2013-04-15 15:51:02

Takimi i kreut për Doktrinën e Fesë me murgeshat amerikane: Papa miraton programin e reformës


Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, imzot Gerhard Myler u takua sot në Vatikan me kryesinë e Konferencës së Eproreve fetare të SHBA-ve (LCWR). I pranishëm, edhe kryeipeshkvi i Siatëllit, imzot Peter Sarten, delegat i Selisë së Shenjtë për vlerësimin doktrinal të kësaj konference.
Në një notë, pas takimit, imzot Myler thekson se ka diskutuar me Papën Françesku linjat dhe këshillat, që përmbahen në “Vlerësimin doktrinal” të Konferencës, si edhe programin e reformimit të saj, miratuar tashmë nga Ati i Shenjtë. Prefekti u sqaroi murgeshave se Konferenca e tyre duhet të bashkëpunojë me Konferencën ipeshkvnore lokale dhe me të gjithë ipeshkvijtë. Për këtë arsye, ajo, ashtu si të gjitha Konferencat e tjera të Eproreve Fetare, mbetet nën drejtimin e Selisë së Shenjtë. Vatikani shpreh dëshirën e sinqertë, që takimi i sotëm të promovojë dëshminë e rregulltareve, bazuar në fenë e dashurinë e krishterë, për ta pasuruar Kishën e shoqërinë në brezat e ardhshëm. Në notën e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, vlerësohet puna e rregulltareve në shoqërinë amerikane, sidomos përmes shkollave, spitaleve dhe instituteve për të varfërit.
Konferenca e Eproreve (Leadership Conference of Women Religious), ku bëjnë pjesë 57 mijë rregulltare, pra 80% e murgeshave amerikane, mbahet prej kohësh nën vëzhgim nga Selia e Shenjtë, për shkak të lëshimeve në tema si aborti dhe homoseksualiteti. Gjithashtu, eproret janë akuzuar për impenjim të tepruar në fushën e drejtësisë shoqërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.