi në këtë mënyrë ngjarjet e vitit 1989: “Varshavë, Moskë, Budapest, Berlin, Pragë, Sofie, Bukuresht, për të përmendur vetëm kryeqytetet, janë kthyer praktikisht në etapa të një shtegtimi të gjatë drejt lirisë. Duhet ti bëjmë homazh popujve të cilët duke paguar çmimin e sakrificave të panumërta, kanë ndërmarrë me guxim këtë shtegtim. Po ashtu dhe përgjegjësve politikë të cilët e kanë favorizuar këtë. Ajo ç’ka është më e admirueshme në ngjarjet, dëshmitarë të të cilave kemi qenë ne vetë, është se popuj të tërë kanë marrë fjalën: gra, të rinj, burra kanë mposhtur frikën. Qënia njerëzore shfaqi burime të pashterrshme dinjiteti, guximi dhe lirije të cilat i ruante brenda shpirtit të tij. Në vende në të cilat partia për vite me radhë ka diktuar të vërtetën tek e cila duhej besuar dhe domethënien që duhej ti jepej historisë, këta vëllezër kanë vërtetuar se nuk është e mundur të mbyten liritë themelore që i japin një qëllim jetës së njeriut: liria e mendimit, ndërgjegjes, fesë, liria e shprehjes, e pluralizmit politik e kulturor”.
Disa vite më vonë erdhi radha e Tiranës dhe e Shqipërisë. Eksperienca e vendit tuaj ka qenë më e vështira mes gjithë vendeve që i ishin nënshtruar regjimit komunist çnjerëzor dhe pa Zot. Gjatë gjithë kësaj kohe keni qenë në lutjet e përditshme dhe në zemrën e Gjon Palit të II. Në Vatikan kemi pritur me shpresë në zemër që edhe për ju, pas rënies së regjimeve totalitare të Europës Qëndrore e Lindore, të ndriçonte agimi i lirisë dhe shpresës. Dhe ia arritëm. Për Gjon Palin e II ishte kthyer në prioritet një vizitë sa më shpejt të ishte e mundur në vendin tuaj. Bëhej fjalë për një hov shpirtëror të zemrës së tij. Ai e dinte se ç’ishte komunizmi. Ishte në dijeni që ju kishit vuajtur më shumë se çdo komb tjetër.
Këto ditë ndërsa po përgatitesha për një vizitë tjetër në vendin tuaj, i rilexova fjalimet e Gjon Palit të II, mbajtur në tokën shqiptare 20 vjet më parë, më 25 prill. Ato përbëjnë një provë rileximi e kuptimi të eksperiencës së vështirë të kombit shqiptar në këndvështrimin e besimit dhe shpresës. Më lejoni të kujtoj fjalët e Atit të Shenjtë nga mesazhi drejtuar Kombit Shqiptar, të shprehura pikërisht këtu në Tiranë. Fillimisht ju kujtoi ju dhe botës mbarë rrugën tuaj të kryqit:
“Rruga e Kryqit e popullit tuaj ka qenë një tragjedi e vërtetë tronditëse nën ashpërsinë e shtypjes komuniste. Në fakt ishte i tmerrshëm imazhi i jetës njerëzore në regjimet totalitare siç edhe ai që ju keni njohur, e në të cilin privohej njeriu nga një prej të drejtave të tij më thelbësore: liria e gjykimit të tij dhe e veprimit të tij; liria e ndërgjegjes. Privim, pra fjala që jo rrallë ka marrë karakterin e një shëmtije të papërshkruar” (n.2).
Por arriti dhe dita e lirisë e shumëpritur prej kohësh. “Ju - tha Papa – keni rifituar lirinë praktikisht jo me gjakderdhje. Keni dalë në sipërfaqe gati mrekullisht nga një hon tiranie dhe vdekjeje. Kur dukej se tashmë po shuhej çdo motiv i arsyeshëm besimi, ja lindi agimi i çlirimit. U ringjall guximi i të egzistuarit, u ndez përsëri drita e shpresës”.
