2013-04-18 13:58:14

Papa Françesku: fe do të thotë të besosh në një Zot, që është Njeri, Vetje


Feja është dhuratë e fillon pas takimit me Jezusin, që është Njeri i vërtetë e jo ndonjë Zot, që u bie njerëzve mbi kokë me spërkatje, siç ndodh kur fëmijët luajnë me bombolat me gaz. Kështu tha Papa Françesku sot në mëngjes, gjatë homelisë së meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. I pranishëm, personeli i Inspektoriatit të Rendit Publik pranë Vatikanit.
Hyji, theksoi Papa, nuk është ndonjë esencë, që bie rreth nesh me spërkatje, pa ia ndjerë as aromën. Zoti është “Njeri” konkret, është Atë, prandaj feja në Të lind nga një takim i gjallë, të cilin e provojmë, e prekim me dorë. Pjesa e Ungjillit të Shën Gjonit, baza e reflektimit të Atit të Shenjtë, na tregon Jezusin, që i drejtohet turmës me fjalët “kush beson, ka jetën e pasosur”. Është një pjesë, që na nxit të rrëmojmë thellë në ndërgjegje, theksoi Papa Françesku. Sa herë njerëzit thonë se besojnë në Zotin, por në cilin Zot? Me këtë pyetje të drejtpërdrejtë, Papa vuri përballë njëra-tjetrës bindjet fluturake të disave me fenë e vërtetë e konkrete:
“Një ‘zot i stërpikur’, një ‘zot-spruco’, që gjendet gjithandej nga pak, nuk dihet ç’është. Ne besojmë në Zotin, që është Atë, është Bir, është Shpirt i Shenjtë. Ne besojmë në Vetje e, kur flasim me Hyjin, flasim me Vetje: ose flas me Atin, ose me Birin, ose me Shpirtin Shenjt. Kjo është feja”.
Në pjesën ungjillore, Jezusi pohon edhe se askush s’mund të arrijë tek Ai “nëse nuk e çon Ati”. Këto fjalë, tha Papa Bergolio, tregojnë se “të shkosh tek Jezusi, ta gjesh Jezusin, ta njohësh Jezusin, është dhuratë” e Zotit. Pastaj dha shembullin e funksionarit të mbretëreshës së Etiopisë, që përshkruhet në leximin e marrë nga Veprat e Apostujve, të cilit, Krishti i çon Filipin t’i shpjegojë Besëlidhjen e Vjetër në dritën e Ringjalljes. Ai funksionar, vërejti Papa argjentinas, nuk ishte njeri i zakonshëm, por ministri mbretëror i ekonomisë, prandaj mund ta mendojmë si mjaft të lidhur me paratë, si karrierist. E megjithatë, pasi dëgjon Filipin t’i flasë për Jezusin, e ndjen se ai ishte lajm i mirë, ndjen gëzim aq, sa të pagëzohej në vendin e parë me ujë, që hasën udhës:
“Kush ka fe, ka jetën e pasosur, ka jetë. Por feja është dhuratë, na e jep Ati Qiellor. Ne duhet ta vazhdojmë udhën, që Ai na hap. E nëse ecim në këtë udhë, gjithnjë me mendjen tonë – sepse të gjithë jemi mëkatarë e kemi gjëra që s’shkojnë, por Zoti na fal nëse i kërkojmë falje e shkojmë përpara, pa u shkurajuar – në atë udhë pra, do të na ndodhë e njëjta gjë, që i ndodhi ministrit të ekonomisë”.
Do të na ndodhë, përfundoi Papa Françesku, ashtu si tregojnë Veprat e Apostujve për ministrin e ekonomisë, pasi zbuloi fenë: “Plot gëzim vazhdonte udhën”:
“Është gëzimi i fesë, gëzimi i takimit me Jezusin, gëzimi, që vetëm Krishti na e jep, gëzimi që sjell paqe: jo atë të botës, por atë të Jezusit. Kjo është feja jonë. I kërkojmë Zotit të na e shtojë këtë fe, që na bën të fortë, na bën të hareshëm, këtë fe, që fillon gjithmonë në takimin me Jezusin e vazhdon gjithnjë në jetë përmes takimeve të vogla të përditshme me Jezusin”.
Në mbyllje të meshës, Papa Françesku falenderoi punonjësit e Inspektoriatit të Rendit Publik pranë Vatikanit, të cilët, tha ai, kryejnë një shërbim të vyer për të mirën e përbashkët, për paqen, shërbim, që ka nevojë për njerëz të drejtë, të ndershëm, rigorozë e të qetë në shpirt.







All the contents on this site are copyrighted ©.