2013-04-10 15:16:12

Romët në Shqipëri, ende vështirësi integrimi


Sipas studimit "Faktorët që ndikojnë në integrimin e romëve në Shqipëri" të realizuar nga Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë dhe Idra, rezulton se shqetësimet kryesore të komunitetit rom në vendin tonë janë strehimi, punësimi dhe arsimimi.
Ky studim krahasimor synon paraqitjen e një tabloje vlerësuese të situatës në të cilën ndodhet komuniteti rom në Shqipëri.
Në ndryshim nga pjesa tjetër e popullsisë shqiptare, strehimi dhe kushtet e papërshtatshme të jetesës vazhdojnë të përbëjnë një problem të mprehtë të jetës së përditshme për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve rom. Nga ky studim, evidentohet se 18% e qytetarëve romë të intervistuar identifikojnë si problemin e tyre më kryesorë, strehimin. Gjithashtu rezulton se një në dy familje rome ose 49% e tyre, jetojnë në një banesë të përbërë nga një dhomë, shifër kjo mjaft domethënëse duke marrë parasysh numrin tradicionalisht të lartë të anëtarëve të një familje tipike rome.
Ndërkohë që vetëm 3% e familjeve jo-rome jetojnë në kushte të ngjashme.
Edhe punësimi mbetet gjithashtu si një ndër shqetësimet kryesore të anëtarëve të këtij komuniteti. Niveli i pamjaftueshëm arsimor dhe profesional, kanë bërë që aksesimi i tregut të punës të mbetet i paarritshëm për këtë komunitet. Sipas këtij studimi rezulton se parapëlqimet për llojin e punës, për anëtarët e komunitetit rom janë rreth 64% për punë të rënda fizike dhe krahasim me 26 % për punë intelektuale. Ndërkohë që 10% e të intervistuarve nga ky komunitet nuk kanë parapëlqime të veçanta.
Sipas të dhënave të përfituara nga ky studim rezulton një hendek shumë i madh ndërmjet nivelit arsimor të komunitetit rom krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë. Të dhënat tregojnë një nivel shqetësues të analfabetizmit midis qytetarëve romë, ku 37% e tyre nuk kanë kryer asnjë vit shkollë. Bazuar në mesataren e viteve të kryera të shkollimit, një qytetarë rom nuk ka arritur të mbarojë as arsimin fillor. Pengesat që mbajnë larg fëmijët romë nga shkollat janë të lidhura me pamundësinë ekonomike, martesat në moshë të re, lëvizja e shpeshtë etj.
Nga të dhënat e këtij studimi vihet re se 61% e të intervistuarve të këtij komuniteti shfaqin pakënaqësi kundrejt shërbimit arsimor.
Sipas studimeve që analizojnë historinë e komunitetit rom në Shqipëri, rezulton se gjatë periudhës së para viteve 1990, komunteti rom kishte një stad mirëqenieje ekonomike deri diku të krahasueshëm me pjesën tjetër të popullsisë. Ashtu si të tjerët ata gëzonin strehim dhe punësim të sigurt.
Ndërkohë, ndryshimet politike të pas viteve `90, sollën një sërë sfidash dhe për këtë komunitet ashtu si për të gjithë shoqërinë shqiptare. Sipas studimeve rezulton se komuniteti rom u gjend më i papërgatitur se komunitet e tjera. Kjo erdhi si pasojë e mungesës së kualifikimit profesional dhe njëkohësisht dhe mbylljes së shumë ndërmarrjeve shtetërore ku ata ishin të punësuar.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.