2013-04-21 16:41:59

Papa shuguron 10 priftërinj të rinj, duke i ftuar: të jeni të mëshirshëm, barinj e jo funksionarë.


“Të jeni të mëshirshëm, barinj e jo funksionarë”: është kjo ftesa, që Papa Françesku u drejtoi sot paradite 10 meshtarëve të rinj të dioqezës së Romës, të cilët i shuguroi në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, në Ditën e 50-të botërore të lutjes për thirrjet meshtarake. Hera e parë që ipeshkvi i ri i Romës kremton ritin e shugurimit meshtarak. Para Meshës, Ati i Shenjtë shkoi në sakresti për t’u lutur së bashku me të rinjtë, në pritje të shugurimit dhe për t’ua besuar Zojës së Bekuar. Kështu e kishte zakon të bënte dhe në Buénos Ájres, kur shuguronte meshtarë. Kremtuan, me Papën, kardinali mëkëmbës, Agostino Valini e, ndërmjet të tjerëve, ipeshkvijtë ndihmës të dioqezës së Romës. Homelia e Papës ishte rituale, e parashikuar në botimin italian të Pontifikalit Romak lidhur me shugurimin e meshtarëve. Këtë tekst Papa e pasuroi me disa shtesa, në përkim me bukurinë e çastit kremtor.

Vënia e duarve mbi kokë, riveshja me stolë e kazulë, përqafimi i paqes! Gjeste të thjeshta e, megjithatë, të jashtëzakonshme, sepse shenjë, që tregon se Zoti e do popullin e vet e vijon të zgjedhë njerëz, për ta ndjekur në misionin e tij si Mësues, Meshtar e Bari. Është gjithnjë kremtim plot gëzim e emocion të sinqertë, ky që jetohet në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Ditën kushtuar thirrjeve për jetë meshtarake e rregulltare. E ishte kështu edhe sot për dhjetë meshtarët e rinj, për familjarët e tyre e për miqtë, që i shoqëruan drejt shugurimit. E jo më i paktë, edhe emocioni i Bariut, Papës Françesku që, për herë të parë, shuguronte meshtarë të rinj për dioqezën e vet, Romën:
“A më premton, mua e pasardhësve të mi, respekt bijnor e dëgjesë?” “Po, të premtoj!”. “Hyji, që e nisi në ty veprën e vet, e plotësoftë deri në fund” .
“T’i shërbesh Zotit e Popullit Shenjt të Hyjit, përgjithmonë”. Në homeli, më shumë duke folur lirisht, sesa duke iu përmbajtur tekstit, Papa Françesku u tregoi meshtarëve në prag të shugurimit, cila është zemra e misionit të ri. Është Zoti Jezus, nënvizoi, që ju zgjodhi të bashkëpunoni për ndërtimin e Korpit të Krishtit:
“Dhurojani të gjithëve këtë Fjalë të Hyjit, që ju vetë e morët me gëzim. Kujtoni nënat tuaja, gjyshet tuaja, katekistët tuaj, që ju dhanë Fjalën e Zotit, fenë, dhuratën e fesë! Jua transmetuan këtë dhuratë të fesë”.
E më pas, ftesa për ta lexuar e për ta medituar vazhdimisht Fjalën e Zotit, për ta besuar atë, që u lexua; për ta mësuar e për ta jetuar vërtetësisht, atë që na mëson:
Kujtoni edhe se Fjala e Zotit nuk është prona juaj: është Fjala e Zotit. E Kisha është rojtare e Fjalës së Zotit”.
“Vlerësojeni, prandaj, atë që bëni”, i nxiti Papa, e shtoi “imitojeni, çka kremtoni”, duke marrë pjesë në ministerin e vdekjes e të Ngjalljes së Zotit. Ati i Shenjtë ripohoi, kështu, rëndësinë e sakramenteve e, në veçanti, të Sakramentit të Pendesës e të Pajtimit me Zotin:
“Sot ju kërkoj, në emër të Krishtit e të Kishës: ju lutem, jini gjithnjë të mëshirshëm. Me vajin e shenjtë do t’u sillni lehtësim të sëmurëve e pleqve: mos kini turp t’i trajtoni dhembshurisht të moshuarit”.
Në përfundim, nxitja drejtuar meshtarëve të rinj për ta ushtruar misionin meshtarak me gëzim e dashuri të krishterë, duke u përpjekur t’i pëlqejnë Zotit, e jo vetvetes:
“Jeni barinj, jo funksionarë. Jeni ndërmjetës, e jo sekserë. Ta keni gjithnjë parasysh shembullin e Bariut të Mirë, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të shpëtuar çka ishte e humbur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.