2013-04-12 12:33:34

13 vjet më parë vdiste imzot Robert Ashta, ipeshkëv i Pultit


Ishte e diela e Pashkëve të Ngjalljes, 12 prill 1998, rreth orës 3 të pasdites, kur ndërroi jetë ipeshkvi i dioqezës së Pultit, imzot Robert Ashta, ndërsa kishte kremtuar një Meshë solemne në malet e Dukagjinit e përgatitej t'i çonte Krishtin Eukaristik një malësori që po jepte shpirt në Dushman. Udhëtonte kështu, mbi mushkë, ndërsa po i afrohej cakut të fundit të jetës së vet tokësore.

Imzot Robert Ashta lindi në Shkodër më 22 gusht 1918. Shkollën fillore e të mesme i kreu pranë Kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol të Shkodrës. Veshi zhgunin e fretërve të vegjël më 13 korrik 1934 në Troshan, ku kreu edhe vitin e noviciatit. Pas kushteve të përkohshme, më 24 gusht 1935, vijoi të studionte në Shkodër. Më 23 gusht 1939 bëri kushtet e përjetshme në famullinë françeskane të Thethit. Nga viti 1939 deri më 1941 vijoi studimet filozofike e teologjike, të cilat i filloi në Sienë, i vijoi dhe i kreu në Motta di Levenza (Treviso).

Më 1941 mori urdhrin e diakonatit në Venedik, për t'u shuguruar më pas meshtar në Shenjtëroren e Zojës së Mrekullive të Motto di Leven-cës. (Treviso). U kthye menjëherë në Shqipëri dhe nisi shërbimin meshtarak në famullitë më të vështira malore të Dukagjinit e të Mirditës: më 1944-1946 shërbeu në Curraj të Epër; më 1946-1947 në Baz-Bushkash të Lurës. Gjatë këtyre viteve qe edhe profesor i matematikës në Liceun françeskan ‘Illyricum’.

U detyrua ta ndërpresë shërbimin meshtarak kur regjimi komunist e thirri nga elteri për të kryer shërbimin ushtarak. Iu desh të rrokte, me detyrim, pushkën, që deri atëherë nuk e kishte prekur kurrë me dorë. Si kreu shërbimin, u kthye rishtas në Baz- Bushkash të Lurës, ku shërbeu nga 1950 deri më 1955. Nga ky vit e deri më 1967, vit tragjik kur u mbyllën të gjitha institucionet fetare, qe famullitar në Vukël e Selcë. Nga 1974 deri më 1985 punoi si punëtor krahu për ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës e të Komanit.

Më 1990, kur Dom Simon Jubani kremtoi Meshën e parë të mbas salvimit komunist, imzot Robert Aashta, aso kohe françeskan, ndodhej pranë elterit të kapelës së varrezave, gati për ta vijuar kremtimin, në se do të ndodhte ndonjë e papritur, së cilës i druheshin të gjithë. Më 18 nëntor 1990 kremtoi Meshën e parë publike në Bajzë. Që nga 10 janari 1992 shërbeu si famullitar në Laç, duke e zgjeruar shërbimin edhe në Rubik, Baz-Bushkash e Lurë.

Pikërisht në këtë stinë të vonë të jetës, kur i kishte mbushur 75 vjet, ai u thirr për detyrën e rëndësishme të ipeshkvit. Ishte vetë Papa i Lumi Gjon Pali II që, gjatë vizitës së tij në Shqipëri më 1993, e shuguroi ipeshkëv të dioqezës së Pultit në Katedralen e Shkodrës. E ai, ndonëse tashmë prelat, vijoi t'i ngjitej maleve të thepisura, herë në këmbë e herë mbi mushkë, me kryqin e madh të Ipeshkvit fshehur paksa ndër palat e zhgunit. E pikërisht atje, në shtigjet e rrëpirëta, Krishti e thirri nga Pashkët tokësore, në Pashkët pa mbarim të Mbretërisë qiellore. Ishte 12 prill 1998, e Diela e Ngjalljes!







All the contents on this site are copyrighted ©.