Më pas Gjon Pali II tha fjalë të rëndësishme, gati një himn për lirinë fetare: “ liria fetare (....) nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Hyjit për të gjithë ata që kanë hirin e besimit: është një dhuratë për të gjithë, pasi është garanci thelbësore e çdo shprehje tjetër lirie. Ajo prek njeriun në brendësinë e tij, në në atë tempull të paprekshëm që është ndërgjegja, aty ku qënia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton një vetëdije të plotë të dinjitetit të tij. Nga kjo liri kur ajo përdoret në mënyrë korrekte, nuk mund të kihet frikë prej asnjë pështjellimi social. Besimi i sinqertë, në fakt nuk i ndan njerëzit por i bashkon, edhe në atë çka kanë të ndryshme. Asgjë nuk na kujton siç na kujton besimi që nëse kemi një Krijues të vetëm atëherë jemi të gjithë vëllezër! Liria fetare është kështu një flamur kundër totalitarizmave dhe një kontribut vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare i largohet orvatjeve të intolerancës dhe sektarizmit, dhe promovon qëndrime për një dialog konstruktiv dhe të respektueshëm.” (n.3)
4. Sot mund të themi se vizita e Gjon Palit të II në Shqipërinë e lirë ishte në njëfarë mënyre realizimi i fjalëve që kishte formuluar më 22 tetor 1978, ditën e inaugurimit të pontifikatit të tij, i cili u shpalos i gjatë dhe i jashtëzakonshëm. Atëherë i lëshoi thirrje gjithë turmës së mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, por praktikisht i drejtoi thirrje gjithë botës, edhe asaj pjese që atëherë ishte e mbyllur pas një perdeje të hekurt, siç ishte Shqipëria dhe vendet e tjera:. “Mos kini frikë!, Hapini, hapjani krejtësisht dyert Krishtit! Hapjani pushtetit të Tij Shpëtimtar kufijtë e Shteteve, si sistemet ekonomike ashtu dhe ato politike, hapësirat e gjëra të kulturës, qytetërimit, zhvillimit. Mos kini frikë! Krishti e di se çfarë ndryhet brenda njeriut. Vetëm Ai e di!....(....) Lejojeni Krishtin ti flasë njeriut. Vetëm Ai ka fjalë për jetën, po, për jetën e amshuar (omelia n. 5).
Këtyre fjalëve të Gjon Palit të II iu referua Ati i Shenjtë Benedikti XVI dy vite më parë, gjatë ceremonisë së lumturimit të paraardhësit të tij. Atëherë tha këto fjalë: “Atë çfarë Papa i sapozgjedhur i kërkonte të gjithëve, e ka bërë ai vetë i pari: ia hapi shoqërinë, kulturën, sistemet politike dhe ekonomike Krishtit, duke ndryshuar, përmbysur me forcën e një gjiganti – forcë që i vinte nga Hyji – një tendencë e cila mund të dukej e pakthyeshme. Me dëshminë e besimit të tij, të dashurisë dhe të guximit apostolik, shoqëruar nga një ndjenjë e madhe njerëzore, ky bir i jashtëzakonshëm i kombit polak i ndihmoi të krishterët e të gjithë botës të mos kenë frikë të deklarohen të krishterë, se i përkasin Kishës, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë – tha bebedikti i XVI – na ndihmoi të mos kemi frikë nga e vërteta, pasi e vërteta është garancia e lirisë” (omelia 1 V 2011).
