2013-04-12 14:33:40

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Pashkëve 'C'


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit që kremtohet e kumtohet në Meshën Shenjte të së Dielës. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 3-të Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Mendimi që mbizotëron liturgjinë e kohës së Pashkëve është prezenca e Jezusit të Ngjallur. Kjo është e vetmja gjë që na intereson e që ka rëndësi, sepse kemi nevojë për Të. Vetëm për Të.
Krishti i Ngjallur është i pranishëm në histori, ndërhyn realisht në ngjarjet njerëzore e sidomos atëherë kur “peshkimi” është i pafrytshëm, atëherë kur punët nuk ecin për së mbari, atëherë kur gjendemi me duar thatë pas mundimeve që kemi bërë për të arritur diçka, atëherë kur mbyllemi në vetmi tona absurde, duke harruar premtimin e Tij, se është me ne gjithmonë.
Sikur do të vërejmë më vonë, edhe në këtë diele të 3-të të Pashkëve, pjesët biblike që kumtohen në Meshën Shenjte, vazhdojnë të na paraqesin përjetimin dhe eksperiencës e Pashkëve, duke e zgjatur në mënyrë të këndshme takimin shpirtëror në fe me Krishtin e Ngjallur, i cili na bën të gjithëve protagonist, secilin prej nesh në kushte e rrethana të veta e të ndryshme. Jezusi e ripërtërinë thirrjen e tij bërë apostujve dhe thirrja e Tij i bind që të bëhen peshkatarë njerëzish.
Kështu pra, rezultati përfundimtar i takimit tonë me të Ngjallurin është shkëndija që e ndez dhe bën të rritet e të shtohet e mira e përbashkët.
Pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Gjon Ungjilltar (Gjn 21,1-19), na tregon për dëftimin e tretë të Jezusit ë Ngjallur në liqe, në vendin e gjatë punës së zakonshme të nxënësve të vet, derisa po peshkonin. Me gjeste të thjeshta e të përditshëm Krishti Gjallë u mundëson të vetëve ta njohin se kush është Ai dhe i bën protagonistë, në role të ndryshme: kështu grupi i apostujve përjeton një peshkim papritur, të mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, e nxënësi i dashur (shën Gjoni) e percepton, e kupton se Njeriu në bregun e liqenit është Zotëria JEZUS, shën Pjetri do të arrijë i pari përmes notimit tek Ai, e të gjithë përfitojnë nga shoqërimi – prezenca e Tij e ëmbël dhe e këndshëm gjatë drek
Të përforcuar nga përjetimi i ngjalljes së Mësuesit e të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, Pjetri e apostujt tjerë nuk sprapsen para kërcënimeve që merrnin prej autoriteteve të larta civile e politiko-fetare judaike. Njerëz të thjeshtë e në dukje të parë jo të përgatitur, i bëjnë ballë dhe qëndrojnë trimërisht para autoriteteve supreme Judaike.
Kështu, Leximet Biblike të kësaj së diele na paraqesin dëshminë apostolike për Krishtin e Ngjallur, na tregojnë për predikimin e tyre guximtar para autoriteteve civile të kohës duke ripohuar fenë në Hyjin e Gjallë e Veprues, që u ka besuar misionin e tij Hyjnor për të ruajtur grigjën, për kullotjen e udhëheqjen e grigjës (popullit). Apostujt e çonin para planin e shpëtimit për mbarë njerëzimin që Krishti i Gjallë u kishte besuar.
Sikur Pjetrit atë kohë, edhe neve sot, Jezusi na bën të njëjtën pyetje: “A më do ti mua?” E sikur nga Pjetri mori përgjigje dashurie, dhe atë e bëri bari e udhëheqës shpirtëror të të gjithë besimtarëve, po ashtu sot Jezusi pret përgjigjen tonë personale: “ A më do ti mua?”.
Kjo do të thotë se dashuria është gjithçka, se është çdo gjë në jetë: dashuria është fillimi, është forca, është mënyra, është sekreti i suksesit, është arsyeja e vetme për të cilën ia vlen të jetosh, të vuash, të veprosh, të pësosh, të qëndrosh, të shpenzosh të gjitha fuqitë shpirtërore e njerëzore.
Dashuria na sjell drejt e në zemër të Zotit dhe në zemër të të afërmit tonë. Gjithmonë e në çdo çast, duhet ta duam Zotin e të afërmin: Zotin “me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me gjithë mendje”, e të “afërmin porsi vetveten”. (Mt 22,37.39).
“Këtë – thotë shën Augustini – duhet gjithmonë ta mendoni, ta meditoni, ta zbatoni e mishëroni.” “Ti, zbatoje dashurinë duke filluar nga i afërmi, me të cilin udhëton; kështu do të mbërrish tek Ai (Jezusi) me të cilin dëshiron të jesh përgjithmonë”.
Kështu, të jesh apostull, të jesh i krishterë do të thotë të jesh dëshmitar i gjallë, veprues e pohues jo vetëm i asaj që ka ndodhur në kohën e Jezusit, por edhe të asaj që sot Zoti bën dhe don të bëjë përmes nesh, përmes veprave të tona të përditshme, ta përçojë dashurinë e ofroi shëlbimin çdo njeriu.
Në këtë diele të Pashkëve, për të tretën herë pas ngjalljes, Jezusi u shfaqet nxënësve të vet. Pas ngjarjeve të Pashkëve, ecja e besimit të nxënësve duhet të vazhdojë: Ungjijtë janë të gjithë të njëzëshëm kur tregojnë vështirësinë e të krishterëve të parë për të besuar. Është një lodhje që akoma ne çdo ditë e përjetojmë.
