2013-04-10 15:03:07

Papa Françesku: është dashuria e Zotit, që shpëton, jo paratë, pushteti, krenia e kotë.


"Zoti aq shumë e deshi botën, sa të jepte Birin e vetëm, që kushdo të besojë në Të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur”. Ky pohim i Jezusit, në Ungjillin e liturgjisë së sotme, e përshkoi gjithë homelinë e shkurtër të Papës gjatë Meshës, kryesuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Me Atin e Shenjtë kremtuan kardinali Anxhelo Sodano dhe kardinali Anxhelo Komastri, në praninë e disa prej punonjësve të Fabrikës së Shën Pjetrit e të ministres italiane të Punëve të Brendshme, Ana Maria Kançelieri, shoqëruar nga familjarët.

Zoti, tha Papa, na shpëton me dashurinë e tij: nuk na shpëton me ndonjë letër a dekret, por me dashuri. Një dashuri aq e madhe, sa e shtyu ta dërgonte Birin e vet, që u bë një nga ne, eci me ne… e është pikërisht kjo, që na shpëton. Por, pyeti Papa, ç’do të thotë shpëtim? Ç’kuptim ka të shëlbohesh? Do të thotë, vijoi, të rifitosh dinjitetin e humbur, dinjitetin e bijve të Hyjit. Do të thotë të rifitosh shpresën.
Ky dinjitet rritet deri në takimin përfundimtar me Zotin. E kjo është edhe udha e shëlbimit, udha e bukur, që e bën kështu vetëm dashuria. Por problemi, nënvizoi, është se nganjëherë duam të shpëtojmë pa ndihmën e askujt, të shpëtojmë vetveten. Madje edhe besojmë se mund ta bëjmë këtë, duke u bazuar, për shembull, mbi paratë. Atëherë nisim e mendojmë: “Jam i sigurtë, kam para, kam gjithçka… s’kam pse shqetësohem, prandaj. Kam, mbi të gjitha, dinjitet, dinjitetin e njeriut, që të tund kokën me para”. Po kjo, theksoi me forcë Papa, nuk mjafton. Na e kujton më së miri shëmbëlltyra e Ungjillit, që flet për njeriun i cili, duke e pasur hambarin plot, mendonte. “Do të bëj një hambar tjetër e do ta mbush edhe atë plot e pastaj do të fle i qetë”. Por Zoti i tha: “O njeri i pamend! Sonte s’do të flesh, por do të vdesësh”. Ky lloj shpëtimi nuk vlen fare, është i përkohshëm, e vetëm në dukje.
Herë të tjera, vijoi, mendojmë të shpëtojmë me kreni, më mirë të themi, me mburrje, apo jo? Duke besuar se jemi njerëz të pushtetshëm, se s’ka si ne! Edhe kjo nuk shkon fare. Maskojmë, kështu, varfërinë tonë, mëkatet tona. I fshehim pas maskës së kotësisë, të mendjemadhësisë... Edhe kjo merr fund shumë shpejt. Shpëtimi i vërtetë, shëlbimi, është dinjiteti të cilin Zoti na e rikthen, përmes shpresës së Pashkëve të Krishtit.
Të bëjmë sot një akt feje e të themi, i ftoi të gjithë Papa: “Zot, unë besoj. Besoj në dashurinë tënde. Besoj se kjo dashuri më shpëtoi. Besoj se dashuria jote më dha dinjitetin, që nuk e kisha. Besoj se dashuria jote më jep shpresë!”.
E vetëm dashuria e Zotit mund të japë dinjitet të vërtetë e shpresë të vërtetë. Gjë e bukur të besosh në dashurinë, përfundoi Papa, kjo është e vërteta. E vërteta e jetës sonë. Të lutemi, prandaj: “O Zot, besoj në dashurinë tënde”. E ta hapim zemrën, që kjo dashuri të vijë, të na mbushë plot e të na shtyjë t’i duam edhe të tjerët. E ashtu qoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.