Përvjetori i martirizimit të 64 besimtarëve katolikë të bashkësisë kishtare të fshatin
Bishtazhin të Gjakovës. Në muajin prill të vitit 1941, datat 13, 14, dhe 15,
pikërisht të Premten e të Shtunën dhe të Dielën e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit,
ndodhi vrasja, më mirë të themi masakra barbare masive ndaj katolikët shqiptarë të
fshatrave të rrethit të Gjakovës, posaçërisht të fshatrave të famullisë kishtare ‘Zoja
Rruzare’ të fshatin Bishtazhin. Masakra e mase 64 besimtarëve katolikë shqiptarë
qe organizuar e planifikuar mirë nga komunistët gjakovarë dhe miqtë e tyre, të nxitur
nga urrejtje ndaj fesë së krishterë katolike “in odium fidei.“ Dëshminë e kësaj
tragjedie e gjemë në arkivin e zyrës së Kishës famullitare ‘Zoja Rruzare’ të fshatit
Bishtazhin, komune e Gjakovës, në Librin e regjistrimit të të Vdekurve të vitit 1941,
nr. 28-78, faqe 94-100. Këtu janë të regjistruar: 64 të vrarët të masakruar,
por sipas dëshmisë së banorëve që i kanë përjetuar ato masakra, numri i të vrarëve
është shumë, shumë më i madh. Vetëm në Xhaminë e fshatit Rugovë janë të vra 67 vetë.
Ja një dëshmi nga Pjetër Domgjoni “Tri ditët e Pashkëve të vitit 1941 të
gjithë katolikët e rrethit Gjakovës kanë pas: Xhamë e vaji e gjak e lotë, tregonte
shpesh herë me lotë në sy nana jonë. I kam pas vetëm 13 vjeçe, kur një burrë i armatosun,
ma pat vue manxerrën në gjoks tuj m’bërtitë: Kallëzo ku janë burrat? E unë prej frikës
ia fillova me kjajtë e ai me za edhe ma të madh bërtiste: Kallëzo se të vrava? Mandej
ka ardhë nji tjetër ushtar e i ka bërtitë: Hiqja manxerren prej gjoksit fëmijës, more
i poshtër, ku e di ajo se ku janë burrat. E së bashku me ushtarët tjerë, kanë shkue
e kanë marrë: babën tem së bashku me 15 mashkuj tjerë, bile ndër ta ka kenë edhe nji
babë me djalin 16 vjeç e i kanë çue në lug të Kabashit dhe i kanë ba rresht e ma së
parit e kanë vra djalin 16 vjeç e mandej të gjithë. Na as s’kemi guxue me i marrë
kufomat, por thonë se këta burra i patën vorrosë gratë e Markagjinve në vorre të Kodërnezhës.
Po burrat tjerë, oj nanë? Burrat tjerë: Me gra, me fëmijë e bagëti, për me pshtue
gjallë, e patën kalue Drinin e kjenë strehue në katundet Gexhe e Radoste dhe katundet
tjera të fesë myslimane, por që ishin vllazënit tonë të nji gjaku. Këto vrasje
me pushkë, u banë në katundin e Marmullit, të dielën e Pashkëve, më 15 prill 1941.
