Më 21 prill kalendari kujtoi shën Anselmin e Aostës
Më 21 prill kisha katolike përkujtoi Shën Anselmin e Aostës, ipeshkvë e dijetar
i Kishës. Shën Anselmi, i lindur rrëzë alpeve, në Aostë, në vitin 1033, në një familje
fisnike, është edukuar nga etërit Benediktinë, e kështu që në moshë të re pati dëshirë
të madhe t’i kushtohej jetës kundruese. I jati, Gandulfi, nuk e lejoi, sepse sipas
mendimit të asaj kohe, djali i parë duhet të ecte në gjurmët e babait e jo të bëhej
murg. Anselmi vuajti aq shumë për shkak të këtij kundërshtimi nga ana e babait, sa
që u sëmur rëndë, por i jati nuk e ndryshoi vendimin. Pasi u shërua, u duk sikur do
t’i bindej vullnetit atëror, sepse pak nga pak iu përshtat jetës së fisnikërisë, madje
Anselmi nisi të jepej pas qejfeve, që ia lejonte rangu i lartë i familjes. Por në
shpirtin e tij flaka e vjetër për një tjetër jetë, nuk ishte shuar,. Prandaj shumë
shpejt e braktisi strehën atërore, kapërceu qafën e Montekasinos dhe nisi të endej
nëpër Francë, derisa zuri vend në Bek të Normandisë, në abacinë e famshme, ku kishte
katedrën mësuesi i madh i teologjisë, murgu Lanfrank. Anselmi u zhyt në studim,
duke ecur besnikërish në gjurmët e mësuesit, të cilin e zëvendësoi në moshë ende tepër
të re, si abat, pra si udhëheqës i kuvendit e si mësues. Anselmi u shqua si predikatar
i Ungjillit e reformator i jetës murgare e, sidomos si teolog: përfaqëson kështu fillimet
e teologjisë skolastike. Shumë iu kundërvunë, për shkak të jetës së tij të ashpër
asketike, por duke qenë njeri tepër i butë e i ëmbël, Anselmi arriti gjithnjë të fitonte
dashurinë dhe nderimin e kundërshtarëve. Ishte gjeni në metafizikë e njeri me zemër
të dhimbshme: e pikërisht me zemër dhe me arsye Anselmi iu afrua mistereve të fesë
të krishterë. Shkroi mes tjerash: “Bëj, të lutë, o Zot, ta ndjej me zemër, atë që
prek me inteligjencë” dhe “besoj për të kuptuar, kuptoj për të besuar". Dy veprat
e tij më të njohura janë “Monologu” ose mënyra për të medituar mbi arsyet e fesë dhe
“Prosilogu”, ose feja që kërkon arsyen, në pritje të vegimit të lumturuar në amshim.
Veprat filozofike të Anslemit, ashtu si mendimet e tij mbi shëlbimin, vinin nga bashkëveprimi
i gjallë i ndjenjave me arsyen. Në këtë drejtim Anselmi, që konsiderohet Ati i skolastikës,
ishte shumë pranë Shën Agostinit. I lartuar në dinjitetin e primatit të Anglisë,
me seli në Kanterberi, murgut të butë të Bekut iu desh të përballonte armiqësinë e
Gulielmit të Kuq dhe të Henrikut I, të cilët e internuan. Atëherë Anselmi u nis për
në Romë, duke pritur të qetësoheshin ujërat. Në Romë shkoi jo vetëm për të kërkuar
njohjen e të drejtave të veta, por edhe për t’i zbutur dënimet që u ishin dhënë kundërshtarëve
të tij, duke larguar kështu rrezikun e skizmës, do të thotë ndarjes së Kishës. E kjo
sjellje i bëri të gjithë kundërshtarët e Anslemit t’i ulnin armët. Shën Anselmi vdiq
në Kanterberi më 21 prill 1109. Do të ishte pasardhësi i tij, shën Toma Becket, ai
që do të kërkonte kanonizimin e kryeipeshkvit, e një mbret, Jaku III, që do t’i paraqiste
kërkesën Papës për ta shpallur Dijetar të Kishës. E në vitin 1720 Papa Klementi XI
e deklaroi Shën Anselmin Dijetar të Kishës.