2013-04-21 16:41:08

Ati i Shenjtë Françesku në lutjen Mbretëreshës Qiellore: Rinia duhet vënë në lojë për ideale të mëdha!


Besim të plotë, bashkim të ngushtë, mirëkuptim të thellë: janë shprehjet, që përdori Papa Françesku, duke folur për lidhjen miqësore që mund të kemi me Jezusin, duke dëgjuar zërin e Tij. Përdori figurën e bariut me dele, nësa kujtonte Ungjillin e sotëm të Shën Gjonit. E kujtoi edhe Ditën botërore të thirrjeve për jetë meshtarake e rregulltare. Pastaj, shprehu shqetësimin për situatën në Venezuelë, u lut për kinezët e dëmtuar nga tërmeti dhe kujtoi don Nikolò Ruskën, shpallur sot i Lum:
“Jezusi dëshiron të krijojë me miqtë e tij një lidhje, e cila të pasqyrojë atë, që ka Ai vetë me Atin: lidhje përkatësie reciproke, në besim të plotë, në bashkim të thellë”.
Papa Françesku kujtoi fjalët e Jezusit nga Ungjilli i Shën Gjonit: “Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, e unë i njoh, e ato më ndjekin pas… askush nuk do të mund t’i shkëpusë nga duart e mia… askush nuk do të mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim”. E pohoi se në këto katër versete, përmblidhet i gjithë mesazhi ungjillor i Jezusit:
“Ai na thërret të marrim pjesë në lidhjen me Atin, e kjo është jeta e pasosur”.
U ndalua, më pas, tek misteri i zërit:
Është tejet e bukur kjo shembëlltyrë! Misteri i zërit është sugjestiv: që nga prehëri i nënës sonë, mësojmë ta njohim zërin e saj, e edhe zërin e babait; nga toni i një zëri, perceptojmë dashurinë, ose përbuzjen; ngrohtësinë, ose ftohtësinë. Zëri i Jezusit është i pashoq! Nëse mësohemi ta dallojmë, Ai na prin në udhën e jetës, udhë që e kapërcen edhe greminën e vdekjes”.
Papa Françesku foli për misterin e thellë, e aspak të lehtë, të aftësisë për të kuptuar:
“... nëse më tërheq Jezusi, nëse zëri i tij ma ngroh zemrën, ma ngroh falë Hyjit Atë, që më vuri në shpirt dëshirën për dashuri, për vërtetësi, për jetë, për bukuri... e Jezusi është e gjithë kjo, përsosurisht”.
Është Ai, që na ndihmon ta kuptojmë misterin e thirrjes, tha Papa, e shtoi: nganjëherë Jezusi na thërret, na fton ta ndjekim, por ndodh edhe që nuk kujtohemi se është Ai:
“A e keni dëgjuar ndonjëherë zërin e Zotit që, përmes ndonjë dëshire a ndonjë shqetësimi, ju ftonte ta ndiqnit më nga afër? A keni pasur dëshirë të jeni Apostujt e Jezusit? Jeni dakord? Pyete Jezusin ç’do nga ti e ji i guximshëm! Ji guximtar! Pyete! Rinia duhet vënë në lojë për ideale të larta. Pyete Jezusin ç’do nga ti e ji i guximshëm!”.
Thirrjet, tha Papa, lindin në lutje e nga lutja; e vetëm në lutje mund të bëhen të qëndrueshme e të sjellin fryt. Para e pas çdo thirrjeje për rrugën e meshtarisë ose të jetës rregulltare, është gjithnjë lutja e fortë, e thellë, e ndokujt: e gjyshes, e gjyshit, e nënës, e atit, e bashkësisë, kujtoi Papa:
“Më pëlqen ta nënvizoj sot, që është ‘Dita botërore e lutjes për thirrjet’. Të lutemi posaçërisht për meshtarët e rinj të Dioqezës së Romës, që pata gëzimin t’i shuguroj sot paradite… ishin 10 të rinj. I thanë ‘po’ Jezusit e u shuguruan priftërinj. E bukur, kjo!”.
E Papa, duke dëgjuar korin me emrin e tij, që lartohej nga Sheshi i Shën Pjetrit, kërkoi të mos brohoritej për të, por për Jezusin:
“Faleminderit shumë për përshëndetjen, por përshëndeteni edhe Jezusin. Bërtisni: “Jezus” fort…”.
Më pas, lutja drejtuar Virgjërës Mari, që të na ndihmojë ta njohim më mirë zërin e Jezusit e ta ndjekim, për të ecur në rrugën e jetës.

Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa u ndal tek ngjarjet e fundit në Venezuelë:
“I shoqëroj me shqetësim të madh, me lutje të thellë e me shpresë se do të kërkohen e do të gjinden rrugë të drejta e paqësore për t’i kapërcyer çastet e vështira, që po kalon vendi. Ftoj popullin e dashur venezuelan e në mënyrë të posaçme drejtuesit institucionalë e politikë, t’i kundërvihen vendosmërisht çdo tipi të dhunës e të rivendosin dialogun e bazuar mbi të vërtetën, njohjen e anasjelltë, kërkimin e së mirës së përbashkët e të dashurisë për kombin”.
Më pas, porosia:
U kërkoj besimtarëve të luten e të punojnë për pajtim e paqe. Të bashkohemi në një lutje plot shpresë për Venezuelën, duke e lëshuar në dorën e Zonjës së Koromotos”.
E akoma, një mendim për të dëmtuarit nga tërmeti në jug-perëndim të Kinës Kontinentale:
Të lutemi për viktimat e për të gjithë ata, që vuajnë për shkak të tërmetit të fortë”.
Papa kujtoi edhe lumnimin, në Sondrio, të don Nikolò Ruskës, prift italian valtelinez, që jetoi ndërmjet shekullit të16-të e të 17-të:
“Qe për një kohë të gjatë famullitar shembullor në Sondrio e u vra në luftërat politiko-fetare, që tronditën Evropën në ato kohë. Ta lumnojmë Zotin për dëshminë e tij”.
Nuk mungoi, në përfundim të lutjes, përshëndetja e përzemërt për të gjithë shtegtarët, ardhur nga vende të ndryshme: familje, grupe famullitare, shoqata, të posakrezmuar, nxënës shkollash. Posaçërisht të shumënumërt, të rinjtë e ardhur nga dioqeza e Venedikut. E këtu Papa u ndalua, duke u drejtuar përsëri të rinjve ftesën :
“Mos harroni, djem e vajza, jeta duhet vënë lojë për ideale të mëdha!”.
Ftesa e fundit, për Ditën e thirrjeve:
“Në këtë Ditë botërore të lutjes për thirrjet, lindur pesëdhjetë vjet më parë nga intuita fatlume e Papës Pali VI, i ftoj të gjithë për një lutje të posaçme, që Zoti të dërgojë punëtorë të shumtë në të korrat e tij. Shën Hanibal Maria i Francës, apostull i lutjes për thirrjet, na e kujton këtë impenjim të rëndësishëm. Të gjithëve ju uroj të diel të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.