5. Meqënëse gjendemi në një Universitet, duhet të kujtojmë se Gjon Pali i II ishte një njeri i shkencës dhe kulturës. Personalisht vetë ka qenë profesor dhe autor i shumë librave dhe artikujve. Takohej me shumë kënaqësi me persona nga ambiente akademike. Ishin ambienti i tij dhe në këtë kuadër e ndjente veten shumë mirë. Në këto ambiente ishte shprehur edhe mbi çështje thelbësore. Ja se çfarë ka thënë ndër të tjera për prirjen e universitetit:
“Prirja e çdo universiteti është ti shërbejë së vërtetës: ta zbulojë dhe t’ia transmetojë të tjerëve...(...) Njeriu ka ndërgjegjësimin e gjallë të faktit se e vërteta është përtej dhe “përmbi” vetveten. Njeriu nuk e krijon të vërtetën, ajo vetë zbulohet para tij, kur ai e kërkon me këmbëngulje. Njohja e së vërtetës gjeneron haré shpirtërore (gaudium veritatis) unike në llojin e vet. Cili nga ju – i tha Papa profesorëve – nuk ka përjetuar në masë më të vogël apo më të madhe, një çast të tillë përgjatë punës së tij kërkimore?..(...) Në këtë eksperiencë gëzimi të njohjes së të vërtetës mund të vërehet edhe një konfirmim i thirrjes transhendentale të njeriut, madje e hapjes së tij kundrejt pafundmes” (Krakovia . 1997, n. 4).
Papa i kujtoi njerëzve të shkencës se bota ka nevojë për ta. Ja çfarë i tha : njeriu i sotëm ka nevojë për kuriozitetin tuaj shkencor, për mprehtësinë tuaj në formulimin e pyetjeve dhe në ndershmërinë tuaj në kërkimin e përgjigjeve. Ka nevojë për atë trashendencë e cila është karakteristike e vetë Universitetit. Kërkimi i së vërtetës, edhe kur i përket një realiteti të kufizuar të botës dhe njeriut, nuk mbaron kurrë, shtyn gjithnjë drejt diçkaje që ndodhet përmbi ose përtej objektit imediat të studimeve, drejt pikëpyetjeve që çkyçin hyrjen e Misterit. Sa e rëndësishme është që mendimi njerëzor të mos mbyllet kundrejt realitetit të Misterit, që njeriut të mos i mungojë ndjeshmëria kundrejt Misterit, të mos i mungojë kurajo për të zbritur në thellësitë!” (ibidem).
Papa i kuptonte njerëzit e shkencës. Ishte solidar me ta, pasi ishte njëri prej tyre. Në të njejtën kohë i udhëhiqtë në thellësitë, hapte përpara tyre dimensionet e trashendencës. Pra nxirrte në dritë kuptimin, domethënien e fundit të kërkimeve shkencore, të kërkimit të së vërtetës dhe e bashkëndarjes së saj, veçanërisht me gjeneratat e të rinjve. Dhe është kjo arësyeja për të cilën rinia, veçanërisht ajo studentore ishte një prioritet për të. Personalisht ishte kapelan i studentëve, si i ri meshtar në Krakovë dhe më pas arqipeshkëv – ruajti gjithnjë me ta një kontakt të gjallë. Si Papë i dha jetë Ditëve Botërore të Rinisë të cilat përbëjnë një nga inisiativat më të mira të Kishës katolike.
6. Zonja dhe Zotërinj, ja këto ishin disa reflektime të cilat doja ti bashkëndaja me ju me rastin e mbledhjes së sotme. Ju falenderoj përsëri për këtë Titull honorifik që më atribuat. Duke marrë doktoraturën Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës, që sot bëhen edhe anëtar i shoqërisë suaj akademike dhe në njëfarë mase lidhem edhe më shumë me Tiranën dhe Shqipërinë. Jam i bindur se vlerat që i Lumi Gjon Pali i II njihte dhe shpaloste janë vlerat tona të përbashkëta. Le ti shërbejmë kauzës së madhe të njeriut, dinjitetit të tij dhe të ardhmes së tij. Njeriu – siç shkruante Gjon Pali II – është “rruga e Kishës, rruga e jetës së saj të përditshme dhe e eksperiencës së saj, e misionit dhe mundimeve të saj”) Redemptor hominis, 14). Njeriu është rruga jonë e përbashkët. Le të vazhdojmë në këtë rrugë me guxim dhe shpresë!.

Ju falenderoj për vëmendjen dhe durimin tuaj!

Kardinal Stanislaw Dziwisz
Arqipeshkëv Metropolit i Krakovit







All the contents on this site are copyrighted ©.