2013-04-12 16:23:49

Papa teologëve: Bibla nuk interpretohet vetëm, por duke ecur në gjurmët e traditës


“Interpretimi i Shkrimeve të Shenjta nuk është vetëm përpjekje shkencore individuale, por duhet të vërtetohet e të ballafaqohet gjithnjë me Traditën e gjallë të Kishës”. Kjo normë vendimtare për lidhjen e saktë ndërmjet ekzegjezës e magjisterit, ishte sot në qendër të fjalimit të Papës Françesku, drejtuar anëtarëve të Komisionit Biblik, në përfundim të mbledhjes së tij plenare, kushtuar temës “Frymëzimi dhe e vërteta e Biblës”.

Ç’janë Shkrimet e Shenjta? Cila është vlera e traditës e cili roli i ekzegjetit? Papa Françesku, duke u folur anëtarëve të Komisionit Biblik, u ndalua tek temat themelore, jo vetëm për besimtarin, por për mbarë Kishën, jeta e misioni i së cilës bazohen mbi Fjalën e Zotit, shpirt i teologjisë e njëherësh, frymëzuese e jetës së krishterë:
Siç e dimë, Shkrimet e Shenjta janë dëshmi, në formë të shkruar, e Fjalës hyjnore, përkujtesë kanonike, që vërteton ngjarjen e Zbulesës. Fjala e Zotit, pra, i prin Biblës dhe e tejkalon atë”.
Pikërisht për këtë arsye, shpjegoi Papa, për ta kuptuar Shkrimin Shenjt, është e nevojshme prania e përhershme e Shpirtit të Zotit, e edhe udhëheqja e Magjisterit, siç ka ndodhur në Traditën e madhe e si e sanksionon edhe Koncili II i Vatikanit:
“Koncili II i Vatikanit ripohoi me qartësi të madhe në Kushtetutën dogmatike Dei Verbum: ‘Gjithçka ka të bëjë me mënyrën e interpretimit të Shkrimit Shenjt i nënshtrohet, në instancën e fundit, gjykimit të Kishës, e cila zbaton mandatin hyjnor e misionin ta ruajë e ta interpretojë Fjalën e Hyjit”.
Ekziston, prandaj, një unitet i pandashëm, nënvizoi Papa, duke vijuar të citojë Kushtetutën Konciliare, ndërmjet Shkrimit të Shenjt e Traditës, që plotësojnë njëri- tjetrën e komunikojnë njëri me tjetrën, sepse burojnë nga e njëjta gurrë e kanë të njëjtin qëllim. Njëri e tjera duhen pranuar e duhen vlerësuar me të njëjtën përshpirtëri e nderim:

“Në të vërtetë, Shkrimi i Shenjtë është Fjala e Zotit, sepse u shkrua përmes frymëzimit të Shpirtit Shenjt, ndërsa Tradita kishtare transmeton tërësisht Fjalën e Hyjit, që iu besua nga Krishti Zot e nga Shpirti i Shenjtë Apostujve e pasardhësve të tyre, me qëllim që këta, të ndriçuar nga Shpirti i së vërtetës, me predikimin e tyre, ta ruajnë besnikërisht, ta paraqesin e ta përhapin. Në këtë mënyrë Kisha e fiton sigurinë e saj për të gjitha sendet e zbuluara, jo vetëm nga Shkrimi Shenjt”.
Prej këndej, vlera e rolit të ekzegjetit të teksteve biblike, për të cilin është i pamjaftueshëm interpretimi subjektiv, nënvizoi Papa Françesku, ashtu si nuk është e mjaftueshme një analizë, që nuk e përfshin kuptimin global, krijuar në shekuj nga tradita e nga mbarë populli i Zotit:
“Interpretimi i Shkrimeve të Shenjta nuk mund të jetë vetëm përpjekje shkencore individuale, por duhet ballafaquar vazhdimisht, duhet radhitur e vërtetuar nga tradita e gjallë e Kishës. Kjo normë është vendimtare për të saktësuar lidhjen korrekte e reciproke ndërmjet ekzegjetëve e Magjisterit të Kishës”.
Duke u përshëndetur me anëtarët e Asamblesë, të cilët i inkurajoi në punën e tyre, Papa ia besoi Virgjërës Mari, model i bindjes ndaj Fjalës së Zotit:“Ju mësoftë ta pranoni plotësisht pasurinë e pashterrshme të Shkrimit Shenjt, jo vetëm përmes kërkimit shkencor intelektual, por edhe përmes lutjes e gjithë jetës suaj si besimtarë, në mënyrë të posaçme, në këtë Vit të fesë. E kështu puna juaj do të ndihmojë që drita e Shkrimit Shenjt t’i ndriçojë zemrat e besimtarëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.