2013-04-25 15:33:57

Atë Lombardi: i vetmi shtegtim ndërkombëtar i Papës, për vitin 2013, në Brazil


Do të jetë Brazili, i vetmi vend, që Papa Françesku do të vizitojë gjatë një shtegtimi ndërkombëtar në vitin 2013. Deklaratën e bëri sot pasdite, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, në një takim me gazetarët e Shtypit të Huaj në Romë.
“Ju ftoj të mos prisni udhëtime të tjera jashtë vendit për këtë vit”, u tha atë Lombardi. Pra, Papa Françesku do të shkojë në Rio-de-Zhanejro, me rastin e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, në program nga 23 deri më 28 korrik, me moton “Shkoni e beni dishepujt të mi të gjithë popujt!” (Mt 28,19). Ndërkaq, Ati i Shenjtë ka mundësi të shkojë në Asizi, pra, në një udhëtim brenda Italisë.
Njëkohësisht, zëdhënësi i Vatikanit nuk përjashtoi mundësinë e botimit të Enciklikës së parë të Papës Bergolio, brenda këtij viti. Atë Lombardi sqaroi edhe se Papa i nderit, Benedikti XVI, i cili aktualisht banon në Kastelgandolfo, do të transferohet në Manastirin “Mater Ecclesiae” në Vatikan, në ditët e fundit të prillit e të fillimit të majit. Papa Françesku do të vazhdojë të qëndrojë në Shtëpinë e Shën Martës, nga ku, tani për tani, nuk ka ndërmend të largohet, megjithëse vendimi nuk është përfundimtar.
Gjatë ditëve të kaluara, Alberto Gasbarri, përgjegjës për udhëtimet ndërkombëtare papnore, shkoi në Rio-de-Zhanejro për të përcaktuar detajet e vizitës së Atit të Shenjtë. Programi do të ndjekë dëshirën e Papës, sqaroi ai, duke kujtuar se Horhe Mario Bergolio do të marrë pjesë në ceremoninë e mirëseardhjes, në Udhën e Kryqit, në Lutjen e Mbrëmjes e në Meshën përfundimtare të Ditës Botërore të Rinisë, e cila do të kremtohet të dielën, më 28 korrik, në Campus Fidei të Guaratibës.








All the contents on this site are copyrighted ©.