2013-04-15 15:11:56

Oborri i jo besimtarëve. Kardinali Ravazi: në maj do të shkojmë në Meksikë


Një etapë italiane në Katanxaro, më 20 prill e pastaj, etapa e parë në kontinentin amerikan. “Oborri i jo besimtarëve”, organizuar nga Këshilli Papnor i Kulturës për dialogun ndërmjet të krishterëve dhe jo besimtarëve, do të shkojë në Meksikë nga 6 deri më 9 maj. Ndër të rejat, edhe paraqitja e një platforme diskutimi në internet, e njëjtë me atë, që përdor presidenti amerikan Barak Obama.
Siç e tregoi edhe me fjalët e djeshme në Meshën e kremtuar në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, Papa Françesku po realizon bashkimin e pajtimin ndërmjet “komunikatorit” dhe asaj që “komunikohet”, ndërmjet mesazhit e dëshmisë së jetës, duke i kërkuar Kishës të hyjë edhe më tepër në mesin e njerëzve. Ky është edhe qëllimi i “Oborrit të jo besimtarëve”, shpjegon kardinali Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës:
“Ne duam që ‘Oborri i jo besimtarëve’, i cili, deri tani, ka pasur rezultate të shkëlqyeshme, por të nivelit mjaft të lartë – si reflektimi filozofik, reflektimi teologjik, reflektimi shoqëror – të derdhet për fushë, domethënë të shkojë drejt horizonteve më të thjeshta të jetës së përditshme, ku kemi qenë të pranishëm – për shembull, ndërmjet fëmijëve e të rinjve. Por, tani, duam të hyjmë brenda qyteteve”.
Të shtunën, më 20 prill, Oborii i jo besimtarëve do të zhvillohet në Katanxaro të Italisë, duke vazhduar reflektimin mbi ligjin e ligjshmërinë, filluar në Palermo:
“Aty, kriminaliteti i organizuar është si një pëlhurë e hollë, por njëkohësisht shumë e fortë, që i ka fijet sidomos në lidhjet familjare. Prandaj, baza është pikërisht një vlerë si ajo e bashkësisë familjare, e cila plazmohet – nganjëherë, edhe dramatikisht – me krimin”.
Nga 6 deri më 9 maj, Oborri bën udhëtimin e tij të parë jashtë Evropës, në një vend emblematik për dialogun ndërmjet fesë e kulturës, si Meksika. 87% e popullsisë është katolike, por, për arsye historike, vendi karakterizohet nga një qëndrim antiklerikal i fuqishëm. Veçanërisht i rëndësishëm do të jetë takimi në Universitetin “Unam” të kryeqytetit, koordinuar nga filozofi meksikan Guilermo Hurtado, i cili ka qenë edhe në Takimin e Asizit me Benediktin XVI. Kardinali Ravazi, siç bën shpesh tashmë, do të konfrontohet me disa ateistë:
“As kryeipeshkvi i Meksikos nuk ka hyrë kurrë brenda kësaj bote, fortësisht të shekullarizuar, por, njëkohësisht, me kuriozitet të jashtëzakonshëm për ta kapërcyer horizontin e vet, për të shkuar edhe përtej oqeanit, duke arritur në qendrën e Kishës Katolike, pra, tek Selia e Shenjtë”.
Dy vjet pas fillimit në Paris, “Oborri i jo besimtarëve” vazhdon udhëtimin e tij nëpër botë. Së shpejti, do të shkojë edhe në Amerikën e Veriut e në Amerikën Latine, ndërsa në tetorin e ardhshëm, sërish në Asizi të Italisë. Frytet e bollshme të tij së bashku me mirëdashjen e njerëzve për Papën Françesku, konfirmohen nga kardinali Xhanfranko Ravazi me një anekdotë të pas Konklavit për zgjedhjen e Atit të Shenjtë:
“Ngjarje emblematike është ajo e një besimtari, i cili ndali makinën, ndërsa unë po shëtisja përgjatë lumit Tiber. Zbriti dhe më tha: ‘Shikoni, unë ju njoh, ju ndjek, por nuk jam besimtar. Vazhdoj të mos i besoj Zotit, por, pas Konklavës suaj, filloj të kem dyshime se ekziston Shpirti Shenjt…”








All the contents on this site are copyrighted ©.