Kurse në katundin e Bishtazhinit, nji grup burrash sipas shenimeve të arkivit 11,
por sipas banorëve të Bishtazhinit shumë ma tepër, i kanë marrë e çue në xhami të
Rugovës e ma së pari i kanë detyrue me u falë e mandej me bajoneta, i kanë ba copa
e grima. Kurse grupin tjetër po ashtu i kanë çue në xhami të Rugovës dhe e kanë detyrue
me u falë e mandej pas shpine i vranë me rrafale plumbash. Prej atij grupi, shpëton
gjallë Marka Çupi dhe kthehet në Bishtazhin, katundi i tij i lindjes. Këto vrasje
e masakra janë ba të Premtën e Madhe të Pashkëve më 13 prill 1941. Vrasje të tilla
masive janë ba edhe në të gjitha katundet tjera, por unë këtu po i veçoj disa NOUN,
GJONIN, TUNËN, NIKOLLËN, MUSËN DHE PALUSHIN. Të gjithë djemtë e GJIN KOLË LASKUT prej
Smaçit që së bashku me mashkujt tjerë të asaj familjeje janë vra të Shtunën e Madhe
më 14 prill 1941. Thonë se në atë familje ka qenë shtatëzanë nji grue e cila ma vonë
ka lindë djalë dhe e ka përtri përsëri familjen. Kurse në katundin Ujzë pasi i kishin
vra të gjithë antarët e familjes Gjon Prenkë Kolës, vrasin edhe PASHKEN, (foshnjën
e gjashtë ditëve). Poashtu në fshatin Pjetrashan pasi i kishin vra të gjithë antarët
e familjes Pashk Mark Ndout, komunistët, vrasin edhe antarin e fundit të kësaj familjeje:
ZEFIN, (foshnjën e një dite). Vrasje e masakra janë ba edhe në katundet: Kusar,
Dol, Fshajë, Kushavec, Raçë, Brdoasanë, Trravë, Moglicë, Dujakë e tj. Po cili ishte
shkaku i atyne vrasjeve e masakrave gjatë atyne tri ditëve të Pashkëve? “Komunistët
gjakovarë dashtën me na zhbi prej faqes së dheut. Ky ishte shkaku. Unë tjetër shkak
nuk di. Unë kur jam kthye prej lufte, në shpi teme, i kam gjetë tre mashkuj të vramë
prej komunistëve gjakovarë. Mu përgjegj plaku 96 vjeçar, Toma i Marka Gjinit prej
katundit Marmull”. Po i kujtojmë këto vrasje për të mos harruar ata besimtarë e
burra të vërtetë si Hilin e Nikollë Dedës me dhjetëra e me dhjetëra besimtarë të tjerë
që u vranë e masakruan nga komunistët gjakovarë gjatë atyre PASHKËVE TË PËRGJAKURA,
vetëm e vetëm pse ishin besimtarë katolikë. Në shenjë nderimi e respekti ndaj këtyre
martirëve të fesë e të kombit. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. “Ashtë për të
ardhun keq se asnjë herë nuk ashtë shkrue për këto vrasje e masakra masive të organizueme
prej gjakovarëve e në bashkëpunim me çetnikët serbë mbi besimtarët katolikë të asaj
ane. Por ashtë për tu admirue dalja në ndihmë e besimtarëve myslimanë për shpëtimin
e vëllaznive të tyre të nji gjaku, por me besim të krishtenë. Komunistët e Gjakovës
me shokët e tyne ndoshta kanë pas për qëllim që të mbjellin urrejtje në mes dy besimeve
të shqiptarëve, por mundi u ka shkue kot. Gjatë luftës së fundit që ndodhi në Kosovë.
Banorët e Gexhës, Radostes e katundeve tjera të bregut Drinit. Me burra, gra e fëmijë
kanë kalue Drinin e kanë dalë dhe kanë gjetë strehim në fshatin Marmull. Ka familje
e shtëpi në Marmull që ua ka rregullue strehimin dhe i kanë mbajtë me bukë vëllaznitë
myslimanë deri në gjashtëdhjetë vetë edhe atë disa ditë me radhë, derisa kanë komunistët
e i kanë përzanë edhe prej fshatit Marmull. Drini i ndanë apo i lidhë besimtarët katolikë
me besimtarët myslimanë të fshatrave që përmendem, e vende vende i kanë edhe arat
e përzieme, por nuk mbahet mendë kurrë të ketë ndodhë ndonji incident edhe ma i vogël,
e prite o Zot ndonji rrahje mes atyne banorëve” pohon Pjetër Domgjoni.