2013-04-14 16:42:34

Shtegtim simbolik, pas Papës Françesku, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës.


Me fjalën Bazilikë kuptojmë qelëzen ku, në kohët e para të krishterimit, varrosej një njeri e nderohej kujtimi i tij. Prandaj ndërmjet “bazilikës”, në kuptimin e një Kishe madhështore, që ka marrë kjo fjalë sot, e “bazilikës”, në kuptimin e lashtë të saj, ka një lidhje të ngushtë. Dy nga bazilikat më të mëdha, që njeh bota e krishterë: e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit, janë ngritur pikërisht mbi vendet ku qenë varrosur apostujt e maritirizuar.
Shën Palit iu pre koka në rrugën Ostiense dhe u varros në një copë tokë, që i përkiste matronës romake, Luçina, po në rrugën Ostiense. Shën Pali pati një fund më të denjë se Shën Pjetri. I prenë kokën. Nuk mundën ta poshtërojnë, si Shën Pjetrin, sepse ishte qytetar romak. E po për këtë arasye, ia shkurtuan kokën jashtë mureve të Romës, që qyteti të mos përlyhej me gjakun e qytetarit i cili - për ekzekutuesit - ishte i pabesë. Prej këndej bazilika quhet: e Shën Palit jashtë Mureve.
Vendvarrosja e Apostullit është saktësuar nga gërmimet arkeologjike, te cilat kanë nxjerrë në dritë qelëzen e mbrojtur nga një rrjetë hekuri, që ruante reliket e Apostullit. Bazilika e parë mbi këtë varr u ngrit nga Perandori Kostandin. Aty nga shekulli IV, perandori Theodosi filloi zgjërimin e saj. Punimet përfunduan në kohën e perandorit Onorio e të Papës Leoni I (440-46). Më vonë Bazilika u rindërtua dhe u dekorua nga perandoresha romake, Plaçidia. Pësoi dëmtime të rënda nga një zjarr i furishem në vitin 1823, pas të cilit u rindërtua mbi themelet e vjetra, sipas modelit të Bazilikës së lashtë.
Kiostri me 150 shtylla dhe shtatorja madhështore e Shën Palit të japin menjëherë përshtypjen e një bazilike tipike romake. Fasada, e stolisur me mozaikë, vetëtin nga ari, nga ngjyrat, nga drita… Në pjesën e fundit të fasadës, ndërmjet të tjerave, ndodhet porta e bronzit, vepër e Marainit. Bazilika, me pesë navata, ka përmasa shumë të mëdha, që të bëjnë përshtypje të jashtëzakonshme e të menjëhershme. Përshtypja thellohet kur shikon radhën e pafund të shtyllave dhe dritën mistike, që zbret nga dy sërë dritaresh prej alabastri. Lart, në tavanin në stilin e Rilindjes, shkrihen e bardha me ngjyren e arit; poshtë, dyshemeja shkëlqen me mijëra reflekse. Ndërmjet dritareve dhe shtyllave zgjatet një numër i madh medalionesh në mozaik, që paraqesin portretet e papëve të ulur njëri pas tjetrit në Selinë e Shën Pjetrit.
Mozaiku i harkut triumfal është vepër e shkëlqyer e shekullit V, punuar sipas urdhërit të perandoreshës Gala Plaçidia.
Baldakini i stilit gotik, që ngrihet mbi katër shtylla porfidi, në harmoni të plotë me linjat tjera, është vepër e Arnolfo di Kambio (shek. XIII).
Nën elterin papnor, që njihet si “Varri i Apostullit” ndodhet arka prej mermeri me reliket e Aposotullit të Popujve.
Në të djathtë të baldakinit mund të sodisim kandelabrin e famshëm të Pashkëve, të gdhendur në mermer aty nga shekulli XII.
Në “Kapelen e Sakramentit” që ka shpëtuar nga flakët, ndodhet “ I Kryqëzuari”, vepër përpara së cilës është gjunjëzuar sa herë shën Brixhida.
Mbi absid shtrihet, në përmasa të mëdha, mozaiku me sfond prej ari.
Kiostri kosmatesk i Bazilikës mund të konsiderohet si një nga monumentet më në zë të artit, që kanë dalë nga duart e artistëve romakë të mermerit e të mozaikëve.
Nuk jemi ne shtegtarët e parë shqiptarë që shkelim në dyshemenë vetëtitëse të Bazilikës së Shën Palit. Që vijmë të gjunjëzohemi te Varri i Apostullit. Një ndër shtegtarët e njohur ka qenë Atë Bernardin Palaj - poet i madh e martir i fesë së krishterë në Shqipëri. Ja si shkruan Atë Bernardini për mbresat qe i la Bazilika: “ … ma e bukra, për sy të mi, Kishë e botës…Sigurisht këtu ma të bukurit mermere, ma të kushtueshmit…
Kushdo që hin, kushdo kjoftë ai, para ketij kolosit të artit kristian, mbetë i ngrimë… Këtu shtyllat, me qindra, të gjana, mos me i pershî dy burra e të tana një copet, të bajnë përshtypje të paharrueshme… Kaloj një orë qetësimi të mendes e të shpirtit te Vorri i Shen Palit. Mandej sodis lteret e tjerë për rreth, ku gjithçka lumnon Zotin në shkallen ma të naltë të artit…
Sa e keqe të duket bota, kundrue prej çastit kur del nieri prej Bazilikës së Shën Palit. Ç’vegim… ç’konstrast… ç’zhurmë…
Ah, Shën Pali ! Sa herë që e shof, thom: Dam me e shkri zjarmi këtë tempull edhe diten e gjyqit! Edhe në Parriz kishte me kene ma e bukura lule e artit kristian… (“Zani i Shëna Ndout” 1923, fruer).
Bazilika e Shën Palit ka pasur një kumbonare të shek. XI, e cila u rindërtua pas tërmetit të vitit 1948, u përgjysmua nga një goditje rrufeje me 1431 dhe u ngrit përsëri pas vitit 1823. Po e përmendim, sepse ka një formë të veçantë, simbolike: lartohet si një far për shtegtarët që, nëpër udhen Ostiense, shkojnë drejt detit. Eshtë Shën Pali ky far, që ndriçon me dritë të pashuar shtegtimin e njerëzve. E edhe shtegtimin tonë simbolik mbas Papës Françesku, që përfundon këtu, te Bazilika e Apostullit të Popujve, atij që u predikoi kombeve Fjalën e shpëtimit. Sikur na grish edhe ne të vazhdojmë këtë predikim ndërmjet njerëzve të kohëve moderne, në rrugët e kombit tonë, që ka aq nevojë për Fjalën e Shëlbimit…Të cilën sot e predikoi këtu Papa Françesku, duke marrë në dorëzim Bazilikën.







All the contents on this site are copyrighted ©.