Miqësia me Krishtin, shenjë dalluese e jetës së Benediktit XVI
Papa Benedikti XVI mbushi sot 86 vjeç, ngjarje që e festoi në heshtjen e Pallatit
Apostolik të Kastelgandolfos. Të shumta urimet nga e gjithë bota, për njeriun e dashuruar
me Zotin e me Kishën, bariun në shërbim të së Vërtetës, duke u nisur nga urimet e
pasardhësit, Papës Françeskut. Që nga fëmijëria, miqësia me Jezu Krishtin karakterizon
jetën e Jozef Racinger. Vetë Papa Benedikti XVI e kujtoi këtë fakt me mirënjohje,
me rastin e ditëlindjes së 80-të më 2007: “Miqësia e Jezu Krishtit është miqësia
e Atij, i cili na bën njerëz që falim, e Atij që na fal, na largon vazhdimisht nga
dobësia jonë e kështu, na edukon, na ndikon vetëdijen e detyrës së brendshme të dashurisë,
e detyrës për t’iu përgjigjur besimit të tij në besnikërinë tonë” (Homelia e 15 prillit
2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”. Jozefi i vogël lindi më 16 prill 1927, e Shtuna
e Madhe. Papa i ardhshëm pagëzohet në të njëjtën ditë e kështu, nënvizon ai vetë,
lindja qe “shenja e fillimit të Pashkëve”. Në të njëjtën ditë u bë anëtar i familjes
së vet dhe i familjes së madhe të Zotit: “Falenderoj Hyjin, sepse kam mundur
të provoj se ç’do të thotë “familje”; kam mundur të provoj se ç’do të thotë atësi,
kështu që emri i Zotit si Atë m’u bë i kuptueshëm nga brenda; mbi bazën e përvojës
njerëzore m’u hap rruga drejt Atit të madh e të mirë, që është në qiell. (Homelia
e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”. Me rastin e 80-vjetorit të lindjes,
Benedikti XVI kujtoi se si ai u thirr nga Zoti për t’u bërë meshtar. Një dhuratë e
re dhe shumë kërkuese, siç thotë Papa: “Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit,
Apostuj, në vitin 1951, kur ne – mëse dyzet shokë – ndodheshim në katedralen e Frizingës
të shtrirë mbi dysheme e kur mbi ne kërkohej ndërhyrja e të gjithë shenjtorëve, vetëdija
se isha krejt i mangët para kësaj detyre më rëndonte. Po, më ngushëllonte fakti se
mbrojtja e shenjtorëve të Zotit, e të gjallëve dhe e të vdekurve, kërkohej për ne.
E dija se nuk do të mbetesha vetëm”. E për thirrjen e tij meshtarake, Papa
Jozef Ratcinger foli gjerësisht në takimin me të rinjtë e dioqezës së Romës, më 6
prill 2006. Benedikti XVI kujtoi situatën e vështirë në të cilën u rrit në Gjermaninë
naziste, që dëshironte t’i hiqte qafe meshtarët. Por, kujton Papa, pikërisht për të
kundërshtuar brutalitetin e regjimit, kishte nevojë për meshtarë, për zëra të fortë
që të shpallnin Ungjillin: “Në këtë situatë, thirrja për meshtar u rrit gati
natyrshëm së bashku me mua e pa ngjarje të mëdha kthimi në rrugën e Zotit. Gjithashtu,
dy gjëra më kanë ndihmuar në këtë rrugë: që fëmijë, i ndihmuar nga prindërit e famullitari,
zbulova bukurinë e Liturgjisë dhe e kam dashur gjithnjë e më shumë, sepse ndjeja se
në të duket bukuria hyjnore e hapet zemra para qiellit”. Dashuri për liturgjinë,
pra, por edhe për teologjinë, “aventurën e madhe të dialogut me Zotin”. Megjithatë,
u thotë Papa të rinjve, gjatë viteve të para të meshtarisë nuk mungojnë vështirësitë,
por ato kapërcehen duke ia besuar veten krejtësisht Krishtit: “Duke qenë njeri
me formim teorik e jo praktik, e dija se nuk mjafton ta duash Teologjinë për të qenë
meshtar i mirë, por është e nevojshme edhe të jesh gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar
të rinjtë, meshtarët, të sëmurët, të varfrit; është e nevojshme të jesh i thjeshtë
me të thjeshtët. Teologjia është e bukur, por edhe thjeshtësia e fjalës dhe e jetës
së krishterë është e nevojshme. E kështu, pyesja veten: a do të jem në gjendje ta
jetoj gjithë këtë e të mos jem i njëanshëm, vetëm teolog apo tjetër? Zoti më ndihmoi
e sidomos, më ka ndihmuar shoqëria e miqve, e meshtarëve dhe e mësuesve të mirë”.