2013-04-16 11:39:30

86-vjetori i Papës së nderit Benedikti XVI. Urime!


"Gëzim”: Kjo fjalë-shtyllë e magjisterit të Papës së nderit, Jozef Racinger-Benedikti XVI ngazëlleu shumë zemra gjatë papnisë së tij gati tetë vjeçare. Era e mirë e flladit të Pashkëve të Krishtit të Gjallë bëhet edhe më e këndshme e na e mbush shpirtin plot me atmosferën e kremtimit të ditëlindjes së Papës së nderit Jozef Ratcinger.
Është festë! Një festë e thjeshtë, e përzemërt, në heshtje. Mbarë bota katolike kremton e me të, edhe ne jemi në festë. Është festa e bukurisë, e madhështisë dhe e qartësisë së Fesë. E asaj Feje, të cilën Papa Jozef Ratcinger, me sytë e qeshur e ëmbëlsisht atërorë, për gati 8 vjet e rindezi në mendjet e në zemrat e besimtarëve dhe të të gjithë atyre, që e shikonin plot shpresë.
Është festa e Pjetrit, tashmë të moshuar. Festa e Bariut, që ta freskon trupin e shpirtin.
Është festë! Festë që ka shijen e familjes, aromën e kemit në manastirin murgar, por me dritaret e hapura të universalitetit!
Ad multos annos. Gëzuar Papa Josef Ratcinger, Benedikti XVI!
Urimit të shprehur nga zërat tona shqiptare, i vjen era e mirë e krishterimit të lashtë të një vendi e të një populli të vogël, që ju ka për zemër, sepse edhe ju e keni pasur dhe vazhdoni ta keni për zemër!







All the contents on this site are copyrighted ©.