2013-04-15 14:48:34

Papa Françesku në Bazilikën e Shën Palit: mospërkimi i fjalëve me veprat, minon besueshmërinë e Kishës


“Zoti na dërgon për të kumtuar me gëzim, si Krishti i Ngjallur”. Është ftesa e fortë për të dhënë dëshmi me fjalë e me jetë, që Papa Françesku ua drejtoi të gjithëve, në Meshën e kryesuar dje pasdite, me rastin e vizitës së tij të parë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Bashkëkremtuan me Atin e Shenjtë, dom Edmund Power, Abati epror i abacisë së Shën Palit dhe kardinali James Michael Harvey, kryeprift i Bazilikës papnore, që i drejtoi edhe përshëndetjen e rastit. Të shumtë, të pranishmit. Në fillim, Papa u gjunjëzua në lutje pranë Varrit të Shën Palit dhe e kemoi Trophæun e Apostullit.

Shën Pali e kumtoi Krishtin me fjalë, e dëshmoi me martirizim, e adhuroi me gjithë zemër. Duke u nisur nga figura e Apostullit të Popujve, e Pjetrit dhe e Apostujve të tjerë, Papa Françesku e mbështeti gjithë homelinë mbi tri folje: “Të kumtosh, të dëshmosh, të adhurosh”. Duke kujtuar leximin e parë, Ati i Shenjtë kujtoi sesi Apostujt e përhapën me guxim kumtin, që kishin marrë. Nuk iu bindën urdhërit për të heshtur, nuk i ndali kamxhiku, nuk i trembën zinxhirët e burgut. Po ne? pyeti Papa:
“A dimë të flasim për Krishtin, për çka përfaqëson, në familje, me njerëzit që bëjnë pjesë në jetën tonë të përditshme? Feja lind nga dëgjimi e fuqizohet përmes kumtimit”.
Takimi me Krishtin jep një drejtim të ri e Apostujt e dëshmojnë këtë edhe me jetë. Në Ungjillin e shpallur, Krishti i kujton Pjetrit se kur të plaket, dikush tjetër do ta çojë atje, ku nuk dëshiron:
Është fjalë, që na drejtohet sidomos ne, barinjve: nuk mund ta kullosësh grigjën e Zotit, nëse nuk pranon të shkosh ku të çon vullneti i Tij, me ose pa dëshirë; nëse nuk je gati ta dëshmosh Krishtin duke dhuruar vetveten, pa rezerva, pa llogaritje, nganjëherë edhe me çmimin e jetës. E kjo vlen për të gjithë: Ungjilli duhet kumtuar e duhet dëshmuar”.
Ashtu si një afresk i madh ka një mori ngjyrash e trajtash, kështu edhe dëshmia e fesë ka një mori formash. Në planin e madh të Hyjit, pohoi Papa, çdo hollësi ka rëndësinë e vet, edhe dëshmia jote e vogël, edhe imja, edhe dëshmia e fshehur e njeriut, që e jeton me thjeshtësi fenë në të përditshmen e vet, në familje, në punë, në rrethin e miqve, të dashamirëve, e edhe të kundështarëve. Çdo ditë ka shenjtorët e vet. Shenjtorë të heshtur, të fshehur, një lloj klase e mesme e shenjtërisë. Por, vijoi Papa, në botë ka edhe njerëz që vuajnë, si Pjetri e Apostujt, për shkak të Ungjillit: ka nga ata, që japin edhe jetën për t’i qëndruar besnikë Krishtit, me një dëshmi të larë me gjak. E këtë duhet ta kujtojmë mirë të gjithë, theksoi me forcë Papa Françesku; “Nuk mund të kumtohet Ungjilli i Krishtit, pa dëshminë konkrete të jetës. Kush na dëgjon e na shikon, duket të lexojë në veprat tona atë, që dëgjon nga goja jonë e t’i japë lumni Zotit”:
“ Më vjen në mendje, tani, një këshillë, që Shën Françesku ua jepte vëllezërve të vet: ‘Predikojeni Ungjillin e, po të jetë nevoja, edhe me fjalë!’ Predikim me jetë! Me dëshmi. Inkoherenca ndërmjet asaj që thonë e asaj që bëjnë besimtarët e barinjtë, e minon besueshmërinë e Kishës”.
Por duhet pasur mirë parasysh se të kumtosh e të dëshmosh është e mundur vetëm nëse je pranë Zotit. Kjo është një pikë me rëndësi të dorës së parë për ne, tha Papa: “Të jetosh në lidhje të ngushtë me Jezusin, në intimitet dialogu e jete”. Do të dëshiroja që të gjithë t’i bënim një pyetje vetes: “Ti, unë, a e adhurojmë Zotin?”, pyeti Papa Françesku, duke kujtuar, më pas, ç’do të thotë ta adhurosh Zotin: “Do të thotë të ndalesh për të biseduar me Të; të besosh, e jo vetëm me fjalë, se ai i prin vërtet jetës sonë, do të thotë, vijoi Papa, se jemi të bindur para tij, se është Zoti i vetëm, Zoti i jetës sonë, i historisë sonë”. Ta bësh këtë, shpjegoi, do të thotë të zhvishesh nga shumë idhuj, të vegjël e të mëdhenj, mbi të cilët shpesh i mbështesim gjithë shpresat tona, duke i fshehur pas fjalëve: janë ambicja, karrierizmi, etja për sukses, për ta vënë veten në qendër të botës; prirja për të dalë mbi të tjerët, pretendimi për të qenë zotër të jetës, e akoma, edhe ndonjë mëkat tjetër, me të cilin jemi të lidhur, e shumë e shumë të tjera:
Sonte do të dëshiroja që një pyetje të kumbonte fort në zemrën e secilit prej nesh e t’i përgjigjeshim me sinqeritet: a mendoj ndonjëherë ç’idhull të fshehtë kam në jetën time, që më pengon ta adhuroj Zotin? Të adhurosh e të zhvishesh nga idhujt, edhe nga ata më të fshehtët, do të thotë të zgjedhësh Zotin si qendër, si rrugë kryesore të jetës”.
Zoti na bëri një dhuratë të madhe, duke na zgjedhur si dishepuj e na fton, përfundoi Papa, ta kumtojmë të Ngjallur, me fjalë e me dëshminë e jetës, duke u zhveshur nga idhujt e duke e adhuruar atë, vetëm Atë!
Në përfundim të Meshës Shenjte, Papa shkoi në kapelën e të Kryqëzuarit për të nderuar ikonën e Zojës, Thotokos Hodigitria (shekj XIII), para së cilës, më 22 prill të vitit 1541, Shën Injaci i Lojolës dhe shokët e tij të parë, patën bërë kushtet e përjetshme rregulltare, ngjarje themelore për Shoqërinë e Jezusit, në fasha.








All the contents on this site are copyrighted ©.