2013-04-11 17:49:46

Fshati Marmull përuron Naltimin e Kryqit të Shenjtë


Në kuadrin e Vitit të Fesë dhe të 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos, të dielën pasdite më 7 prill 2013, në fshatin Marmull të Gjakovës, u përurua një Kryqi i bukur e i madh, simbol shëlbimi e dashurie të Zotit ndaj njerëzimit, që na mëson artin e pajtimin me njëri tjetrin dhe të solidaritetit me të afërmin e nevojtarët. Kështu, të Dielën e Mëshirës Hyjnore, më 7 prill, nën një shi të pareshtur, banorët e fshatin Marmull e të fshatrave tjera të famullisë Kishtare ‘Zoja Rruzare’, në udhëheqjen dhe organizimin e famullitarit, dom Marjan Demaj, morën pjesë në ceremoninë e bekimit të Kryqit, të cilin e udhëhoqi Vikari i Përgjithshëm i Kishës së Kosovës, dom Lush Gjergji. Në këtë ngjarje plot domethënie mori pjesë prifti, bir i këtij fshati, dom David Gjugja e shumë besimtarë tjerë të Marmullit, bijtë të tjerë të Marmullit ardhur nga diaspora e Gjermanisë e Zvicrës si dhe miq nga fshatra tjera të rrethinës.
Gjatë bekimit, dom Lush Gjergji u kujtoi të pranishmëve fjalët e Jezusit thënë nga Kryqi, fjalë që janë program jete e që ndihmojnë në përforcimin e fesë e të vëllazërimit. Në fjalën e tij, dom David Gjugja përgëzoi famullitarin dom Marjan Demaj e bashkëfshatarët e Marmullit për këtë nismë teje të rëndësishme e plot domethënie, që sigurisht do të bëhet çdo ditë më shumë pjesë e jetës dhe e dëshmisë së përditshme të dashurisë që Zoti ka ndaj nesh e të dashurisë e të respektit të çdonjërit ndaj tjetrit. “Prania e Kryqit të Krishtit në fshatin tim, Marmull, është gëzim i madh, është ngushëllim e inkurajim për të gjithë. Ky simbol Hyjnor na kujton identitetin tonë shpirtëror, rrëfen historinë e krishterë mase dymijë vjeçare në trevat shqiptare dhe na tregon shtigjet e udhës së jetës, të udhës drejt një të ardhme sa më të mirë e të lumtur për të gjithë”.
Riti i bekimit të Kryqit u shoqërua me këngë kishtare të kënduara nga të rinjtë vendas nën drejtimin e motrës rregulltare Volbona Ukaj nga fshati Dol. Pjesa e fundit e ritit të bekimit të Kryqit, u mbyll me bekimin nga dom Lush Gjergji dhe me lutjen ‘Tek Kryqi i Jezusi’ shqiptuar nga Brikena Gjugja.
Dom Marjan Demaj nënvizoi edhe një herë para besimtarëve rëndësinë e kësaj nisme që bëhet në Vitin e Fesë në fshatin Marmull e me nisma të ndryshme edhe në të gjitha fshatrat e famullisë së Zojës Rruzare, për të përforcuar besimin e njerëzve në Zotin dhe për të nxitur pajtimin e solidaritetin mes njëri tjetrit. Në këtë perspektivë e për këtë qëllim gjatë kohës së Krezhmëve nëpër shumë fshatra është kremtuar Udha e Kryqit. Së fundi dom Marjani falënderoj të gjithë e posaçërisht banorët e fshatit Marmull për kontributin e tyre duke uruar që Kryqi të jetë shenjë bekimi Hyjnor e vëllazërimi.
E vërtetë Kryqi i Jezu Krishti është çelësi i parajsës. Është libri më i bukur i të Kryqëzuarit të Ngjallur, Jezu Krishtit, që na rrëfen udhën e drejtë, të vërtetën e na tregon gurrën jetës. Nuk ka asgjë më të lartë se Kryqi për të kundruar botën, asgjë më të thellë për të gjetur kuptimin e ekzistencës sonë njerëzore. Jezu Krishti hyri në botë me Kryq e tani hyri edhe në çdo familje të Marmullit. Kryqi është simbol i shpërblimit dhe i shëlbimit, por edhe paradigma e jetës të të krishterit.
Në ditën e festës së bekimit të Kryqit të Shenjtë në fshatin Marmull ne e shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së Qiellit, Jetës së Amshuar, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit Apostull drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”. Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është shenjë e fitores mbi vdekjen. Është nder për ne të mburremi me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse në Të e kemi shëlbimin, jetën dhe ngjalljen tonë, në sajë të Tij kemi qenë shëlbuar e liruar nga e keqja e vdekja! I madh është misteri që na përkujton Kryqi. Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Sa herë i lartojmë sytë nga Kryqi, kujtojmë Atë që pësoi për ne, që na do, që na shkëputi nga pushteti i terrinave, duke pranuar vdekjen, për të na bërë trashëgimtarë të Jetës së Pasosur.
Por ç’kuptim ka ta naltosh Kryqin? Thua s’është shkandull të nderosh një mjet çnderues vdekjeje? Por Shën Pali Apostull thotë “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për Judenjtë, çmenduri për pagantë” (1 Kor 1, 23). Duhet pasur, veç, parasysh se të krishterët nuk naltojnë çdo lloj kryqi, por atë Kryq të cilin jezu Krishti e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt e dëshmi e dashurisë që s’njeh masë. Krishti mbi kryq derdhi gjithë gjakun e vet për ta çliruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Prandaj, nga shenjë mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi, nga simbol i vdekjes në vetë simbolin e dashurisë, që e mund urrejtjen e dhunën dhe lind jetën e pavdekshme. "O Crux, ave spes unica! O Kryq, të falem, ty, e vetmja shpresë!” . Kështu këndon liturgjia. E Ungjilltari rrëfen: tek këmbët e Kryqit të Krishtit ishte Maria (shih Gj. 19, 25-27). Dhimbja e saj dhe dhimbja e të Birit janë një. Është një dhimbje plot me fe e me dashuri. Virgjëra mbi Kalvar merr pjesë në forcën shëlbuese të dhimbjes së Krishtit, duke i shtuar “po’-në e saj pohimit të të Birit. Të bashkuar shpirtërisht me Zojën e Bekuar Rruzare, edhe ne t’i themi përsëri “po” Zotit, që zgjodhi rrugën e Kryqit për të na shëlbuar. Është një mister i madh që vijon akoma, deri në fund të fundit të botës e që na kërkon të bashkëpunojmë. Maria na ndihmoftë ta marrim çdo ditë kryqin tonë e ta ndjekim besnikërisht Jezusin në rrugën e bindjes, të flijimit, të pajtimit e të dashurisë.
Po kujtojmë se Kryqi në fshatin Marmull të Gjakovës është i lartë 10 metra e është realizuar nga arkitekti Ardian e vëllezërit Dodaj, me kontributin e banorëve të fshatit Marmull, sipas idesë e nën udhëheqjen e famullitarit të ‘Zojës Rruzare’ dom Marjan Demaj. E pikërisht dom Marjani, mikrofonin e Radio Vatikanit flet mbi domethënien dhe mesazhin e këtij simboli, ta dëgjojmë........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.