2013-04-17 19:11:06

Dora e Arabisë Saudite


Nga djepi i Islamit, një perspektivë dialogu. Sot paradite, pas audiencës së përgjithshme, Salh Mohammad Al Ghamdi, ambasador i mbretërisë së Arabisë Saudite në Itali, i dorëzoi Papës Françesku, një mesazh të mbretit Abdallah. Një front i nxehtë për Selinë e Shenjtë. Mbretëria vehabite vazhdon të konsiderohet nga të gjithë analistët si “vend veçanërisht shqetësues” për vazhdimin e dhunimeve të rënda të lirisë fetare, si me fakte, ashtu edhe me ligje. Por, gjatë viteve të fundit, janë shtuar deklaratat e krerëve sauditë, sipas të cilave u duhet dhënë mundësi punëtorëve të huaj jo myslimanë, të kremtojnë privatisht kultin e tyre fetar.
Gjithsesi, kuptimi i fjalës “privatisht” nuk është i qartë. Qeveria pohon se nëse mbledhjet e jo myslimanëve bëhen në grupe të vogla, në shtëpi private, nuk do të ndërhyjë. Megjithatë, ky qëndrim zyrtar, shpesh, nuk respektohet, pasi policia fetare vazhdon të bëjë kontrolle në shtëpitë, ku mblidhen në lutje jo myslimanët. Motiv tjetër shqetësues për të krishterët (ashtu si edhe për jo myslimanët e tjerë) është harku i zgjatur kohor (javë të tëra) që nevojitet për të transportuar jashtë Arabisë kufomat e të vdekurve. Arabia Saudite nuk lejon varrosjen e jo myslimanëve në tokën e vet. Një raport i organizatës kishtare “Ndihmë për Kishën që vuan” dokumenton raste të ndryshme arrestimesh të besimtarëve të krishterë; në disa raste, lajmi nuk është thënë, në mënyrë që të mos kompromentoheshin bisedimet për lirimin e tyre ndërmjet Arabisë Saudite dhe vendit të prejardhjes. Në janar 2012, mbreti Abdallah ndërroi kreun e policisë fetare.
Arsyeja nuk dihet me saktësi, por i mëparshmi qe zgjedhur për të reformuar policinë fetare. Pati marrë në punë këshilltarë, pati takuar grupe për të drejtat e njeriut dhe ekspertë imazhi për të përmirësuar reputacionin e policisë, pas episodeve, që patën indinjuar opinionin publik saudit. Agjentët e policisë fetare kontrollojnë zbatimin e ligjeve në sferën civile, fetare e seksuale të vendit. Ndër detyrat e tyre, edhe verifikimi i mbylljes së dyqaneve gjatë lutjes, ndalimi i çifteve të pamartuara e të grave të pambuluara nga koka tek këmbët, duke mos i lejuar që t’u japin makinave. Jetë e vështirë edhe për shiitët e ismaelitët, ashtu si për blogerët me ide pseudo-revolucionare.
Hap pozitiv, ngritja e një Qendre ndërkombëtare për dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, me iniciativën e sovranit, në bashkëpunim me Austrinë e Spanjën. Në Arabinë Saudite, për të krishterët nuk është i mundur asnjë kult publik. Gjendja është e rëndë sidomos për gratë. Mure ndarëse nëpër dyqane, për të ndarë gratë nga burrat: kjo është forma e fundit e menduar nga sauditët për të “mbrojtur” shitëset dhe klientet nga vështrimi i meshkujve. Masa do të zbatohet në dyqanet, ku shitësit janë me seks të ndryshëm. Barrierat duhet të jenë së paku 1,60 metra të larta. Gratë mund të punojnë vetëm me gra, ose në vende ku shiten të brendshme për femra e artikuj kozmetikë. Edhe këto dy sektorët e fundit janë miratuar në qershor 2011, kur qeveria vendosi që shitësit (shumica burra me origjinë aziatike) të zëvendësoheshin nga gratë saudite. Një masë, që hapi 44 mijë vende pune për to.
Vendimi u mor pas kërkesës së vetë grave saudite, të cilat e ndjenin veten keq kur blinin të brendshme nga një burrë. Por mbërritja e shumë grave, sidomos në qendrat e mëdha tregtare, nxorri shumë probleme. Masat për zgjidhjen e tyre janë, siç ndodh shpesh në këtë vend, drastike: muret. Rruga e emancipimit të grave saudite sapo ka filluar. Në fillim të vitit, atyre ju lejua të merrnin pjesë në Këshillin konsultiv të Shura-s. 30 gra hynë në të, por duhet të kalojnë në derë të ndryshme e të rrinë të ndara nga burrat. Kanë filluar edhe fushata që gratë të kenë të drejtë t’i japin makinës, por Arabia Saudite mbetet një nga vendet e pakta të botës, që nuk i lejojnë ato të votojnë. Gratë duhet të kenë lejen e burrave për të punuar, udhëtuar, ose për të hapur një llogari bankare.








All the contents on this site are copyrighted ©.