Më 11 prill kalendari kujton shën Stanislaun, martir
Më 11 prill kalendari Kishtar kujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir. Kalendari
Kishtar më 11 prill përkujton shën Stanislaun, ipeshkëv e martir të Krakovisë. Mbreti
Boleslau II i Polonisë (1058-1079) kujtohet nga historia për fitoret e bujshme ushtarake
që e fuqizuan shtetin e tij të ri, duke ia zgjeruar kufijtë, në dëm të Rusisë, për
vlerësimin e tokave, të cilat i riorganizoi në mënyrë të re, për reformat juridike
dhe ekonomike. Por njëkohësisht historiani i parë polak, Vinçenc Kadlubek, e kujton
po këtë mbret si njeri të padrejtë, me një jetë tepër të shthurur private. E ndërsa
Boleslau vijonte të ecte në rrugë imorale, u ndesh me një kundërshtar të pamposhtur.
Ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi përballë Herodit, ipeshkvi guximtar i Krakovisë, Stanislau,
e ngriti fuqimisht zërin kundër sovranit, duke e qortuar rëndë e duke i kujtuar se
duhet të respektonte jo vetëm të drejtat e vetvetes, por edhe të të tjerëve. Stanislau
kishte lindur rreth vitit 1030 në Shzepanovo, në dioqezën e Krakovisë, nga prindër
të varfër. Si kreu mësimet e para ndër etërit benediktinë të Krakovisë, iu krijuan
kushtet për t’i plotësuar në Belgjikë, në studentatin e famshëm të Liezhit, ku edhe
u diplomua. U kthye menjëherë në atdhe, ku nisi të dallohej për zellin baritor e për
veprat e mira, që i realizonte me dashuri e urti. Si vdiq ipeshkvi i Krakovisë,
Papa Aleksandri II e emëroi atë në detyrën e lartë. Përveç popullit e klerit, emërimi
i tij u prit me gëzim të madh edhe nga vetë Boleslau II, i cili në vitet e para e
përkrahu fuqimisht në veprën e ungjillëzimit të të gjithë zonës si dhe në përpjekjen
për formimin e klerit shekullar vendas, që duhet të zinte pak nga pak vendin e murgjërve
benediktinë në mbarështimin e Kishës polake. Harmonia ndërmjet ipeshkvit e sovranit
nuk zgjati shumë, sepse mbreti i ri dredhoi rrugë e nisi të ecte në gjurmët e t’et.
E Stanislau guximtar nuk ngurroi t’i kundërvihej mikut. Kronikat e kohës tregojnë
se mbreti, i dashuruar me Kristinën, aristokrate me bukuri të rrallë e bashkëshorte
e Mieçislaut, e rrëmbeu atë, duke shkandulluar gjithë vendin. Ipeshkvi sypatrembur
e qortoi rëndë e pastaj edhe e mallkoi mbretin, duke ndezur flakë zemërimin e tij.
Boleslau II iu përgjigj mallkimit që iu bë para gjithë popullit duke e mbytur imzot
Stanislaun në sa çonte Meshë në Kishën e Shën Mikelit. E mbrapshtia e tij kishte arritur
deri në atë pikë, saqë e vrau me dorë të vet ipeshkvin trim. I nderuar nga polakët
që nga dita e martirizimit të tij, Stanislau u shpall shenjt më 17 gusht 1253 në bazilikën
e Shën Françeskut të Asizit e, që asokohe, kulti i tij u përhap me shpejtësi në Evropë
e në Amerikë.