2013-04-11 15:17:19

Çelësi i fjalëve të Kishës: Komenti i Papës Pali VI për "Besojmën", pjesa I


Gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, më 3 korrik 1968, Papa Pali VI komentoi “Besojmën”, të cilën e kemi transmetuar në emisionet tona të fundit. Është natyrisht “Besojma” e krishterë, por njihet si “Besojma e Palit VI”, pasi ai e shqiptoi nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Në emisionin e sotëm, fillojmë transmetimin e komentit të Papës, një javë më vonë. Por ja ç’tha Ati i Shenjtë:
“Të dashur bij e bija!
Sigurisht, e keni dëgjuar lajmin, të paktën jehonën, e “Besojmës”, me të cilën mbyllëm formalisht e solemnisht “Vitin e Fesë”; por, një përfundim i tillë, mund të quhet më mirë fillim, jo i një viti tjetër me të njëjtën temë, por fillimi i gjërave, që ajo(Besojma) dëshiron të nxisë; e janë të panumurta e të pafundme. “Besojma” s’mund të jetë tjetër, veçse një përmbledhje, një “simbol”, siç thuhet në gjuhën teologjike tradicionale, një formulë, një “regula fidei”, që përmban të vërtetat kryesore të fesë, në një formë me autoritet, por mundësisht, sa më të përqendruar dhe të shkurtuar. Që nga lashtësia e krishterimit, ishte sintezë e dogmave themelore të mësimit doktrinor, që kandidatët për pagëzim duhej t’i mësonin përmendësh; përdorimi i kësaj metode didaktike ka gjasa të ketë filluar në Romë; kujtohet në fillim të shekullit III në të ashtuquajturën “traditë apostolike” të Hipolitit, e cila ishte një lloj pyetësori, siç përdoret edhe sot në liturgjinë e pagëzimit (shih Denz.-Sch. 10); u besua atëherë se teksti u përkiste Apostujve, prej nga vjen emri “Simboli Apostolik”, prandaj u vlerësua jashtëzakonisht; Shën Ambrozi e sheh si traditë autentike, si atë “quod Ecclesia Romana intemeratum semper custodit et servat”, që Kisha e Romës e mbron dhe e ruan gjithmonë (Ep. 42,5; P.L. 16,1174); Koncili i Nikesë (325 pas Krishtit) e rimori në dorë dhe e zgjeroi, duke e bërë [këtë “Besojmë”] ashtu siç e themi dhe e këndojmë në Meshë, pas ndryshimeve të Koncilit I të Kostandinopojës (381 pas Krishtit) dhe pas shtesës së famshme të “Filioque”, sugjeruar natyrisht nga Perandori Henriku II dhe pranuar nga Papa Benedikti VIII (në vitin 1014); e më vonë, pranuar edhe nga Kisha Greke në Koncilin II të Lionit (1274) dhe në atë të Firences (1439) (shih Denz.-Sch. 125,150).
Shën Augustini, duke komentuar formulën ambroziane (që është pra, Simboli Apostolik), përfundon: “Kjo është feja që përmbahet me pak fjalë në Simbol e që u jepet të krishterëve të rinj” (De fide et symb., n. 25; P.L. 40,196)”.
Në emisionin e ardhshëm, do të vazhdojmë të përshkojmë fjalët e Palit VI mbi “Besojmën” e sidomos mbi detyrën e të krishterëve për ta studiuar dhe për t’u thelluar në të.








All the contents on this site are copyrighted ©.