2013-04-10 12:27:12

Papa Françesku: Zoti është baba jonë


“Zoti i krishterë është atë, më mirë të themi “është babë, Hyji ynë është një babë”’. Kështu tha Papa Françesku duke folur jashtë tekstit që pati përgatitur për katekizmin e audiencës së përgjithshme, i cili u prit me duartrokitje të sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan mbushur përplot me besimtarë e shtegtarë të ardhur nga Vende të ndryshme për takimin e së mërkurës me Papën.
Ati i Shenjtë Françesku katekizmin e kësaj audience të përgjithshme ia kushtoi domethënies që ka Ngjallja e Krishtit për jetën tonë, duke u nisur nga letra e shën Palit drejtuar Romakëve. “Abbà atë”, vërejti Papa Bergoglio, është emri i Zotit të krishterë, e “është pikërisht Shpirti Shenjt që kemi marr në Pagëzim – komentoi Papa – Ai që na mëson, na nxit t’i drejtohemi Zotit duke e thirrur ‘atë’, më mirë të themi – shtoi – Zoti është babë, kështu është Hyji ynë, Ai është babë”. E në këtë çast shpërtheu duartrokitja e fuqishme e besimtarëve që e dëgjonin Papën në Sheshin e Shën Pjetrit para bazilikës së Vatikanit.
“Shpirti Shenjt – shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio – realizon në ne këtë gjendje e kusht të ri të të qenurit tonë bijë të Hyjit e kjo është dhurata më e madhe që marrin nga misteri i Pashkëve”. Zoti, shtoi Ati i Shenjtë, “na fal, na përqafon, na do edhe atëherë kur gabojmë, e qysh në Besëlidhjen e Vjetër Izaia profet shkruante se edhe nëse një nënë mund ta harron djalin e vet, Hyji ne nuk na harron kurrë, nuk na braktisë në asnjë moment”. Kjo është gjë e bukur”, komentoi Papa, duke shtuar se “prapëseprapë kjo marrëdhënie birnore e jona me Zotin nuk është si thesari që ne e ruajmë në një qoshe (skutë) të jetës sonë, por ajo duhet të rritet, duhet të ushqehet” nga sakramentet e nga dashuria”. “Ne kemi dinjitetin e bijve të Zotit. Të sillesh e të veprosh si bijë të vërtetë të Hyjit – vijoi Papa Françesku – do të thotë se çdo ditë duhet të lejojmë Krishtin të na shndërrojë e të na bëjë porsi Ai. Do të thotë të mundohesh ta ndjekësh pas edhe pse i shohim kufizimet tona e ligështitë tona njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.