Më 22 prill kalendari kujton shën Leonidën, atin e Origjenit
Duke shfletuar kalendarin, sot më 22 prill Kisha përkujton Shën Leonidën, atin
e Origjenit. Edikti i Septim Severit, siç thotë Klementi i Aleksandrisë, shkaktoi
një persekutim të ashpër kundër të krishterëve duke e mbushur Egjiptin me martirë:
ndër ta Euzebi përmend Leonidën të cilit iu pre koka në vitin 204, duke lënë jetimë
shtatë fëmijë, më i madhe prej tyre ishte pikërisht Origjeni, që në atë kohë ishte
17 vjeçar. Me origjinë nga Greqia, Leonida qe mësues i retorikës në Aleksandri
të Egjipitit e edukator e mësues i shkëlqyeshëm i shtatë fëmijëve, të cilëve mes tjerash
u mësoi Shkrimet e Shenjta të Biblës e letërsinë. E gjatë persekutimit të të krishterëve,
Leonida qe thirrur para autoriteteve, e ai pranoi pa iu dridhur zëri se ishte besimtar
i krishterë. I vunë menjëherë prangat. Ndërsa ishte në burg, siç njofton Euzebi që
ka ruajtur një fragment, Leonida mori një letër nga i biri 17 vjeçar, i cili e nxiste
t’i qëndronte besnik Krishtit Zot, edhe nëse do t’i duhej të paguante me kokë dëshminë
e fesë. E pak kohë më pas, Leonida me buzë në gaz, do ta shtrinte kokën nën tehun
e shpatës, duke fituar kështu kurorën e lumnisë së amshuar.