2013-04-15 12:05:13

Toka Shenjte: përqindja e të krishterëve në Territoret palestineze është përgjysmuar gjatë 13 vjetëve të fundit


Përqindja e të krishterëve në gjirin e popullsisë së Territoreve Palestineze është përgjysmuar që nga viti 2000 e deri më sot, duke kaluar nga 2% në 1% në harkun e 13 vjetëve të fundit. E në Jeruzalem, ku në vitin 1948 jetonin 27 mijë të krishterë, sot, të pagëzuarit arrijnë vetëm në rreth 5 mijë vetë. Këto të dhëna janë mbledhur nga profesori i krishterë palestinez Hanna Issa, pedagog i së drejtës ndërkombëtare dhe sekretar i përgjithshëm i Komitetit kristiano-islamik për mbrojtjen e Jeruzalemit dhe të Vendeve të Shenjta. Në studimet e tij, ai e konsideron zvogëlimin e numrit të të krishterëve “katastrofë shoqërore”.
Në sintezën e botuar nga agjencia kishtare “Fides”, theksohet se të krishterët e përhapur në Territoret Palestineze, të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967, janë rreth 47 mijë, ndërsa ata që banojnë në rajonet ku në vitin 1948 u formua shteti hebraik, arrijnë në 110 mijë vetë. Shihet qartë se në Territoret Palestineze, numri i të krishterëve është zvogëluar jashtëzakonisht, për shkak të emigracionit dhe të lindjeve më të pakta se popullsia myslimane. Nga Gaza e nga zonat e tjera - në emergjencë gati të përhershme - të krishterët largohen, pasi nuk kanë kushtet minimale për të jetuar denjësisht, por edhe sepse lehtësohen nga ofertat e majme për të shitur shtëpitë, që u japin mundësinë të zhvendosen me gjithë familjen në një vend perëndimor. Kisha Katolike vendase u kërkon autoriteteve palestineze të sigurojnë studimin, punën e banesën për të krishterët dhe, Papës Françesku – i cili sot u takua me Patrikun latin të Jeruzalemit, Fuad Tval – të lutet për Tokën Shenjte, duke e nxitur diplomacionë vatikanase të vazhdojë përpjekjet për paqe e drejtësi në këto troje.








All the contents on this site are copyrighted ©.