2013-04-16 11:56:22

Benedikti XVI Jozef Racinger e papnia e tij


Nga tiparet e karakterit të Papës Jozef Ratcinger që më shumë bënë e vazhdojnë të bëjnë përshtypje sigurisht janë përzemërsia e tij, butësia e tij, respekti i tij për çdo njeri, aftësia për të dëgjuar e për të vlerësuar çdo njeri: jo vetëm bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, jo vetëm ata që kanë jetuar pranë tij për shumë vjet, por edhe ata njerëz që, gjatë audiencave e rasteve të ndryshme, e përshëndeten vetëm për një çast. Papa Benedikti XVI dëgjoi çdo njeri dhe për secilin pati një fjalë të veçantë në çastin e përshtatshëm, si të ishte mik i tij i vërtetë.
86-vjetori i Benediktit XVI pothuajse përkon me tetë vjetorin e papnisë së tij, tashmë në tërheqje e në lutje. E për këto gati 8-të vjet papnie mund të thuhet shumëçka.
Papnia e Benediktit XVI mund të shikohet në këndvështrime të ndryshme, nga pika të ndryshme vrojtimi, nga profile të ndryshme. Të mendojmë, për shembull, për fjalimet e tij në audiencat e përgjithshme, për fjalimet drejtuar të rinjve, fëmijëve, familjeve, e drejtuesve të popujve e të kombeve të botës. Mund të themi se fjalimet e Benediktit XVI janë të dala nga thellësia i zemrës, duke pasur mirë parasysh që Papa Ratcinger ka pohuar se detyra e tij ishte të mbronte fenë e njerëzve në Zotin. E ai vijon ta kryente këtë mision deri në fund të shkurtit të kaluar, posaçërisht me njerëzit që e kanë zemrën të pastër e vullnetin e mirë, me ata që e kanë zemrën të thjeshtë, duke u prirë drejt takimit me Krishtin, që është çelësi i shndërrimit të jetës sonë.
Pastaj papnia e Benediktit XVI mund të shikohet edhe nga një këndvështrim tjetër – për shembull duke u nisur nga shtegtimet e tij apostolike baritore italiane e posaçërisht ato ndërkombëtare. Kujtojmë shtegtimin e fundit në Meksikë e në Kubë, e kujtojmë akoma vizitat tjera apostolike, me reflektimin mbi vlerën e pranisë së Zotit në jetën personale të njeriut e në përmasën shoqërore, kaq vendimtare për historisë njerëzore. Në shtegtimet apostolike të Benediktit XVI, spikati dialogu i madh ndërkulturor e ndërfetar dhe gatishmëria shembullore për t’i takuar të gjithë, për t’i kuptuar të gjithë, për t’u njohur nga afër me ndjenjat më të larta të çdo njeriu, të çdo bashkësie, të çdo kombi dhe të çdo grupi fetar e kulturor. Mendojmë se këto janë mesazhe të vazhdueshme, themelore që na përcjell Papa Ratcinger Benedikti XVI edhe tani që është tërhequr në lutje e meditim, frytet e papnisë së tij të jashtëzakonshme do t’i shohim në vitet e ardhshme të gjatë papnisë Atit të Shenjktë Françesku Bergoglio.
Prandaj, sot në 86 vjetorin e lindjes së Benediktit XVI, në radhë të parë urojmë të ketë shëndet të plotë, të ketë hirin dhe ngushëllimin e Shpirtit Shenjt Zot në këtë periudhën e veçantë të jetës së tij pranë Krishtit të Kryqëzuar, siç u shpreh ai vet gjatë audiencës së fundit të përgjithshme të Papnisë së tij.. Urojmë shembulli, dëshmia e mësimet e tij atërore prej Bariu të butë e të patundur të mos harrohen nga njerëzit, urojmë që mesazhet e tij ungjillore të kuptohen e të zbatohen prej njerëzve të çdo kombi, feje e kulture. Të kuptohet se Papa Benedikti XVI e shoqëroi person, çdo bashkësi njerëzore në shtegtimin për t’i dhënë kuptim jetës e për t’u takuar me Krishtin e Gjallë, që është Udha, e Vërteta dhe Jeta! Këtë vazhdon ta bëjë edhe tani në heshtjen e Tempullit të gjallë të Zotit, që është Kisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.