2013-04-11 15:15:31

Papa Françesku pret “Papal Foundation”: 50-vjetori i “Pacem in Terris” na fton të impenjohemi për paqen në çdo nivel


“50-vjetori i Enciklikës ‘Pacem in Terris’, të të Lumit Gjoni XXIII – përvjetor, që bie pikërisht sot – qoftë nxitje për t’u impenjuar gjithnjë në promovimin e pajtimit e të paqes”. Urimi është i Papës Françesku, i cili, sot paradite, priti në audiencë rreth 120 anëtarë të “Papal Foundation”. Delegacioni i shoqatës bamirëse amerikane, themeluar në vitin 1988, kryesohej nga kardinali Donald Uërl, kryeipeshkëv i Uashingtonit.
Gjatë 25 vjetëve, që kanë kaluar nga formimi i Fondacionit, u tha Papa, “e keni ndihmuar Pasardhësin e Shën Pjetrit, duke përkrahur shumë vepra apostullimi e bamirësie, që ai i ka shumë për zemër”. Horhe Mario Bergolio kujtoi ndihmën për Kishat në vendet në zhvillim, formimin e klerit dhe të rregulltarëve, asistencën mjekësore për të varfërit dhe krijimin e mundësive të punësimit.
“Gjatë kësaj kohe Pashkësh, në të cilën Kisha na fton ta falenderojmë Zotin për mëshirën e Tij e për jetën e re, që kemi marrë nga Krishti i Ringjallur – tha Papa Françesku – lutem që të provoni gëzimin, i cili lind nga mirënjohja për dhuratat e shumta të Hyjit e që të mund t’i shërbeni Atij në të fundmit nga vëllezërit e motrat”. Ati i Shenjtë u kërkoi anëtarëve të “Papal Foundation” të vazhdojnë të luten për të, për nevojat e Kishës e sidomos, të luten që “mendjet e zemrat të kthehen kah bukuria, kah mirësia e kah e vërteta e Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.