Atë Federiko Lombardi merr titullin “Komunikatori i vitit” nga Grupi Allianz
Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi mori titullin “Komunikator i vitit” nga
Grupi bankar Allianz, me degë në të gjithë botën. Në motivimet e këtij titulli, atë
Lombardi quhet “shembull i vërtetë racionaliteti dhe mendimi perspektiv, gjithnjë
në linjën e parë, me zemër të pastër e argumentime qetësuese. I aftë t’i përballojë
ndërlikimet me ironi, por kurrë me cektësi. Përfaqëson çelësin për interpretimin e
Selisë së Shenjtë, me kulturë e përvojë të madhe, por pa u bërë ai vetë protagonist.
Mjeshtër i deklaratave jo të bujshme, i aftë të zgjidhë tensionet me thjeshtësi e
duke dëgjuar, por njëkohësisht, me vendosmëri e kompetencë”. Çmimi i propozuar
nga komunikatorët e grupit, që merret me sigurime, iu dha atë Lombardit gjatë një
ceremonie të shkurtër, të enjten, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. I pranishëm, edhe
kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi. Atë Lombardi
ilustroi punën e Selisë së Shenjtë, e cila synon qarkullimin e një informacioni korrekt.
Më pas, u ndal në stilin komunikativ të Papës Françesku. “Është shumë i bukur – nënvizoi
– sepse sjell risi, është krijues e spontan”. Për ta ndjekur, përfundoi atë Lombardi,
duhet të rimendojmë mënyrën e punës dhe të shërbimit tonë.