2013-04-23 14:49:00

Kardinali Marks: Kisha universale, më afër Papës


Gjatë ditëve të kaluara, Papa Françesku, duke përfituar nga një sugjerim, dalë në mbledhjet para Konklavit, formoi një grup kardinajsh, të cilët do ta këshillojnë në qeverisjen e Kishës universale. Gjithashtu, ata kanë për detyrë të studiojnë një plan për rishikimin e Kuries Romake. Në këtë grup, bën pjesë edhe kardinali Rajnhard Marks, kryeipeshkëv i Mynihut. E pyetëm, nëse u çudit ndopak nga vendimi i Atit të Shenjtë. Ta dëgjojmë:
Në thelb, nuk u çudita aspak, sepse idenë e patëm dëgjuar edhe para Konklavit e unë vetë pata thënë se do të ishte e nevojshme të kishim këshilltarë nga Kishat lokale e se do të ishte dashur të reflektonim sërish mbi këtë pikë. Natyrisht, nuk më habiti fakti se flitet për reformën e Kuries, por që kjo të kishte të bënte me mua vetë e që të ndodhte kaq shpejt, këtë po, nuk e prisja dhe aq.
Çfarë e shtyu Papën t’ju emëronte? Pati rëndësi fakti që ju jeni edhe kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (COMECE)?
Duhet pyetur Papa për këtë. Por duket qartë synimi për ta bërë të pranishme gjithë botën, kontinentet e ndryshme e edhe përfaqësuesit e organizatave të ndryshme kishtare. Gjithsesi, Ati i Shenjtë nuk i është referuar ngushtësisht konferencave ipeshkvnore, apo kryetarëve të tyre. Papa është i lirë dhe vendos lirisht. Ka mundësi që roli im në kuadrin e COMECE-s të ketë ndikuar, por ekzistojnë edhe aspekte të tjera. Janë thirrur edhe ipeshkvij të dioqezave të mëdha, që sigurisht, kanë përvojë administrimi. Ky është pa dyshim njëri nga elementet: përfaqësimi i shumëllojshmërisë së Kishave lokale e të kontinenteve e përfshirja e ipeshkvijve që ndoshta, falë përgjegjësive të tyre baritore, kanë një farë përvoje.
Kardinajtë e këtij grupi vijnë nga të gjitha kontinentet. Kjo do të thotë se Kisha Universale bëhet këshilltare e Papës, apo jo?
Besoj se po. Patëm disi përshtypjen – unë madje, edhe fola me ndokënd – se, pas Konklavit, duke u kthyer nëpër dioqezat tona, e lamë Papën vetëm. Sigurisht, “vetëm” nuk është term i saktë, sepse Ati i Shenjtë ka shumë bashkëpunëtore e bashkëpunëtorë, që e këshillojnë dhe e ndihmojnë. Por thosha me vete: jemi kardinaj, e zgjodhëm, e tani, duhet të jemi gati ta ndihmojmë. Por, as që më shkoi ndërmend se kjo do të bëhej pastaj konkretisht. Gjithsesi, kjo është e natyrshme kur je kardinal e merr pjesë në Konklav: pra, duhet të jesh gati për ta ndihmuar Papën e për të qenë këshilltar i tij, nëse ai e dëshiron këtë. Fakti që më zgjodhi, më nderon, por është edhe shenjë, që tregon se Papa dëshiron që ky grup të jetë universal. Për mendimin tim, kjo është shenjë pozitive.
Në grup bëjnë pjesë tetë kardinaj. A e njihni mirë njëri-tjetrin?
Jo të gjithë njëlloj. Njoh kardinalin e Kinshasës, prej kohësh. Të tjerët, i njoha gjatë Konklavit. Njoh kardinalin Rodrigez Maradiaga, pas shumë takimeve në kuadrin e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen. Po, e njohim njëri-tjetrin, por në nivele të ndryshme. Nuk jemi ndonjë rreth, që takohet e është në kontakt prej kohësh. Falë Konklavit, mendoj se jemi takuar në një mënyrë të re.
Më 1 tetorin e këtij viti, do të mbahet takimi i parë i grupit, por ç’do të ndodhë para kësaj date?
Në fakt, po pres, nuk kam informacione të tjera. Duhet sigurisht, të reflektojmë, ta mendojmë projektin më hollësisht, por akoma nuk është bërë asgjë. Në këtë çast, Papa i tha gjithë Kishës: dëshiroj të kem këshilltarë e dëshiroj të reformohet Kuria dhe uroj që në këtë proces, të përfshihet gjithë Kisha universale. Në këtë mënyrë, edhe marrëdhëniet ndërmjet Kuries së Romës e Kishave lokale shihen në mënyrë të re. E konsideroj sinjal, por akoma nuk kam menduar për hapat e mëtejshme.
Cilat janë përshtypjet tuaja për këtë Papë, pak më shumë se një muaj pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit?
Jam gjithnjë e më i bindur se është Zoti, që na e ka dhuruar këtë Papë. Pas zgjedhjes së tij, ndoshta u habitëm edhe në vetë për gjithçka përjetuam gjatë dy ditëve të Konklavit. Pastaj pyetëm veten ç’do të ndodhte më pas. Por ishim të gjithë të bindur se Shpirti i Shenjtë e kishte dhënë sinjalin e vet. Tani, pas javëve të para të papnisë së Françeskut, mund të them se është vërtet kështu. Të gjithë e ndjejmë në të njëjtën mënyrë, edhe në famulli ka shumë optimizëm, pritet shumë – nganjëherë madje, pak si tepër, sepse një Papë nuk mund ta ribëjë Kishën nga fillimi – por gjithsesi, ekziston kudo një atmosferë pozitive e kjo, natyrisht, na mbush me gëzim.







All the contents on this site are copyrighted ©.