2013-04-10 18:06:28

Ndërroi jetë kardinali Lorenco Antoneti: ngushëllimet e Papës


Sot, në Novara të Italisë, ndërroi jetë, në moshën 90 vjeçare, kardinali Lorenco Antoneti, kryetar nderi i Administratës së Pasurisë të Selisë Apostolike, ish-delegat për Bazilikën patriarkale të Shën Françeskut të Asizit.
Mesha e dritës do të kremtohet të premten, në Kishën Romanjano Sesia, në provincën e Novarës, ku Hirësia e Tij qe lindur më 31 korrik 1922.
Papa, në një telegram drejtuar ipeshkvit të Novarës, imzot Franko Xhulio Brambila dhe familjarëve, shpreh ngushëllimet e tij më të ndjera për vdekjen e kardinalit, për shumë vjet me radhë bashkëpunëtor i zellshëm i Selisë së Shenjtë. Kudo punoi, pohon Papa, dha dëshmi të zellit të flakët meshtarak e të besnikërisë ndaj Ungjillit.
Kardinali Antonieti i kreu studimet kishtare në Seminarin novarez e, më pas, edhe në Kolegjin Kapranika, në Romë. U shugurua meshtar më 26 maj 1945 në Novara. Vijoi, më pas, të studiojë në disa universitete kishtare, duke u përgatitur edhe për shërbim diplomatik, që e kreu në shumë vende të botës, nga Libani, në Venezuelë, Francë, SHBA e vise të tjera të botës. Më pas kreu detyra të larta pranë Sekretarisë së Shtetit të Shenjtërisë së Tij, duke shërbyer edhe si anëtar i disa komisionve pranë Kuries Romake.
U krijua kardinal nga Gjon Pali II, në Koncistorin e 21 shkurtit 1998.
Pas vdekjes së kardinalit Antoneti, Kolegji kardinalor përbëhet nga 205 kardinaj: 113 me të drejtë zgjedhore, 92 mbi moshën 80 vjeç.







All the contents on this site are copyrighted ©.