2013-04-10 15:44:04

Papa në audiencën e përgjithshme: t’ia dëshmojmë botës gëzimin e Ngjalljes së Krishtit.


Botës, së paaftë për t’i lartuar sytë drejt lartësive, të krishterët duhet t’i dëshmojnë, me jetën e tyre, se Hyji është Atë, që do gjithnjë. Ishte zemra e katekizmit, mbajtur sot paradite nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, në praninë e më se 30 mijë vetëve. Papa u shprehu afërsinë popullsive të dëmtuara nga tërmeti në jug të Iranit e, në çastin e përshëndetjeve, përdori, për herë të parë, gjuhën spanjolle.Është dashuria e krishterë, të cilën Papa Françesku ia komunikon turmës, para se të nisë çfarëdolloj mësimi; janë shikimet e tij plot dritë, është ngrohtësia, që përhapet nga çdo gjest, edhe nga ai i ndihmës që i jep një foshnjeje për të vënë përsëri në gojë biberonin e rënë, që i japin mish e eshtra fjalëve të tij, që i bëjnë të vërteta. Papa Françesku u ndal sot tek feja e krishterë, pa të cilën, theksoi, shembet e gjithë binaja, domethënë, foli për sigurinë se Jezusi vdiq, por pastaj u ngjall e rilindi në një jetë të re. Kjo jetë, pohoi, është edhe për ne, falë Pagëzimit, e shtoi:
“Është pikërisht Shpirti Shenjt, marrë në Pagëzim, që na mëson, na shtyn, t’i themi Hyjit “Atë”, ose më mirë “Abba” e “Baba”; kështu është Hyji ynë; është Atë për ne. E Hyji sillet me ne si me bijtë e tij, na kupton, na fal, na merr ngrykë, na do, edhe kur gabojmë”.
Duartrokitjet e përsëritura tregojnë se njerëzit kanë etje të dëgjojnë nga goja e Papës se Zoti është dashuri e falje, se nuk është vetëm gjykatës, por sidomos atë, me zemër shumë të gjerë:
“Ne mund të jetojmë si bij! E ky është dinjiteti ynë. Të sillemi si bij të vërtetë! Kjo do të thotë se çdo ditë duhet ta lëmë veten në dorë të Krishtit, që të na shndërrojë e të na bëjë si veten: do të thotë të jetojmë si të krishterë, të përpiqemi ta ndjekim, edhe kur shikojmë kufizimet e ligështitë tona”.
Por, shtoi, nuk duhet harruar se si Bij të Hyjit, jemi subjekte në rrezik, mbasi e kemi gjithnjë te porta tundimin për ta lënë Zotin mënjanë e për të vënë në qendër vetveten. Prandaj, nënvizoi me forcë, duhet të kemi guximin e fesë, të mos lejojmë të na marrë me vete rrjedha e mendësisë, që thotë: “Hyji nuk duhet gjë, nuk ka pikë rëndësie për ty, e kështu me radhë”:
Është pikërisht e kundërta: vetëm duke jetuar si Bij të Hyjit, pa na lëshuar zemra për rëniet tona, për mëkatet tona, duke e ndjerë se Ai na do, jeta jonë do të jetë e re, plot paqe e gëzim. Zoti është forca jonë. Është shpresa jonë”.
E Zoti është shpresë që nuk të zhgënjen, vijoi Papa, duke përsëritur tri herë rresht:
“Shpresa e ne, të krishterëve, është e fortë, e sigurtë, e patundur mbi këtë tokë, ku Zoti na thirri të ecim; e edhe në amshim, sepse e themeluar mbi Zotin, që është gjithnjë besnik. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë të fundit: Zoti është gjithnjë besnik, Zoti është gjithnjë besnik ndaj nesh. Të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve, por do të thotë të jesh në Krishtin, të mendosh si Ai, të veprosh si Ai, të duash si Ai”.
E kjo sjellje, përfundoi Ati i Shenjtë, do të jetë shenjë e qartë, e dukshme, e ndritshme për të gjithë:
“Është shërbim i çmuar. Duhet t’ia bëjmë kësaj botës sonë, që shpesh nuk mund t’i lartojë më sytë drejt lartësive, nuk arrin t’i lartojë më sytë kah Zoti”.
Në përfundim të katekizmit, Papa Françesku bëri thirrje për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti i djeshëm në Iran, që shkaktoi 40 të vdekur e 850 të plagosur: “Lutem për viktimat e u shpreh afërsinë time popullsive të dëmtuara nga kjo fatkeqësi e natyrës. Të lutemi për gjithë këta vëllezër e motra të Iranit”.
Një hollësi, për historinë e sapo nisur të papnisë së Françeskut: Ati i Shenjtë foli sot për herë të parë në një gjuhë, të ndryshme nga jo italiane. Me gjuhën e nënës, spanjishten, me të cilën përshëndeti, ndërmjet të pranishmëve, edhe drejtuesit e Klubit Sportiv të Shën Lorencit, skuadra ‘e zemrë’ e Papës së ri. Një përshëndetje tjetër e veçantë ishte ajo, që u drejtoi punonjësve të Institutit Dermatologjik të Zojës së Papërlyer, të tronditur nga kriza që po kalon struktura. Uroj, u tha Papa, që të gjindet sa më shpejt rrugëdalja nga një gjendje kaq e vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.