2013-04-19 14:07:35

Të diel Françesku do të shugurojë dhjetë meshtarë të rinj.


Janë gjashtë italianë, një argjentinas e një kroat, dhjetë meshtarët, që do të shugurohen të diel nga Papa Françesku, gjatë Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit. Të gjashtët do të shërbejnë në dioqezën e Romës. U përgatitën në Seminarin e Madh Papnor (katër), në Kolegjin “Nëna e Shëlbuesit (katër) dhe në Seminarin e Zojës së Dashurisë Hyjnore (dy): më i moshuari është 44 vjeç, më i riu, 26. Ndërmjet tyre, një ndërlidhës në fushën marrëdhënieve publike, ish organizator festash, një ixhinier, një ish-mësues dhe djali i një prifti anglikan, kthyer në fenë katolike.

Dekani i grupit është don Gjuzepe Konforti, i Seminarit të Madh i cili, që prej dy vjetësh, shërben në famullinë e Shën Polikarpit. I lindur 44 vjet më parë, në Matera, erdhi në Romë në moshën 14 vjeçare: “Bëja pjesë në një grup ndërlidhës të Kishës argjentinase, në Sheshin e Buénos Ájres, tregon: “Një herë, madje, e pata shoqëruar kardinalin Bergolio deri në aeroport. Për të jetuar, punoja si ‘pr’(ndërlidhës publik) e organizoja festa. Më ka pëlqyer gjithnjë të merrem me lidhjet ndërmjet njerëzve e, edhe si prift, do të përpiqem t’i bëj të buzëqeshin”.
Bashkëpunon me famullinë e Shën Korbinjanos në Inferneto, don Gjuzepe Tavolaçi, 36 vjeç. “Për thirrjen time, tregon, ishte vendimtar një shtegtim në Lurdë, në vitin 2002, së bashku me Unitalsin”.
Pak më tutje, në famullinë e Shën Tomës Apostull në Inferneto, do të jetë zëvendës-famullitar 37 vjeçari salentinas, don Pieranxhelo Marxhota. “U diplomova në Shkenca Politike, në Bolonjë, pastaj shërbeva si mësues në provincën e Bergamos, por farën e thirrjes e kisha në shpirt – pohon - qe brenda meje, që kur isha i mitur”.
U lind në Argjentinë, don Alberto Daniel Lopez Pantano, 40 vjeç, prej dy vjetësh në famullinë e Shën Emerencianës, në rrugën Libia, ku dikur pati kryer misionin meshtarak një prift shqiptar, dom Injac Perolli. “Kam punuar inxhinier në Buénos Ájres, para se t’i përgjigjesha thirrjes së Zotit – shpjegon. – Ajo, që më lidh ngusht me Papën, është më shumë Krishti, sesa toka ku u linda”.
Vijnë nga India, dy diakonët, formuar pranë Seminarit të Dashurisë Hyjnore. Më i riu është don Sijo Kutikatil, 26 vjeç, i thirrur për rrugën meshtarake në mjedisin familjar. “Që kur isha i vogël – rrëfen - mblidheshim çdo mbrëmje në shtëpi, për t’u lutur, për të thënë Rruzaren Shenjte e për të lexuar së bashku Fjalën e Zotit”.
Histori tjetër, ajo e don Gnana Prakash Marlapatit, i datëlindjes 1973: “Im atë ishte pastor anglikan, pastaj u kthye në katolicizëm. Njihej si predikatar i madh e, falë predikimeve të tij, i gjithë fshati u kthye në fenë katolike”.
Ndërsa kroati Ivan Mladineo, 28 vjeç, i formuar në Kolegjin e Nënës së Shëlbuesit, do të jetë mëkëmbës i famullitarit në famullinë e Martirëve të Shenjtë të Ugandës. “Në familje jemi dhjetë vëllezër - nënvizon - kam një vëlla tjetër prift e dy motra karmelitane në Avila të Spanjës”.
Një nga Ditët Botërore të Rinisë, ajo e Torontos 2002, qe themelore për rrugën meshtarake të don Simon Gjovanelës: “U linda e u rrita në famullinë e Shën Maurit Abat; këtu hyra në udhën neokatekumenale e këtu po kryej edhe shërbimin baritor. Do të rri këtu edhe pas shugurimit, gjë që e shikoj si hir, të cilin nuk e prisja”.
Nga e njëjta bashkësi vjen edhe don Fabio Veluçi, edhe ai në Udhën neokatekumenale. Do ta kryejë misionin e tij baritor në famullinë e Shën Ireneut në Çentoçele. “Është realitet shumë i bukur – vëren - në të cilin mund të zbuloj çdo ditë gëzimin njeriut, që vihet në shërbim të të tjerëve”.
Edhe thirrja e don Paolo Marinelit, 38 vjeç, lindi në njërën nga Ditët Botërore të Rinisë, në atë të vitit 2000, në Tor Vergata: “Gjatë natës së lutjes në sheshin e madh para universitetit - tregon - i Lumi Gjon Pali II na u drejtua me fjalët: ‘Kush e ndjen sot thirrjen e Zotit, të mos e humbasë rastin’. E kështu vendosa të filloj udhën për realizimin e thirrjes”. Para se të hynte në Kolegjin e Nënës së Shëlbuesit , don Paolo punonte në një ndërmarrje shumëkombëshe luksi, por pastaj – shpjegon - duke lexuar Shkrimin Shenjt, u ndala tek një fragment, që më preku thellë në shpirt. Lexoja Librin e Fjalëve të Urta, ku shkruhet: ‘Dija është më e çmuar se margaritarët”. E unë vendosa të ec pikërisht në udhën e dijes, të urtisë ungjillore, më e çmuar se çdo gur tjetër, sado i kushtueshëm.
Famullia që iu besua, është ajo e Shën Ixhinit, Papë.







All the contents on this site are copyrighted ©.