Në Ungjillin e sotëm vërejmë dy momente: së pari Jezusi u kërkon nxënësve, që nuk kanë zënë asgjë gjatë peshkimit të natës. që t’i japin ndonjë gjë për të ngrënë; pastaj Ai vetë fillon të gatuajë peshkun për ta si një person që shërben me dashuri. Ai i kishte paralajmëruar: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë”.
Dhe pikërisht mbi dashurinë Ai pyet Pjetrin duke i kërkuar për tre herë të dëshmojë dashurinë që për tre herë kishte mohuar. Përballë dobësisë së Pjetrit, i dobët si të gjithë ne, zbulohet madhështia e besnikërisë së Jezusit ndaj njeriut. Dialogu mes Jezusit dhe Pjetrit na thotë se nëse gabojmë, Jezusi nuk kujton gabimin tonë, por na fton të bashkëpunojmë në planin e madh të dashurisë së Hyjit.
Pjetri i forcuar nga prania e gjallë dhe reale e të Ringjallurit mund të deklarojë: “O Zot, ti e di që unë të dua”. Si përgjigje Jezusi i beson kujdesin baritor të grigjës së tij. Mbi të vetmen barkë, simboli i Kishës të vetme, të gjithë nxënësit janë të udhëhequr nga Pjetri. Në Kishë secili i shpall Krishtin vëllait tjetër siç ka bërë Gjoni me Pjetrin duke i thënë “Është Zotëria!” Asnjë nuk mund të njohë apo të ndjekë Krishtin i vetëm.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Vap 5, 27-32. 40-41
Pjetri me shumë çiltërsi, rrëfen para Sinedrit besimin e vet në Krishtin e ringjallur. Ishte e nevojshme të tregohej vdekja dhe ringjallja e Krishtit me terma që të kujtonin personin e Moisiut. Në fakt Pjetri e ka rinjohur Jezusin si “Prijës dhe Shëlbues”; tituj të tillë i ishin dhënë edhe Moisiut. Si njëri, ashtu edhe tjetri janë bërë kryetarë dhe shpëtimtarë të popullit edhe pse kanë qenë mohuar nga populli.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, i sollën apostujt e i qitën para Këshillit të Lartë. Kryeprifti i pyeti: “Po a nuk ju kemi urdhëruar zyrtarisht që të mos mësoni më në atë Emër? Dhe, ja, ju e keni mbushur mbarë Jerusalemin me mësimin tuaj dhe doni ta ngarkoni mbi ne gjakun e atij njeriu.”
Pjetri dhe apostuj përgjigjën: “Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit e faljen e mëkateve. Për këto ngajarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen.”
I thirrën apostujt, i rrahën me frushkull, u urdhëruan që të mos flasin më në Emër të Jezusit dhe i lëshuan. Apostujt e lëshuan Këshillin plot gëzim pse qenë çmuar të denjë të durojnë ndonjë fyerje për nder të emrit të Jezusit. Dhe çdo ditë, si në Tempull ashtu edhe në shtëpi, nuk pushonin duke mësuar e shpallur Lajmin e mirë mbi Jezusin Mesi. Fjala e Zotit.
Psalmi 30
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
--- --- ---
O Zot, Hyji im,
unë të thirra e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
--- --- ---
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!
--- --- ---
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare.
O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!
--- --- ---
Leximi i dytë Zb 5, 11-14
Një turmë e madhe që i brohoret Qengjit që i ka shpëtuar është imazhi i asaj që ndodh në Qiell. Një shenjë e kësaj asambleje festive është për ne Eukaristia që duhet të kremtojmë me më shumë entuziazëm dhe bindje. Hyji është pronari i vërtetë i historisë: nuk është një që mbizotëron, por një qengj i therur.
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë, Gjoni, në vegim dëgjova zëra shumë engjëjsh përreth fronit, gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë, mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash. Brohorisnin me zë të lartë: “I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!”
Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: “Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!” Kurse katër gjallorët thoshin: “Amen!” – ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan. Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
U ngjall Jezu Krishti, dhe i shëlboi
njerëzit në mëshirën e vet.
Aleluja
Ì Ungjilli Gjn 21, 1-19Jezusi është në bregun e detit të Galilesë, simbol i amshimit, ndërsa nxënësit e tij gjenden në det në vështirësi e në rrezik. Nuk e njohin menjëherë Jezusin. Vetëm besimi mund t’i ndihmojë ta njohin. Jezusi vetë përgatit drekën dhe ha me ta pas peshkimit të mrekullueshëm. Pastaj ripohon Pjetrin, i cili e pati mohuar, si bariun kryesor të grigjës.Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu. Ishin bashkë Simon-Pjetri, Toma që quhet Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy tjerë prej nxënësve të tij.
U tha Simon-Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” – i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur zbardhi drita, qe, Jezusi në breg. Nxënësit nuk dinin se ishte Jezusi. Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” – përgjigjën ata. Ai u tha: “Qitni rrjetën në anë e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.
Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon-Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm – sepse ishte i zhveshur – dhe u hodh në det. Nxënësit tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk. Sepse nuk ishin larg bregut – kund dyqind kutë. Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. Jezusi u tha: “Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”
Atëherë Simon-Pjetri hypi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun. Ishte kjo hera e tretë që Jezusi u dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.
Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon-Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri – i përgjigji – Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi!” – i tha Jezusi. Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” – i përgjigji Pjetri. “Kulloti delet e mia!” – vijoi Jezusi. I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe i përgjigji: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”
I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia! Përnjëmend, përnjëmend po të them: kur ti ishe më i ri e ngjeshje vetveten dhe shkoje kah doje; porse kur të plakesh, do t’i hapësh duart e një tjetër do të ngjeshë e do të çojë ku ti nuk dëshiron.” I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Mandej i tha: “Më ndiq mua!” Fjala e Zotit!Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu...................RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.