2013-04-16 13:53:39

Papa Françesku ia kushtoi meshën Benediktit XVI. Koncili është vepër e Shpirtit Shenjt, por ndokush do të kthehet mbrapa, nënvizoi


Papa Françesku ia kushtoi meshën e mëngjesit të sotëm Benediktit XVI, në 86-vjetorin e ditëlindjes, por foli edhe për Koncilin II të Vatikanit, vepër e Shpirtit Shenjt. Më pas, i telefonoi Papës së nderit për urimet e rastit, duke përshëndetur edhe vëllain, imzot Georg Racinger, i cili ndodhet prej disa ditësh në rezidencën papnore të Kastelgandolfos, edhe për të festuar familjarisht ditëlindjen e Benediktit XVI.
Por të kthehemi tek mesha e mëngjesit. Në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në praninë e disa punonjësve të Guvernatoratit, Ati i Shenjtë i bëri urimet e tij të përzemërta Papës së nderit, Jozef Racinger:
“E ofrojmë meshën për të, që Zoti t’i qëndrojë afër, t’i japë paqe e shumë ngushëllim”.
Gjatë homelisë, Papa Françesku komentoi leximin e parë të liturgjisë së sotme. Flitet për martirizimin e Shën Shtjefnit, i cili para se të vritej me gurë kumton Ngjalljen e Krishtit, duke i paralajmëruar të pranishmit, me fjalët: “Kokëfortë! Ju kundërshtoni gjithmonë Shpirtin Shenjt”. Shën Shtjefni, tha Papa, na kujton persekutimin e profetëve, të cilët, pasi i kanë vrarë, u kanë ndërtuar “një varr të bukur” e vetëm më vonë, i kanë nderuar. Edhe Jezusi, kujtoi Ati i Shenjtë, i qorton dishepujt e Emausit, duke u thënë se nuk ua shpërblen zemra të besojnë në fjalët e profetëve. Gjithnjë, vërejti Papa Bergolio, ekziston, edhe ndërmjet nesh, një farë kundërshtimi ndaj Shpirtit Shenjt:
“Për ta thënë qartë: Shpirti i Shenjtë na jep bezdi. Sepse na bën të lëvizim, të ecim, e shtyn Kishën përpara. E ne jemi si Pjetri gjatë Shndërrimit të Krishtit: ‘Ah, sa bukur të rrimë kështu, të gjithë bashkë!’… por të mos na bezdisë. Duam që Shpirti Shenjt të na verë në gjumë…duam ta zbusim Shpirtin Shenjt. E kështu nuk shkon! Sepse Ai është Zoti, Ai është era, që shkon e vjen e ne nuk e dimë nga e ku. Është forca e Zotit, që na jep ngushëllimin e fuqinë për të ecur përpara. Por: duhet shkuar përpara! Kjo na jep bezdi. Rehati është më i bukur”.
Sot, vazhdoi Papa Françesku, duket se jemi të gjithë të kënaqur për praninë e Shpirtit Shenjt, por nuk është e vërtetë. Ky tundim ekziston edhe sot. E Ati i Shenjtë i ftoi të pranishmit të mendojnë për Koncilin II të Vatikanit, duke e marrë si shembull:
“Koncili qe një vepër e bukur e Shpirtit Shenjt. Mendoni për Papën Gjoni XXIII: dukej si një famullitar i mirë e ai iu bind Shpirtit Shenjt e bëri atë, që bëri. Por 50 vjet më vonë, a kemi bërë ne gjithçka na tha Shpirti Shenjt gjatë Koncilit? Në atë vazhdimësi në zhvillimin e Kishës, që ishte Koncili? Jo. E festojmë përvjetorin e tij, i ngremë një monument, por ama, të mos na bezdisë. Nuk duam të ndryshojmë. Madje edhe më tepër: ka zëra, që duan të kthehen mbrapa. Kjo do të thotë të jemi ‘kokëfortë’, kjo quhet ‘të duash ta zbusësh Shpirtin Shenjt’, kjo e ka emrin ‘të bëhemi të pamend e të pazemër’”.
Kështu ndodh edhe në jetën e përditshme, tha Papa. Shpirti i Zotit na nxit drejt një udhe më ungjillore, por ne i kundërshtojmë, duke harruar se vetëm Ai na bën të lirë, na jep lirinë, që kishte Jezusi, që kemi ne, si bij të Hyjit:
“Mos i rezistoni Shpirtit Shenjt! Ky është hiri, që do të doja t’i kërkonim Zotit: të jemi të butë e ta pranojmë Shpirtin Shenjt, atë Shpirt, që vjen tek ne e na nxit të shkojmë përpara në udhën e shenjtërisë, në shenjtërinë kaq të bukur të Kishës. …Hirin që të jemi të butë ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt. Ashtu qoftë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.