2013-04-18 15:18:20

Ipeshkvijtë anglezë tek Papa Françesku. Imzot Nikols: Kisha po jeton një pranverë të re


Ipeshkvijtë katolikë të Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit, në Romë për ushtrime shpirtërore, u takuan dje me Papën Françesku, pak pas audiencës së përgjithshme. Intervistuam kryetarin e Konferencës, imzot Vinsent Nikols, kryeipeshkëv i Uestminsterit:
Patëm privilegjin e madh të takohemi me Papën Françesku, të cilit i thamë se javët e papnisë së tij i kanë dhënë Kishës gëzim e shpresë të re. Mendoj se të gjithë e ndjejmë se Kisha po jeton një pranverë të re, e cila vjen nga gjuha e gjesteve dhe e fjalëve të Papës, si gjatë homelive, ashtu edhe gjatë audiencave. Në Mbretërinë e Bashkuar, duket se të gjithë janë prekur nga gjuha, nga ëmbëlsia dhe nga përvuajtëria e Papës Françesku. Në avionin për të ardhur në Romë, isha ulur afër një çifti. Flisnin për një fillesë të re në Kishën Katolike. Në fund të bisedës, i pyeta a ishin katolikë e m’u përgjigjën: “Jo, nuk jemi katolikë, por shihet qartë ç’po ndodh e Papa prek edhe jetën tonë”. Mendoj se ndikimi pozitiv filloi me vizitën e Papës Benedikti XVI, në vitin 2010, e vazhdon tani me Papën Françesku. Mënyra e tij për të folur mbi nevojën e mëshirës së Zotit, vëmendja e tij ndaj të varfërve, të mënjanuarve, ka prekur shumë njerëz e jo vetëm bashkësinë katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.