2013-04-15 15:10:18

Papa bisedon me kryeministrin spanjoll Rajoy mbi krizën e rëndësinë e familjes.


Papa Françesku priti sot paradite, në Vatikan, kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy Brey. Bisedimet, njofton një notë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, krijuan mundësinë për një shkëmbim mendimesh lidhur me situatën aspak të lehtë ekonomiko-financiare botërore, që po e përballon edhe Spanja, ashtu si të gjitha vendet e tjera evropiane. U fol posaçërisht për aspektin e papunësisë, gjithnjë më shqetësues për familjet e, sidomos, për jetën e të rinjve. Në këto rrethana, vijon nota, u theksua afërsia e Kishës dhe veprimtaria e ndjeshme e Karitasit dhe e shoqatave të tjera kishtare bamirëse, në ndihmë të të varfërve. U shkëmbyen mendime edhe për mbarështimin politiko-institucional të vendit, duke theksuar nevojën e dialogut në shoqëri ndërmjet të gjitha forcave të saj përbërëse, bazuar mbi respektin reciprok e mbi vlerat, si drejtësia e solidariteti, në kërkim të së mirës së përbashkët.
Gjatë bisedimeve, u kujtuan edhe marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë e Spanjës që, në frymën e Marrëshjeve të ’79-tës, vijojnë të forcohen gjithnjë më shumë, si dhe çështje të aktualitetit, me interes për Kishën në vend.
Në mënyrë të posaçme, vijon nota, u fol për institucionin e martesës, të familjes e për rëndësinë e edukimit fetar. Nuk mungoi, në fund, edhe shkëmbimi i mendimeve për situatën ndërkombëtare, me vëmendje të posaçme tek Amerika Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.